Fundi “i shtetit” të kazinove

Njëra prej ideve për zhvillimin ekonomik të vendit nga Qeveria e Ramush Haradinajt, po digjet para shumë dëshmitarëve. Ky vit qe menduar si vit i zhvillimit të kësaj ideje, pavarësisht nga kritikat e shprehura hapur, edhe nga vet qytetarët – shkruan Gazeta e Re.

Sipas një sqarimi nga Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj në dhjetor të vitit të kaluar, Draft-Koncepti për Lojërat e Fatit, është propozuar nga Ministria e Financave. Ky dokument, sipas këtij sqarimi, është përpiluar duke u bazuar në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Joformale, Pastrimit të Parave, Financimit të Terrorizmit dhe Krimeve Financiare.

“Qeveria e Kosovës njofton se qëllimi parësor i këtij koncept dokumenti është të rregullohet fusha e Lojërave të Fatit, pasi që është vlerësuar se vetëm me këtë qasje ulet informaliteteti për 50% dhe rriten të hyrat tatimore për 50% ” – thuhet ndër të tjera në këtë sqarim. Për më tepër, parashikohet se “viti 2019 do të jetë vit i zhvillimit ekonomik e si fokus të parë do të ketë luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar.”

Por ky koncept doli të ishte një dështim tjetër i radhës, dështim që do ta mbajë vulën e Qeverisë Haradiaj. Vetëm pak muaj më vonë, Parlamenti i Kosovës ka nxjerr një rezolutë me anë të së cilës kërkohet pezullimi i aktiviteteve të kazinove dhe lokaleve të lojërave të fatit. Dy pikat e kësaj rezolute kërkojnë që:

 

  1. Qeveria t’i nisë procedurat ligjore për pezullimin e aktivitetit të të gjitha llojeve të lojërave të fatit deri në plotësim-ndryshimin e ligjit përkatës dhe
  2. Qeveria brenda 30 ditësh ta procedojë në Kuvend Projektligjin e ri që i ndalon të gjitha llojet e lojërave të fatit për një periudhë 10 vjeçare.

 

Rezoluta është propozuar nga deputetët e LDK-së, ndërsa më vonë, edhe vet kryeministri ka paralajmëruar se së shpejti do të përgatitet një ligj i ri, i cili do ta shfuqizojë të vjetrin.

Reagimet kanë vazhduar edhe këto ditë, ku janë përfshirë edhe specialistë nga fusha të ndryshme. Sociologu Fredi Kamberi, është përfshirë në këtë valë reagimesh, duke thënë se:  “Kjo puna e lojërave të fatit vetëm sa po e rëndon gjendjen e qytetarëve të Kosovës. Edhe pse sipas legjislacionit në fuqi ato duhet të jenë 500 metra në largësi nga objektet e shkollës, ato fetare dhe në largësi të pronës komunale, një gjë e tillë pothuajse fare nuk respektohet. Gjithashtu, ato janë shndërruar në një varësi për shumë qytetarë të moshave të ndryshme. Papunësia dhe varfëria e lartë, varësia, kurreshtja, si dhe faktorë të tjerë, janë vetëm disa nga ato faktorë që shumë qytetarë i kanë shtyrë drejtë frekuentimit të tyre. Konsideroj, se shpërfaqja e problemeve të shumta së fundi, ka dhënë një sinjal mjaftë të qartë se ato duhet mbyllur…!”

Nga ana tjetër, zyrtarë nga Policia e Kosovës (PK), përkrah atyre të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganës së Kosovës, ka marrë një aksion të gjerë, duke i kontrolluar këto lokale. Sipas burimeve të gazetës Zëri janë bastisur 235 lokacione, në 33 qytete të ndryshme të Kosovës, e me ç’rast janë mbyllur 35 lokale.

“Nga ky aksion janë kontrolluar gjithsej 235 lokacione në total në 33 qytete të ndryshme. Prej tyre Administrata Tatimore e Kosovës i ka mbyllur 35 lokale, ndërsa Dogana ka konfiskuar 181 aparate të lojërave të fatit. Operacioni policor është ende duke vazhduar”, ka thënë Agron Nezaj, drejtor i Divizionit të Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës.

Sipas raportit, në aksion janë përfshirë mbi 100 zyrtarë të ndryshëm nga këto institucione, të cilët kanë vepruar në regjione të ndara. Vetëm në regjionin e Prishtinës janë kontrolluar 65 lokacione, pastaj në atë të pjesës jugore të Mitrovicës 22, në pjesën veriore të këtij qyteti 21 etj.

“Policia e Kosovës në fund të vitit 2018 ka bërë inicimin e hetimeve rreth lojërave të fatit. Inicimi i këtyre hetimeve është bërë nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës bazuar në veprat penale si në vijim: organizimi i skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm, shmangia nga tatimi si dhe kontrabandimi me mallra. Si rezultat i këtyre hetimeve Policia e Kosovës konkretisht Drejtoria e Krimit të Organizuar së bashku me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në të gjitha rajonet e PK-së të mbështetura edhe nga institucionet të tjera si me Doganën dhe me ATK-në sot ka zhvilluar një aksion”, ka thënë për Zëri-n, Neziraj.

Ideja pat ngjallur një reaksion të paparë nga ana e qytetarëve, të cilët e tallnin dhe e kritikonin idenë absurde të qeverisë “për ngjalljen e ekonomisë”, por të cilat fillimisht, nuk u morën parasysh. Vetëm kur filluan të epnin efektin e pritur dhe të parashikuar nga ana e qytetarëve (por jo edhe nga ana e zyrtarëve të shtetit), parlamenti u detyrua të mblidhej dhe të ndërmerrte diçka konkrete. Edhe ashtu, parashihet që fundi i këtij viti, të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Njohësit e zhvillimeve konsiderojnë që ky koalicion qeverisës i ka ditët edhe ashtu, të numëruara./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet