Florim Zeqa: Kosovës i duhet një sistem presidencial

Florim Zeqa, ka një kohë të gjatë që i kontribuon opinionit publik me vështrimet e tij mbi çështje kryesisht politike. Autori i tre librave nga fusha e publicistikës: «Njohja e vonuar»; «Thirrje nga shpirti»; dhe «Iluzionistët e Speciales», në këtë intervistë për Gazeta e Re, nuk ka reflektuar vetëm mbi kontekstin politik aktual në vend, por edhe mbi raportet e diasporës, me republikën.

Pyetjeve rreth iniciativës për themelimin e një lëvizjeje politike nga shqiptarët e diasporës, programit që bartë kjo lëvizje, si dhe shumë çështjeve të tjera aktuale, ai u është përgjigjur, si përherë, me kujdes.

Ndër të tjera ai këtu thekson se mërgata, duhet medoemos, të jetë më aktive në jetën politike dhe jo vetëm.

GER: Këto ditë hasa në artikullin: «Lëvizja ‘Krahët e Shqipes’, shpresë për ndryshimin e Shqipërisë», autor i së cilit jeni ju. Vërtetë bëhet fjalë për themelet e një lëvizjeje të re politike gjithëshqiptare?

Zeqa: Po, shkrimi im autorial ‘Lëvizja ‘Krahët e Shqipes’, shpresë për ndryshimin e Shqipërisë’, ishte në funksion të mbështetjes së një nisme të mërgatës shqiptare. ‘Krahët e Shqipes’ me qendër në Londër, është në fazën e organizimit. Kjo lëvizje e re politike nga mërgata nuk është e përmasave mbarëkombëtare, por është një shkëndijë shprese në këtë situatë të rënduar politike në të cilën po kalon shteti shqiptar.

GER: A do të thotë kjo që diaspora duhet të jetë më aktive në jetën politike në Kosovë e Shqipëri?

Zeqa: Fillimisht dëshiroj të theksoj se diaspora duhet të jetë më aktive dhe më prezente në jetën politike në Shqipëri dhe Kosovë. Lëvizjet e reja politike nga mërgata nuk guxojnë të jenë vazhdimësi dhe as levë e asnjë subjekti politik ekzistues. Ngase secila nga subjektet aktuale politike, për të mirë apo për të keq, e kanë dëshmuar vetën. Ardhja në pushtet e një klase të re e të përgjegjshme politike, e aftë për ndryshime pozitive, do të krijonte kushtet për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë shqiptarët pa dallime partiake, ideologjike apo fetare.

GER: Megjithatë, skena politike vendore, të krijon përshtypjen që është e ngulfatur, e ju prapëseprapë konsideroni që ka vend edhe për një tjetër subjekt politik?

Zeqa: Insistimi im i vazhdueshëm për ndryshimet pozitive në vendin tonë, nuk e nënkupton ‘pasurimin’ e skenës politike edhe me një subjekt të ri, por në esencë, është përpjekja ime për finalizimin e projektit madhor për themelimin e një lëvizje të re politike nga Diaspora e cila në gjirin e saj do të marrë elektoratin e zhgënjyer nga të gjitha partitë politike, sa të dështuara, po aq të konsumuara përgjatë këtyre 20 viteve. Lëvizja e re politike nga Diaspora angazhohet jo thjesht për një ndërrim pushteti në Kosovë, por për ndryshimin rrënjësor të sistemit qeverisës në vend, gjegjësisht kalimin nga sistemi parlamentar në atë presidencial. Sistemi presidencial i qeverisjes së vendit, do ta nxirrte Kosovën nga «çarku i mbyllur» politik. Kjo, përveçse do të pamundësonte kontrabandimin e postit të presidentit nga partitë politike, do të pengonte edhe ndërhyrjet e tmerrshme nga jashtë, siç ishte rasti i zgjedhjes së presidentes përmes zarfit në vitin 2011, dukuri kjo e paprecendent në vendet e lira dhe demokratike.

Sistemi presidencial paraqet çelësin e evitimit të ngërçeve politike dhe krizave artificiale pas-zgjedhore të paraqitura në mënyrë serike në Kosovën e pasluftës, si dhe krijon premisat e bipolarizimit të skenës politike, gjegjësisht krijimin e dy blloqeve të forta parazgjedhore. Pa u zgjatur më tutje, kalimi në sistemin presidencial e forcon sovranitetin e shtetit.

GER: PDK dhe LDK gjatë kësaj periudhe kanë kaluar nëpër një proces të brendshëm zgjedhor (kjo e fundit ende nuk e ka përmbyllur atë), por nuk kanë dhënë shenja që janë afër reformimit rrënjësor, nevojë kjo për të cilën edhe ju keni shkruar mjaft shpesh. Pse e kanë të pamundur të demokratizohen këto subjekte?

Zeqa: Po, është e vërtetë se PDK e ka kryer procesin e brendshëm zgjedhor, ndërsa LDK është në përmbyllje e sipër të procesit zgjedhor. Sikurse njëra (PDK), edhe tjetra (LDK) procesin e brendshëm zgjedhor e shfrytëzuan për ruajtjen e vazhdimësisë së elitave politike në partitë tyre, pa e dhënë asnjë sinjal për reformimin e tyre edhe kundrejt kërkesave të vazhdueshme të elektoratit të këtyre dy partive politike. Arsyeja e mungesës së reformave në PDK dhe LDK , janë klanet dhe grupet e interesit të rreshtuara pas liderit të partisë, të cilat e ngulfatën çdo përpjekje për ndryshim përmbajtjesorë. Këto dy subjekte shkronjën “D” (demokratike) e mbajnë vetëm si dekor në akronomin e tyre partiak. Madje LDK-ja ka shkuar edhe më larg, tri shkronjat e arta me një histori të lavdishme kombëtare i ka zëvendësuar me “Lidhja”, duke u shkëputur skajshmërisht nga filozofia politike rugoviane.

GER: Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka provuar asnjëherë pushtetin qendror, ndonëse mbetet një ndër forcat politike më alternative në vend, a s’është koha që ajo të sprovohet në këtë pikë?

Zeqa: Organizata politike “Lëvizja Vetëvendosje” është i vetmi subjekt politik i skenës parlamentare që nuk është sprovuar akoma në pushtetin qendror, edhe pse është forca më aktive dhe më alternative në vend. Mendoj që është dashur më herët që LVV-ja të sprovohet në pushtetin qendror, siç u provua në pushtetin lokal. Mbase tani, jo vetëm që është koha, është momenti i fundit që qytetarët e vendit ta provojnë edhe këtë subjekt, për të hequr përfundimisht dilemat për ndryshimin e tërësishëm jo vetëm të skenës politike, por edhe të sistemit qeverisës në përgjithësi.

GER: Si e shihni një koalicion të përfolur mjaft gjatë ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes?

Zeqa: Është folur e përfolur mjaft gjatë rreth mundësisë së një koalicioni qeverisës LDK-LVV. Janë dhënë mendime, opinione dhe projektime të ndryshme sesi do të dukej ky koalicion qeverisës. Personalisht nuk e shoh shumë produktiv një koalicion mes dy partnerëve me koncepte ideologjike diametralisht të kundërta, me programe dhe pikëpamje skajshmërisht të ndryshme. Personalisht jam që, sikurse njëra (LDK), ashtu edhe tjetra (LVV) të qeverisin të vetme ose në koalicion me partitë e afërta, që kanë përputhshmëri më të mëdha programore dhe pikëpamje të njëjta ideologike.

GER: Krejt për fund: sa e ka penguar zhvillimin e brendshëm, vonesa e realizimit të aktit final të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Zeqa: Jo vetëm vonesa e aktit final të marrëveshjes, por i tërë dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është bërë pengesë serioze e zhvillimit të brendshëm si në aspektin ekonomik, shëndetësor, arsimor, kulturor, etj, …për shkak se të gjitha qeveritë e Kosovës pa dallim, energjitë politike i kanë shpenzuar tek dialogu, gjegjësisht tek pakica serbe që nuk e njeh dhe pranon Republikën e Kosovës si shtet të vetin, duke i harruar kështu interesat e shumicës së popullatës, në këtë rast shqiptarëve që sakrifikuan shumë dhe pritën jashtëzakonisht gjatë për krijimin e shtetit të tyre. /Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet