Federata e Karatesë mburret me sukseset e arritura në Kroaci

Federata e Karatesë së Kosovës ka bërë të ditur sukseset e arritura në Kupën Botërore dhe Ligën e të rinjve të mbajtur në Umag të Kroacisë.

Kosova në këto dy gara të zhvilluara në Kroaci ka fituar gjithsej 9 medalje, 3 prej tyre të arta dhe 6 tjera të bronzta.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin sekretari i përgjithshëm i FKK-së Nazmi Gashi dhe selektori i përfaqësueses së Kosovës, Isak Curri, transmeton KosovaPress.

Sekretari i FKK-së Nazmi Gashi në një konferencë për media u shpreh tejet i lumtur me suksesin e arritur dhe pohoi se krejt këto suksese vijnë falë punës së mirë të trajnerëve kosovar në bashkëpunim me selektorin dhe Federatën e Karatesë.

Gashi: Sukses i madh i Kosovës në këto gara

“Patëm një paraqitje shumë të mirë, një prezantim shumë të mirë të shtetit të Kosovës dhe fituam 9 medalje, 6 prej tyre të bronzta dhe 3 të arta. Medaljet e arta vlen të potencohen luftërat shumë të mira të tre medalistëve, te Melos Gashi i cili fitoi 6 luftëra, tek Benjamin Shabani i cili pat një paraqitje brilante dhe një rezultat pozitiv, nga 5 luftërat e fituara, Shabani lëshoi vetëm një pikë prej 28 të fituarave, si dhe Denisa Shabani e cila fitoi në kategorinë U12 në +40 kilogram. Vlen të ceket se përfaqësuesja e Kosovës atje kur u nis, u nis me probleme financiare si zakonisht, kishim vonesë në pagesa. Ndërsa kjo garë u realizua me ndihmën e kryetarit të Federatës, donatërove dhe shokëve tanë, ndërsa sukseset ishin shumë të mëdha”, tha Gashi.

Ndërsa selektori i Përfaqësueses së Kosovës, Isak Curri tha se Kosova me sukseset e arritura në këto gara është renditur një ndër 5 shtetet më të suksesshme në këtë garë, dhe nëse vazhdojnë kështu, Kosova mund të renditet edhe më lartë në gara të ndryshme ndërkombëtare.

Curri: Shpresoj që suksesi i Kosovës të vazhdoj

“Sportistët tanë treguan se kanë punuar në këtë fillim vit mjaftë shumë së bashku me trajnerët e tyre dhe ne si Federatë kemi bërë të mundshme që sportistët tanë të kaliten dhe të përgatiten edhe psiqikisht edhe fizikisht dhe ti njohin rregullat e luftës në arenën ndërkombëtare, për arsye se shumica e këtyre sportistëve vetëm tani janë nivelizuar apo kanë filluar të nivelizohen me garuesit e tjerë të nivelit botëror, për arsye se këta më pak kanë kësi lloj garash, ku dihet se konkurrenca në nivelin Ballkani nuk është edhe aq sa është në nivelin evropian edhe botëror”, u shpreh Curri.

I stolisuri me medaljen e artë në Kupën Botërore, Benjamin Shabani tha se në kategorinë -75 kilogram te grupmosha U21, garën e ka bërë të veçantë fakti se kanë marrë pjesë shumë medalistë të kampionateve Botërore, të cilët i ka mposhtur dhe në fund ka arritur ta fitojë edhe medaljen e artë.

Shabani: Suksesi më i madh për mua ndonjëherë

“Kjo garë ka qenë një prej garave më të forta dhe një prej garave më të suksesshme të mija. Këtë garë e bënë të veçantë pasi që në këtë garë kanë marrë pjesë medalistat evropianë, botëror po ashtu ka pasur edhe medalista olimpik për të rinj. Kjo garë më ka bë të ndihem shumë mirë pasi që forma ime është ngritur lart”, tha Shabani.

Ndërkaq edhe medalistja tjetër e artë, Denisa Shabani u shpreh tejet e lumtur me suksesin e arritur në Umag, ajo shtoi se me përgatitje tjera të cilët do t’i bëjnë së bashku me trajnerë, sukseset në të ardhmen nuk do të mungojnë.

Shabani: Medalja e artë ishte një sukses i pa përshkueshëm

“Kur kam shkuar në Umag mosha U12 ka pasur që të marrë pjesë patjetër në një kamp, i cili ka zgjatur tre ditë. Më pas është mbajtur edhe gara e cila ka qenë më e rëndësishmja për mua dhe e vlerësoj shumë. Kur e kam arritur këtë rezultat jam ndjerë shumë e gëzueshme, nuk di se si ta përshkruaj atë ndjenjë”, u shpreh ajo.

Në Kupën e Botës kanë marrë pjesë 1206 garues nga 69 shtete, ndërsa në ligën e të rinjve kanë marrë pjesë 2578 garues nga 70 shtete.

Kujtojmë që në ditën e parë në këto gara u akredituan nga Federata Botërore e Karatesë 16 trajnerë të klubeve kosovare.

Federata e Karatesë së Kosovës tashmë ka filluar përgatitjet për Kampionatin Botëror të Karatesë, i cili do të mbahet në fund të muajit tetor, ku karateistët synojnë suksese të mëdha.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet