Ferid Aganit ka bërë të ditur se do të garoj edhe në zgjedhjet lokale.
Sipas tij, zgjedhjet lokale që po afrohen janë një provë vendimtare.
“Nisma e përbashkët qytetare “Forca e Re Kombëtare” paraardhëse e partisë së re politike, që do të garojë në këto zgjedhje, është përfaqësuese e kësaj qasje të re – ku forcat tradicionale dhe lëvizjet e reja vizionare qytetare gërshetohen në një platformë të vetme. Është koha për t’u mobilizuar, për të dëshmuar që përfaqësimi dinjitoz nuk ka alternativë”
Të nderuar miq, mbështetës dhe bashkëmendimtarë:
Me 14 korrik 2025, u mbajt me sukses mbledhja e parë konstitutive e Këshillit Organizativ të subjektit të ri të djathtë politik konservator “Forca e Re Kombëtare”. Ky moment shënon një hap të guximshëm dhe të menduar mirë në drejtim të bashkimit të energjive qytetare dhe politike mbi vlerat e përbashkëta të traditës dhe vizionit për të ardhmen, në një kohë kur vendi ynë përballet me sfida të mëdha në çdo fushë të jetës publike.
Vitin e kaluar udhëheqja e Partisë së Drejtësisë vlerësoi se ka ardhur koha për një kualitet të ri në rrugëtimin e sajë politik. Ky kualitet kërkon tejkalim të rutinës, hapje ndaj bashkëpunimit të sinqertë, rinovim të përfaqësimit dhe kthim tek burimet e frymëzimit tonë themelor: morali, drejtësia dhe përgjegjësia ndaj Zotit të Madhërishëm dhe Kombit.
Sfidat e kohës – ekonomike, politike, sociale, kulturore, shpirtërore dhe morale – imponojnë domosdoshmërinë e bashkimit të vlerave. Nevoja për një front të përbashkët të subjekteve politike dhe personaliteteve me integritet, është më urgjente se kurrë. Vetëm së bashku, përtej interesave të ngushta dhe kalkulimeve pragmatike, mund të krijojmë një lëvizje me ndikim të thellë dhe qëndrueshmëri afatgjate.
Zgjedhjet lokale që po afrohen janë një provë vendimtare. Nisma e përbashkët qytetare “Forca e Re Kombëtare” paraardhëse e partisë së re politike, që do të garojë në këto zgjedhje, është përfaqësuese e kësaj qasje të re – ku forcat tradicionale dhe lëvizjet e reja vizionare qytetare gërshetohen në një platformë të vetme. Është koha për t’u mobilizuar, për të dëshmuar që përfaqësimi dinjitoz nuk ka alternativë.
“Forca e Re Kombëtare” nuk është vetëm një projekt politik – është shpresa e shumëpritur e qytetarëve për kthesën e domosdoshme. Ajo mishëron vullnetin për transformim dhe përfaqësim të sinqertë, përtej zhgënjimeve të akumuluara ndër vite. Përvoja e grumbulluar politike e PD-së gjatë një çerek shekulli është garant për rrugë stabile përpara pa përsëritje të gabimeve.
Ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për të gjithë ata që besojnë në vlerat themelore të demokracisë progresive konservatore, në rëndësinë e familjes, besimit, traditës, integritetit, dhe shërbimit ndaj atdheut.
Me mirënjohje të veçantë falënderoj Fatmir Smajlin dhe grupin e tij të respektuar të intelektualëve nga nisma politike qytetare “Integriteti”, për vizionin e qartë, përkushtimin e sinqertë dhe partneritetin korrekt gjatë gjithë këtij procesi. Kontributi i tyre ka qenë thelbësor në ndërtimin e themeleve të “Forcës së Re Kombëtare”, duke dëshmuar se vlerat e ndershmërisë, profesionalizmit dhe besimit të ndërsjellë janë ende të mundshme në jetën publike dhe politike të vendit tonë.
Ju ftoj të gjithë që ndjeni brenda vetes këtë thirrje të ndërgjegjes, të na bashkoheni në këtë rrugëtim të ri. Të ndërtojmë një alternativë që e meriton Kosova dhe brezat që do të vijnë.
Bashkimi ynë i Ri është për Forcën e Vlerave Kombëtare
Angazhimi ynë është për Republikën e Kosovës.
Zoti i Madhërishëm na priftë me të mbara.
Me respekt dhe përkushtim,
Prof. Dr. Ferid Agani
Bashkëthemelues i subjektit politik
“Forca e Re Kombëtare”