Finlanda: BE-së nuk i ka vdekur truri për zgjerimin

Ministrja e Jashtme e Finlandës Tytti Tuppurainen, ka deklaruar se Bashkimit Evropian nuk “i ka vdekur truri”, duke iu përgjigjur kështu propozimit të fundit francez lidhur me zgjerimin e bllokut evropian.

Vendet e BE-së patën reagime të ndryshme ndaj idesë së shefit të Shën Elizesë gjatë bisedimeve paraprake në Bruksel. Disa ishin më pozitive, të tjera më të kujdesshme, sqaroi Tytti Tuppurainen, vendi i së cilës mban presidencën e radhës së bllokut.

Kryeqytete evropiane duhet për çdo rast të presin që të nisë nga puna Komisioni i ri Evropian përpara se t’i ngarkojnë detyrën e hartimit të ndonjë ndryshimi. Komisioni duhet të ishte zyrtarizuar që në 1 nëntor, por ka pasur vonesa për shkak se eurodeputetët refuzuan tre kandidatura për komisionarë.

“Nuk është se nuk po bëjmë asgjë për zgjerimin. Se të mos bësh asgjë, do të thotë të mos e kishim këtë temë në agjendën tonë, por ne këtu sigurisht, diçka po bëjmë, nuk na ka vdekur truri. Të 28 vendet e BE-së shprehën të martën përkushtimin e tyre ndaj perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit perëndimor, dhe kjo tregon se Evropa nuk është në ngërç për këtë çështje”, ka thënë ministrja Tytti Tuppurainen.

Nga ana e saj, ministrja franceze e çështjeve të BE, Amélie de Montchalin, tha se Danimarka dhe Holanda ishin “shumë afër” me të menduarit e Francës, e sipas saj, me këtë ide konvergojnë gjithashtu edhe Austria, Republika Çeke, Italia, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia.

Montachalin sqaroi nga ana tjetër se debate mbi reformën nuk nënkupton se bisedimet e anëtarësimit të Serbisë dhe malit të Zi, të cilat kanë nisur tashmë, janë jo legjitime.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet