Festa e bashkimit, 28 nëntori dhe fryma kombëtare

Shëtitoret dhe sheshet e qyteteve të Kosovës, janë zbukuruar me flamuj kombëtar. Në kryeqytet, këto zbukurime kanë filluar disa ditë më parë, ndërsa flamuj që valëviten duken edhe në rrugicat periferike. Edhe një kompani taksish, kishte vendosur që veturat t’i zbukuronte me flamuj kuq e zi. Trotuareve ende ka pak borë, por është festë dhe ngricat nuk kanë arritur deri në zemrat e qytetarëve të cilët e mbajnë të gjallë zjarrin për bashkimin kombëtar – shkruan Gazeta e Re.

Dy shtete, një agjendë

Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, dita e 28 nëntorit e zuri në Medvegjë. Nga atje, ai ua urojë ditën e shënuar gjithë shqiptarëve.

<<Gëzuar Ditën e Flamurit për të gjithë shqiptarët! Për të uruar Festën Kombëtare, zgjodha poezinë e recituar me shumë shpirt dhe emocion, të kësaj nxënëseje të mrekullueshme shqiptare në Tupallaj të Medvegjës>> , ka shkruar presidenti Meta, teksa e ka përcjellë një video ku shihet një vogëlushe që reciton një poezi për ditën e flamurit, në një shkollë në të Medvegjes.

Karvanit të urimeve iu bashkua edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ndër të tjera e kujtoi daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari:

<<Bashkë me 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ne sot e festojmë edhe ditëlindjen e komandantit tonë të madh, Adem Jashari, si dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj gjithë shqiptarëve anekënd botës, ua uroj festat e krenarisë dhe lavdisë sonë kombëtare.

Ky muaj historik na ka dhënë gjithnjë guxim e forcë për ta shpallur edhe Republikën e Kosovës>> – ka shkruar Thaçi, duke shtuar se edhe për plotësimin e agjendës evropiane, Kosova dhe Shqipëria do të qëndrojnë bashkë.

<<Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë!>>  – ka përfunduar Presidenti Thaçi.

Edhe ndërmjet dy qeverive agjendat janë sinkronizuar, për ta shënuar, qoftë edhe në mënyrë simbolike, bashkimin ndërmjet dy shteteve. Një mbledhje e përbashkët është mbajtur me të dy kabinetet, ndërsa sot, aktivitetet kanë filluar nga ora njëmbëdhjetë e dyzetepesë, në Sheshin e Pavarësisë në Vlorë dhe do të përfundojnë në orën nëntëmbëdhjetë, kur Presidenti Meta do ta pres në zyrat e tij Presidentin Thaçi.

Në mbledhjen e përbashkët, ndërkaq, të mbajtur një ditë më parë, të dy kryeministrat mbajtën bashkë një konferencë për shtyp, në të cilën Kryeministri Edi Rama ndër të tjera tha se i vjen mirë <<që tërë hapat e ndërmarrë, janë hapa mirë të përcaktuar me një drejtim të përbashkët strategjik. Promovimin e vlerave të bashkëjetesës mes nesh, pastaj edhe problemet e mësimit në gjuhën shqipe, edhe aktivitetet me përfaqësues të diasporës, do t’i bëjmë si një sepse pavarësisht se jemi të ndarë në dy shtete, bota shqiptare është një, e pandashme për të dyja qeveritë tona>>.

Kryeministrat u zotuan që jetësimi i strategjisë së përbashkët kombëtare, do të jetë pjesë e agjendës së dy qeverive.

 

Urime nga të gjitha anët për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Liderë rajonal e deri te ata botërorë uruan shqiptarët për 105 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në urime kishte edhe nota përgëzimi për progresin të cilin e ka shënuar shteti shqiptar, në drejtim të integrimeve euroatlantike.

<<I dashur president, ndërsa ju festoni 105-vjetorin e Pavarësisë më 28 Nëntor, populli i Shteteve të Bashkuara më bashkohet në urimin për popullin shqiptar. Në këtë ditë ne konfirmojmë miqësinë tonë të fortë dhe përkushtimin ndaj Shqipërisë si dhe presim që ta fuqizojmë edhe më tej këtë marrëdhënie gjatë viteve të ardhshme>> , kështu e ka filluar letrën për urimin e pavarësisë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump. Ai ka vijuar më tej duke thënë se:

<<Dy kombet tona kanë zhvilluar një bashkëpunim të thellë që na ka lejuar të punojmë së bashku për të trajtuar çështje me rëndësi globale. Ju falënderojmë për rolin tuaj si partner vendimtar në promovimin e qëndrueshmërisë rajonale dhe luftën kundër ekstremizmit si dhe mbështetjen tuaj anembanë botës si një Aleat i NATO-s dhe vend anëtar i koalicionit për Shkatërrimin e ISIS-it.

Këtë vit mirëpritëm zbatimin nga ana e Shqipërisë të reformave kyçe të drejtësisë, të cilat e kanë sjellë vendin më afër qëllimit për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimit më të madh rajonal. Ne e lavdërojmë përparimin që ka shënuar Shqipëria në drejtim të integrimit euro-atlantik dhe të sigurimit të paqes e begatisë për të gjithë shqiptarët.

Jemi bashkë me ju teksa festoni këtë ditë të veçantë dhe iu uroj Ju dhe popullit shqiptar gjithë të mirat gjatë vitit të ardhshëm!>> – ka përfunduar Trump, duke i siguruar shqiptarët se amerikanët edhe më tej mbeten ndër miqtë më të fuqishëm ndërkombëtar.

Siç e thamë, presidentët dhe kryeministrat e dy vendeve, zyrtarët e tjerë të lartë nuk e kanë lëshuar rastin. Ndërsa as liderët opozitarë si Isa Mustafa e Lulzim Basha. Një urim i veçantë ka ardhur edhe nga Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës Slobodan Vujiçiq. Ai ka uruar që shqiptarët në të ardhmen të jenë bartës të proceseve paqësore në rajon.

<<Ne besojmë se ata do të kenë forcën dhe vullnetin për të justifikuar pritjet e të gjithë miqve të Kosovës dhe të popullit shqiptar në tërësi>> – thuhet ndër të tjera në urimin e Vujiçit.

Nëntorëve të ndarë po u vije fundi

Tirana dhe Prishtina kanë vendosur që ta rikujtojnë bashkërisht 105 – vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Krerët më të lartë shtetërorë, kanë sinkronizuar agjendat dhe aktivitetet kanë filluar që nga ora njëmbëdhjetë e paradites.

Në fjalimet dhe deklaratat e tyre theksohet zotimi për një zhvillim të mëtejmë të idesë së bashkimit, nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik, politik dhe jo vetëm. Kjo nuk ka reflektuar aq mirë de disa nga fqinjët, një deklaratë e Ministrit për Diasporën Pandeli Majko, se kufijtë do të hapen për shqiptarët e anës tjetër, ka bërë bujë në mediat serbe. Por pavarësisht këtyre reagimeve, kryeqytetet e dy vendeve, sot janë veshur kuq e zi… /ImerTopanica/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet