Florin Lata: Bizneset vendore, sikurse autorët, nuk janë të vetëdijshme rreth rëndësisë që ka pronësia intelektuale

Avokati Florin Lata, tashmë është dëshmuar në fushën e së drejtës së pronësisë intelektuale. Ai ka magjistruar në Universitetin Lumiere (Lyon II), në Francë, pikërisht në këtë fushë.

Bagazhi i tij profesional është mjaft i pasur. Në të kaluarën ai i ka mbrojtur interesat edhe të markave të mirënjohura botërisht si: Apple, Samsung, Adidas etj.

Në këtë intervistë për Gazeta e  Re ai u përgjigjet pyetjeve që kanë të bëjnë me fushën juridike në të cilën është i kualifikuar, por edhe për problemet me të cilat ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Kosovë, në përgjithësi. Në veçanti ai e sheh të domosdoshme nevojën që politika t’i mbaj larg duart nga sistemi. Vetëm kështu, sipas tij, mund të presim përmirësim gradual të gjendjes.

GER:  Z. Lata, nga perspektiva e një avokati, çka mund të na thuash për sistemin e drejtësisë në vend, a ka një bazë ligjore të qëndrueshme dhe në cilën hallkë na duhet të punojmë më shumë, në mënyrë që atë (sistemin), ta bëjmë sa më funksional?

 F.Lata: Ajo që kemi më së shumti nevojë, është rritja e cilësisë së punës, pra forcimi i profesionalizmit, si dhe largimi i ndikimit të politikës në sistem…

GER: Më saktësisht, për ta riformuluar pyeten, meqë jeni specialist për sa i përket të drejtave të pronësisë intelektuale, a është e plotësuar infrastruktura në këtë aspekt dhe sa respektohet ajo?

 

  1. Lata: Gjatë viteve të fundit është punuar shumë në plotësimin e infrastrukturës ligjore nga fusha e Pronësisë Intelektuale ku hyjnë: e drejta e autorit, markat tregtare, patentat, dizajni industrial etj. Mirëpo, në praktikë gjendja lë shumë për të dëshiruar. Nga fusha e të drejtave të autorit, për shkak edhe të gjendjes së artit në përgjithësi, vërehet një pasivitet i artistëve në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Duhet të sqarojmë faktin se të drejtat e autorit, ashtu sikurse edhe të drejtat e tjera, duhet që vet personi që pretendon se ka shkelje, të veprojë. Në Kosovë, autorët presin që shteti t’i mbrojë të drejtat e tyre, mirëpo, iniciativa duhet patjetër të vije nga vet autori. Ata autorë, të drejtat e të cilëve janë shkelur, duhet që përmes padive t’i drejtohen gjykatës, në të kundërtën, nuk do t’i mbrojë askush të drejtat e tyre. Situatë tjetër na paraqitet tek markat tregtare, ku pronarët e tyre si vendas ashtu edhe të huaj vazhdimisht bëjnë përpjekje që t’i mbrojnë të drejtat e tyre.

 

GER: Ju si avokat, i keni mbrojtur edhe interesat e  markave tregtare edhe të shumë kompanive të mirënjohura botërore si Apple, Samsung, Adidas, Rolex, Audi etj, por këtu tek ne, duket sikur kompanitë/bizneset nuk janë mjaft të ndërgjegjësuara për sa i përket kësaj çështjeje. Pra si qëndrojnë bizneset kosovare në mbrojtjen e markave të tyre tregtare?

 F.Lata: Fatkeqësisht, sikurse autorët ashtu edhe shumica e bizneseve vendore nuk janë të vetëdijshme rreth rëndësisë që ka pronësia intelektuale, prandaj edhe shpesh gjenden në situata juridikisht të pa favorshme. Shpesh bizneset vendore nuk e kanë të regjistruar asnjë markë tregtare edhe pse disa prej tyre janë edhe prodhuese. Në fakt, mbrojtja e markës duhet t’i paraprijë vendosjes së produktit në treg e jo e kundërta siç po ndodh shpesh në vendin tonë. Ne u rekomandojmë dhe u asistojmë bizneseve kosovare që markat e tyre t’i mbrojnë jo vetëm në Kosovë, por së paku edhe në vendet e rajonit, ku kanë potencial më të madh për zgjerim.

GER: Nëse ka një grup (nëse mund ta quajmë), të interesit, i cili nuk e respekton këtë ligj, është ai i mediave elektronike. Vetëm një numër, tepër i vogël, ka filluar të ndërgjegjësohet për sa i takon asaj që quhet pronë intelektuale. Çfarë duhet bërë më shumë në këtë aspekt?

 

  1. Lata: Me rastin e plotësim ndryshimit të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të drejtave të përafërta Nr.04/L-065, nenit 12 i është shtuar edhe një nen/paragraf, i cili parasheh që lajmet e ditës dhe informacionet e ndryshme që kanë karakter të raportimeve të rëndomta të mediave mund të riprodhohen vetëm pasi të kenë kaluar së paku dymbëdhjetë (12) orë nga publikimi i tyre.

 

Ky nënparagraf, edhe pse ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2016, nuk duket se ka gjetur zbatim në praktikë. Vlen të theksohet fakti se ky amendament ka qenë i propozuar nga vet mediat, të cilat në atë kohë kanë menduar që me miratimin e tij do të rregullohej çështja e kopjimit të lajmit. Duhet të sqarojmë se ligji nuk i jep askujt monopol në mbulimin e një ngjarjeje ditore, pra, secili gazetar mund të shkruajë apo të raportojë rreth ngjarjes pa pritur 12 orë, por riprodhimi i të njëjtit shkrim ndalohet për 12 orë.

Prandaj, mungesa e padive gjyqësore ka bërë që shkelësit e të drejtave pa pengesa të vazhdojnë aktivitetin e tyre bile në disa raste duke pasur edhe lexueshmëri më të madhe se sa vet mediumi i cili e ka përgatitur lajmin.

GER: Le t’u kthehemi edhe njëherë problemeve të sistemit. Kohë më parë, një ‘Urdhëresë’ e ndërmarrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), pat ngjallur reagimin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK). Kjo e fundit e pat cilësuar atë si një dokument që më shumë shkakton probleme, se sa që ua lehtëson punën avokatëve. Me këtë rast patët reaguar edhe ju, si i komentoni këto lloj pengesash?

F.Lata: Vendimet e ad hoc dhe të pa menduara mirë nuk mund të japin efekte pozitive. Andaj, edhe ‘urdhëresa” në fjalë ka qenë e tillë, kështu që edhe KGJK pas reagimit të avokatëve e ka tërhequr të njëjtën me qëllim që të nxjerr një akt të mirëfilltë i cili do të jetë në përputhje me parimet e përgjithshme të sistemit gjyqësor.

Mirëpo, problemet që qytetarët kanë në qasje në drejtësi janë më të mëdha. Problematika kryesore është vonesa shumë e gjatë e trajtimit të lëndëve, në veçanti në Gjykatën e Prishtinës. Është për t’u përshëndetur shtimi i numrit të gjyqtarëve në këtë gjykatë, por prapë se prapë numri i lëndëve të vjetra është tejet i madh. Prandaj, nëse një qytetari i duhet të pres 10 vite që një çështje e tij pronësore apo një kompensim dëmi të trajtohet, kjo paraqet pengesë reale që shtynë shumë qytetar që problemet e tyre t’i zgjidhin në mënyra tjera, jo gjithmonë në përputhje me ligjin.

Po ashtu, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka përcaktuar edhe taksa gjyqësore tejet të larta, që shumë shpesh mund të jenë të pa përballueshme. Psh. Nëse një qytetar ka një kontest kundër një organi të administratës shtetërore, në momentin e ushtrimit të padisë duhet të paguaj shumën nga 20 deri në 1000 euro varësisht nga vlera e kontestit. Përveç taksës gjyqësore, pala duhet të paguaj edhe shërbimet e avokatit, ekspertit etj dhe krejt në fund, edhe nëse e fiton rastin në gjykatë, këto shpenzime nuk i rimbursohen. Pra, edhe nëse administrata shtetërore përmes vendimeve të veta ia cenon të drejtat një personi fizik apo juridik, dhe kjo vërtetohet në Gjykatë, prapë se prapë, pala do të ketë shpenzime aq të mëdha financiare që e bëjnë edhe të tërhiqet nga realizimi i të drejtave të veta.

 

GER: Çka mendoni, a kanë të bëjnë gjërat e tilla me mungesën e përvojës sonë relativisht të shkurtër si institucione, respektivisht si shtet?

F.Lata: Edhe përkundër përvojës së shkurtër që ka Kosova si shtet, shumë njerëz që punojnë në sistemin gjyqësor në Kosovë janë me përvojë të gjatë, si nga radhët e gjyqtarëve, prokurorëve apo avokatëve. Ajo që më së shumti i nevojitet sistemit gjyqësor, siç e thash edhe më lart,  është rritja e profesionalizmit dhe largimi i ndikimit politik. Nëse në sistemin tonë gjyqësor dhe prokurorial politika emëron njerëzit e vet, atëherë nuk do të ketë drejtësi të mirëfilltë në këtë vend. Si mund të presësh vendime të drejta nga një prokuror apo gjyqtar, i cili është emëruar në at pozitë falë një partie apo grupi të caktuar të interesit, ndërsa vendimet mund t’ua cenojnë interesat pikërisht atyre që e kanë emëruar?

Pastaj, vonesat në trajtimin e rasteve, politizimi, korrupsioni e shumë probleme tjera kanë bërë që besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë të jetë i vogël.

Andaj, në vitet në vazhdim, rritja e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë duhet të jetë prioritet i të gjithë akterëve në sistemin gjyqësor.

 GER: Fare në fund, a shihni ngritje të vetëdijes nga ana e qytetarëve për sa i përket realizimit të të drejtave të tyre?

F.Lata: Po, kohët e fundit shihet se tek qytetarët ka rritje të vetëdijes për realizimin e të drejtave të tyre në disa fusha, pasi që edhe përkundër pengesave që i përmendem më lartë, vazhdimisht ka padi nëpër gjykata.

Mirëpo, duhet të punohet më shumë tek brezat e ri që ata të mësojnë që të respektojnë të drejtat e të tjerëve por edhe të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të veta, që në të ardhmen të kemi qytetar      ë aktiv  që do të mbrojnë interesin e përgjithshëm e jo vetëm atë individual. Në fusha të caktuara, si p.sh e drejta e autorit, duhet të ketë angazhim shtesë, që prej fëmijërisë të mësohen me rëndësinë e këtyre të drejtave, kjo ndoshta do të na ndihmojë që në dekadat që do të pasojnë, të kemi shkencëtarë të mirëfilltë, e jo të atillë që plagjiaturën e kanë si mjetin e vetëm për avancim shkencor./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet