Fotoja ikonë e Prizrenit, zbulohet pas 55 vite identiteti i vajzës me veshje tradicionale (Foto)

Quhet Çazime Leskovci (Leskovçalı), e lindur më 1948 në Prizren, ajo është gruaja ikone e qytetit të Prizrenit, dhe kjo falë një fotografie të shkrepur në vitin 1963 nga një artist profesional që kishte ardhur nga Beogradi.

Ajo qysh tani është radhitur në listën e fotografive më të bukura, ku veç protagonistes, shihet edhe qyteti historik. Atëbotë Çazimja ishte vetëm 15 vjeçare.

Në një intervistë të realizuar nga gazetari Enis Tabak, ajo ka folur rreth asaj se si kishte ardhur deri te shkrepja e fotos, që më vonë do të bëhej një nga fotot me të përfolura në Kosovë.

“Ishte viti 1963, isha vetëm 15 vjeç, atë kohë isha pjesë e shoqatës kulturore “DogruYol”, në atë moshë merresha edhe me vallëzime popullore po edhe me teatër. Na thanë që në Prizren kishte ardhur një fotograf profesional nga Beogradi, i cili kërkonte të bënte foton e një goce të minoritet turk me veshje tradicionale. Foton e realizuam në një mëhallë në pjesën e nën-kalasë së Prizrenit. As që mendova se kjo foto do të radhitet në listën e fotove ikonë të Kosovës. Fotoja ime përveç se ishte përdorur në të gjitha aktivitete kulturore të Jugosllavisë së atëhershme, kishte zënë vend edhe ne katalogët e ndryshëm të magazinave ndërkombëtare. Për këtë foto nuk kërkova ndonjë pagesë, poza ime edhe sot e kësaj dite përdoret në punimet e bakrit, kartëpostalet, në artet qeramike, piktura vaji e në shumë punime të tjera artistike.”

Pavarësisht se fotoja e saj përdoret për 55 vjet, Leskovci nënvizon se nuk kërkon ndonjë të drejtë autoriale veçse apelon tek organet kompetente që të paktën gjatë punimeve ku përdoret fotoja e saj t’i përmendet edhe emri. /EnisTabak /Gazetaere.com/

 

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet