FFK merr vendim për Challandes pas humbjes nga Maqedonia e Veriut

Trajneri Bernard Challandes do të vazhdojë të jetë selektor i Kosovës.

Humbja nga Maqedonia e Veriut dhe në përgjithësi rezultatet e dobëta në ndeshjet e Nation League e kanë “lëkundur” karrigën e Challandes te Kosova.

Selektori i kombëtares së Kosovës ka marrë përgjegjësinë për dështimin ndaj Maqedonisë së Veriut, megjithatë, presidenti i FFK, Agim Ademi, ka besim te zvicerani.

Sipas një komunikate të FFK, selektorit i është besuar vazhdimi i punës me grupin.

“Presidenti Ademi shfaqi besimin e tij ndaj përzgjedhësit Bernard Challandes dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke kërkuar nga ta që të jenë edhe më vigjilentë në këtë periudhë jo të lehtë për ekipin dhe që të jenë të gatshëm për të ndihmuar futbollistët ta përballojnë këtë situatë, si dhe që t’u japin mundësi të gjithëve dhe të krijojnë ekipin më të mirë”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Kujtojmë që Kosova përballet të dielën me Slloveninë, kurse me datë 14 tetor me Greqinë në Athinë.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet