Fetahu: Llapjanët u lanë pa shërbime shëndetësore gjatë pandemisë, spitali do të jetë prioriteti im

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë, Naim Fetahu, së bashku me asamblistët kësaj partie kanë vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare

Gjatë kësaj vizite, Fetahu ka thënë se është për keqardhje që në krizën më të madhe shëndetësore në Podujevë, qytetarët nuk e patën një spital për tu trajtuar.

Sipas tij, faji është i tëri i Qeverisjes së dobët komunale të LDK-së, e cila qe 20 vjet nuk ka qenë në gjendje që t’i siguroj një spital Podujevës.

“Sivjet ne po përballemi me krizën më të madhe shëndetësore në dekada, me virusin COVID-19. Fatkeqësisht, shumë qytetarë tanë kanë vdekur, e mijëra të tjerë janë prekur nga ai. E asnjëri prej tyre nuk ka pasur mundësi që të trajtohet në Podujevë. QKMF-ja përveç që është në gjendje të keqe dhe pa staf esencial, nuk ka pasur as mbështetje më të madhe nga komuna apo qeveria nacionale për ta përballuar këtë krizë”.

Më tutje, ai ka thënë se gënjeshtra e LDK-së për funksionalizimin e spitalit po vazhdon edhe këtë herë.

“E keni parë edhe ju, tani ministri i shëndetësisë që vjen nga LDK-ja ka dalë me një propozim për ndërtimin e spitalit të Podujevës. Kjo përveç që është një keqpërdorim i pushtetit qendrorë për shkak të zgjedhjeve, është edhe një gënjeshtër e madhe të cilën LDK-ja e përdorë tani e 20 vjet”.

Ai ka premtuar se qysh na mandatin e tij të parë si kryetar, funskionalizimi i spitalit do të jetë prioritet, që t’u dilet konkretisht në ndihmë qytetarëve për përballimin e pandemisë.

“Do ta funksionalizojmë spitalin e Podujevës dhe do ta modernizojmë atë. Do të ketë pediatër, do të ketë gjinekolog dhe të gjithë aparaturën e nevojshme që llapjanët të marrin shërbime shëndetësore në Podujevë, e jo të maltretohen në baza ditore duke udhëtuar për në Prishtinë.”, ka thënë ai.

Aktualisht, Komuna e Podujevës është duke funksionuar pa drejtor për shëndetësi dhe pa drejtor të përhershëm të QKMF-së, ndërkohë që është një ndër komunat me më së shumti raste të COVID-19 dhe pjesë e komunave në zonën e kuqe.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi