Franca ka vulosur kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026 me një fitore të thellë dhe bindëse ndaj Ukrainës, në ndeshjen e pestë të Grupit D, e zhvilluar të enjten mbrëma në “Parkun e Princave” në Paris. “Gjelat” triumfuan me rezultat të pastër 4:0, duke konfirmuar epërsinë absolute në grup.
Të gjitha golat erdhën në pjesën e dytë, ku francezët shpërthyen me efikasitet të madh.
Kylian Mbappé ishte protagonist kryesor me dy realizime, në minutat 55 dhe 83, duke vazhduar formën e tij të jashtëzakonshme në fanellën kombëtare.
ImageMichael Olise shtoi golin e tretë në minutën e 76-të, ndërsa Hugo Ekitike vulosi fitoren dy minuta para fundit të kohës së rregullt.
Me këtë triumf, Franca arrin kuotën e 13 pikëve pas pesë ndeshjesh dhe siguron vendin e parë në grup, që e dërgon direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ndërkohë, gara për vendin e dytë mbetet e hapur mes Islandës dhe Ukrainës, të cilat kanë nga 7 pikë dhe do të luftojnë për biletën e play-offit.


















