Frika nga një qeveri teknike

Teorikisht, thonë njohësit e zhvillimeve në vend, ende ekziston një mundësi që koalicioni PAN të propozojë një kandidat për kryeministër. Kësaj i druhen edhe disa parti opozitare, të cilat dje u shprehën të pakënaqura që data e shpërbërjes së parlamentit të jetë ajo e 22 gushtit – shkruan Gazeta e Re.

Është dashur që të nxitojmë dhe të caktojmë një datë më të hershme, e të mos i lëmë gjërat të zvarriten. Nuk është vetëm çështje e krizës, si pasojë e mungesës së institucioneve, meqë detyrat elementare mund t’i kryej edhe qeveria në ikje, por thjeshtë ekziston mundësia, qoftë edhe teorikisht, koalicioni PAN ta propozojë një kandidat tjetër për kryeministër, dhe kështu të rrezikohej që të zëvendësohej kjo qeveri, me një qeveri tjetër të skandaleve.

Duke i komentuar zërat e tillë, analisti Blerim Burjani tha për Gazeta e Re, që kjo nuk është e mundshme në rrethanat në të cilat ndodhemi:

«Jo nuk ka gjë për sa i përket kësaj teme. Mbështetur në deklarimin zyrtar, me shkrim, nga PAN-i, kuptohet që është njoftuar edhe presidenti. Kjo është çështje e kryer pra, nuk ka nevojë për shqetësim as për panik, por as për trillim të temave tjera siç po thotë opozita.»

Sipas Burjanit, nga këto rrethana «janë krijuar dy situata që duhet tejkaluar: mbetet që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta shpërndajë veten, akt ky që ka mundur të kryhet nga vet presidenti. Kuptohet iniciativa e shpërndarjes, sipas marrëveshjes, mund të realizohet duke u votuar shpërndarja me 2/3-tat e votave të deputetëve, ndonëse siç e thamë, më lehtë e ka presidenti ta bëj».

Situata e dytë, sipas Burjanit, po ashtu, s’mund të mos përfillet. Ka të bëjë me pushimet. Kur deputetët të bien dakord që me anë të dy të tretave ta shpërndajnë parlamentin në këtë datë, sipas analistit në fjalë, do të sigurohet përfitimi prej «70% i pagës».

Krejt ky panik, sipas analistit Burjani, ka të bëjë me frikën që partitë politike e kanë nga ideja e qeverisjes teknike. Po të formohej një e tillë, sipas tij, subjektet aktuale do ta humbnin «pjesën ekzekutive për të nxjerrë vendime për tenderë, punësime familjare, punësime partiake, e shumë çështjeve të tjera jetike për ta!».

Por vet PAN-i, nuk duket më aq homogjen, aq sa t’i mjaftonte të ecte përpara, përkundër çarjeve e mospajtimeve përbrenda koalicionit. Përveç Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-së), e cila udhëhiqet nga Kryeministri në ikje Ramush Haradinaj, edhe Nisma Socialdemokrate është deklaruar pro zgjedhjeve të parakohshme.

Në media madje kanë qarkulluar spekulime që Presidenti aktual Hashim Thaçi, duke shfrytëzuar miqësinë me Edi Ramën dhe nëpërmjet Listës Serbe, ka bërë përpjekje që ta bindë Kryetarin e NISMA-s Fatmir Limajn, që ta “rrëmbejë” postin e kryeministrit. Madje sipas portalit Syri.net Kosova, në lojë janë futur edhe deputetët e Partisë Socialdemokrate, përkatësisht deputeti i këtij subjekti Dardan Molliqaj.

Spekulimet e tilla, nuk është që janë vërtetuar, por kanë mjaftuar që disa nga deputetët e opozitës, ta shprehin hapur rrezikun për variante të tjera, që do t’i shmangnin zgjedhjet e parakohshme. Pikërisht për këtë reagoi dje deputetja Albulena Haxhiu, ku ndër të tjera radhiti dy arsye pse data e shpërbërjes së kuvendit, duhej të ishte më e hershme:

«Së pari për shkak të nevojave që ka vendi për shkuarjen sa më parë në zgjedhje dhe së dyti për shkak të mundësisë që subjektet tjera të futen në pazare për qeveri teknike ose mandatar të ri pa zgjedhje.»

Sipas saj, propozimet e VV-së në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit kanë pasur të bëjnë me datat 8 dhe 14 gusht.

Por Nisma, e aq më pak AAK, nuk ka dhënë shenja se është e interesuar që ta shfrytëzojë rastin, e të pajtohet me ndonjë propozim të ri si kandidat për kryeministër, në kuadër të koalicionit PAN. Vet Limaj, e ka thënë qartë se «vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme» dhe se këtu nuk ka dilema. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet