Feronikeli njeh kundërshtarin në paraeliminatoret e Championsit!

Feronikeli mëson kundërshtarin e parë të paraeliminatoreve të Champions League. Skuadra nga Drenasi në gjysmëfinale do të ketë përballë kampionen e Gjibraltarit, Lincoln Red Imps, ndërkohë që në rast triumfi në finale e raundit paraeliminator do të sfidojë fituesin e çiftit Tre Penne të San Marinos ndaj Santa Coloma të Andorrës.

Rivali i Feronikelit në gjysmëfinale nuk është krejtësisht i panjohur për skuadrat kosovare pasi një vit më parë Drita mposhti brenda në Gjibraltar me rezultatin e thellë 4-1 pikërisht Lincoln Red Imps në finalen e raundit paraeliminator duke siguruar pikërisht kalimin në raundin e parë kualifikues të Champions League. Feronikeli është skuadra favorite për ta fituar fazën paraeliminatore por edhe në rast se eliminohet në gjysmëfinale ose në finale, skuadra e Zekirija Ramadanit do të avancojë në turin e dytë kualifikues të Europa League, pra nuk do të mbetet jashtë Europe.

Sfidat gjysmëfinale do të zhvillohen në datën 25 qershor ndërsa finalja në 28 qershor. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë me Feronikelin që këtë vit do të ketë avantazhin e fushës ndaj rivalëve. /supersport.al

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet