Federata serbe planifikon ta zhvillojë ndeshjen Trepça – Crevna Zvezda në Zveçan

Përkundër insistimeve të Federatës së Futbollit të Kosovës se nuk do ta lejojnë zhvillimin e ndeshjeve të organizuara nga Federata Serbe e Futbollit në territorin e Kosovës, Federata Serbe ka planifikuar ta zhvillojë ndeshjen mes klubit serb të Kosovës, Trepçës, dhe Crvena Zvezdas në Zveçan.

Në shortin e hedhur sot për fazën e 1/16 të finales së Kupës së Serbisë, Crvena Zvezdas i ra shorti të luajë me klubin serb nga Kosova, Trepçën, që po merr pjesë në këto gara ilegalisht, shkruan Gazeta Express.

Ndeshja mes këtyre dy klubeve është planifikuar të zhvillohet më 25 shtator në Zveçan të Mitrovicës.

Para tri javësh, Gazeta Express e kishte kontaktuar sekretarin e përgjithshëm të FFK-së për pjesëmarrjen e klubeve serbe të Kosovës në garat e Serbisë dhe Salihu kishte thënë se nëse UEFA nuk e ndalon një gjë të tillë, atëherë në dorë u mbetet autoriteteve në Kosovë të ndërmarrin ndonjë veprim.

“Ne e kemi lajmëruar edhe policinë për këtë gjë. Nëse nuk përgjigjen, atëherë ne besojmë se qeveria nuk do ta lejojë ardhjen e klubeve nga Serbia, pasi që kjo është kundër Kushtetutës së vendit”, kishte thënë Salihu.

UEFA nuk ka reaguar ende ndaj pjesëmarrjes së Trepçës në garat e organizuara nga Federata Serbe, përkundër që kjo është shkelje e rregullave të vetë UEFA-s. /Gazeta Express/

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet