Fillon “pazari i ri” i aderimeve në parti politike

Është praktikë e njohur në Kosovë që pak para zgjedhjeve shumë njerëz të pajisen me kartela identifikuese të partive politike. Jo rrallë ka ndodhur që aktivistë dhe anëtarë nga shoqëria civile, gazetarë, ekonomistë e profesionistë të profileve të aderojnë në parti politike.

Duke qenë se zgjedhjet e parakohshme pritet të shpallen këto ditë pas rrëzimit të qeverisë, edhe aderimet e reja tashmë kanë filluar.

Aktivistja e shoqërisë civile Florina Duli,  nuk do të  çuditej edhe nëse do të shihte aderime të shoqërisë civile në parti politike në Kosovë. Bile ajo thekson se këto të fundit kanë nevojë për perspektiva e fytyra të reja.

“Aktivizmi është platformë e mirë për profilizim dhe njëkohësisht promovim të personaliteteve dhe liderëve/lidereve të rinj e të reja në shoqëri, e të cilëve edhe pastaj mund t’u bëhen oferta për angazhim politik. Angazhimi politik i çdo qytetari, përfshi këtu liderët që dalin nga Organizatat e shoqërisë civile, është totalisht legjitim dhe i natyrshëm, sidomos kur këto aderime bëhen për shkak të orientimeve të përbashkëta politike. Ajo që është më pak e pranueshme, sidomos në sistemin tonë, është kalimi nga radhët e partive politike në udhëheqje të organizatave, sidomos ne rastet kur ato organizata insistojnë se janë të pavarura nga partitë politike. Por edhe në këto raste ka përjashtime dhe kjo varet nga fushëveprimi i organizatës”, thotë Duli për Gazeta e Re.

Politologu Gurakuç Kuçi konsideron se aderimi nga shoqëria civile në parti a lëvizje politike është  shumë normal në vendet me demokraci të zhvilluar, por  jo edhe në Kosovë.

“Gjithmonë aderimet lihen kur zgjedhjet janë të sigurta dhe janë shpallur, pasi pazari në atë kohë rritet. Dhe pikërisht kjo e bënë që ngritja e pazarit parti politike-shoqëri civile, të lihet mënjanë interesi i qytetarëve për çka ekzistojnë edhe shoqëria civile dhe partitë politike. Një pjesë jo e vogël e shoqërisë civile janë krijesa të vetë partive politike për zhvatje të ndryshme dhe shumë herë çdo aderim që ka ndodhur dhe do të ndodhë është vetëm një farsë dhe hedhje hi syve para qytetarëve. Në këtë rrjetëzim aspak në favor të qytetarëve janë të përfshirë madje edhe ambasadat dhe organizatat e huaja”, thotë Kuçi duke shtuar se shumë lëvizje politike nga shoqëria civile në parti politike janë vetëm kthimi tek krijuesi dhe furnizuesi i tyre.

Ai thotë se aderimet nga shoqëria civile në parti politike nuk do t’i sillnin asnjë të mirë kësaj të fundit ngase sipas tij, politika në Kosovë ka nevojë për njerëz të rinj.

“Kosova ka nevojë për njerëz që vijnë komplet jashtë politikës, për një alternativë të re, me një kulturë dhe mendësi të re demokratike dhe shtet-ndërtuese. Shoqëria civile dhe partitë politike në masë të madhe dhe mediat më pak, nuk janë duke kryer funksionin real që do ta kryenin në një vend demokratik, pasi janë të kapura nga partitë politike të cilat e kanë kapur edhe shtetin”, potencon Kuçi.

Ndërkaq, dje në një konferencë për media u konfirmua aderimi i tanimë ish-kryeredaktores së Gazetës “Zëri” në Partinë Demokratike të Kosovës./gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet