FC Ottoman, klubi i cili bën që fëmijët ta duan futbollin në Shkup

Themeluesi dhe trajneri i klubit amator të futbollit FC Ottoman, Rexhep Sulejmani tha se vendimin për të themeluar klubin e kanë marrë pas konsultimit me pronarin e fushës së futbollit dhe me disa prindër.

Klubi futbollistik “FC Ottoman” i themeluar në Shkup dhe në të cilin luajnë fëmijë shqiptarë, turq dhe boshnjakë, bën që fëmijët e lagjes ta duan futbollin.

Themeluesi dhe trajneri i klubit amator të futbollit FC Ottoman, Rexhep Sulejmani, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se vendimin për të themeluar klubin e kanë marrë pas konsultimit me pronarin e fushës së futbollit dhe me disa prindër.

Në fillim, sipas tij, kanë filluar me disa fëmijë të moshave shumë të vogla dhe se me kohë numri i fëmijëve është rritur. “Është një e mirë që nuk ka fëmijë vetëm fëmijë shqiptarë, por këtu ka edhe të nacionalitetit turk dhe boshnjak. Me diskutimin e prindërve arritëm që t’ia gjejmë një emër klubit që të jetë për të gjithë. E caktuam që emri të jetë FC Ottoman”, u shpreh Sulejmani.

Ai u shpreh se ndjehet i privilegjuar për shkak të emrit të klubit. “Duke e ditur bashkëpunimin që shteti ynë e ka me shtetin turk, e kemi parë të arsyeshme që ta emërojmë klubin FC Ottoman”, tha ai.

Më tej Sulejmani tregon se ka vërrejtur se fëmijët e lagjes kalojnë shumë kohë nëpër rrugë dhe me iniciativën e pronarit të fushës së futbollit para 3 vitesh kanë formuar klubin ndërsa tani në 3 gjenerata luajnë futboll mes 40-50 fëmijë.

Sulejmani tha se gjithashtu kanë licencë nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) janë pezulluar ndeshjet, por se luajnë ndeshje miqësore.

Trajneri i ri theksoi se për një kohë të shkurtër kanë marrë pjesë në 3-4 turne, prej të cilëve në dy kanë fituar vendin e parë.

Ai tha se puna me fëmijët ka dhënë fryte.

“Është një arritje e madhe, ka 3-4 muaj ku kemi zhvilluar ndeshje miqësore me klubin e Vardarit. Vardari ka marrë 3 lojtarë prej klubit tonë. Kjo është një arritje e imja, e fëmijëve dhe e gjithë klubit”, tha Sulejmani.

Ai potencon se detyrën e trajnerit të klubit e zhvillon së bashku me babain e tij, ndërsa falënderoi pronarin e fushës që ua ka dhënë pa pagesë 4-5 muajt e parë për shfrytëzim dhe të gjithë sponsorët që u kanë ndihmuar.

“Është një stimul për vetë futbollistët për ta përfaqësuar këtë emër me dinjitet”

Ndërsa Adnan Ademi, babai i dy fëmijëve 8 dhe 10-vjeçarë që janë pjesë e klubit “FC Ottoman” shprehu kënaqësinë nga stërvitjet e zhvilluara.

Ademi tha se që nga themelimi janë duke e ndjekur klubin. “Sikur që e shoh kemi shumë talentë, çdo ditë tregojnë aftësitë e tyre”, tha ai.

Në lidhje me emrin e klubit “FC Ottoman” ai tregon se i asocon në Perandorinë Osmane duke vazhduar: “Si Perandori Osmane aq gjigante është edhe një stimul për vetë futbollistët për ta përfaqësuar këtë emër me dinjitet”.

Dikush do të luajë për Beşiktaşin dikush për Real Madridin

Kadir Kurtish, 12-vjeçari pjesë e klubit FC Ottoman tha se vazhdojnë trajnimet.

Ai thotë se kur të rritet dëshiron të luaj për klubin e Superligës Turke të Futbollit, Beşiktaş. “Fakti që emri i klubit është Ottoman neve na bën krenar dhe në ndeshje jemi më të mirë dhe krenarë”, tha Kurtish.

Ndërkaq, 11-vjeçari Betim Sadiki thotë se që 3 vite është pjesë e FC Ottoman dhe se kalon shumë kohë të mirë me shokët.

Sadiki shpjegon se vitin e kaluar është zgjedhur futbollisti më i mirë i një turneu. “Unë kur të rritem dua të jem futbollist i Real Madridit. Mbrojtës si Sergio Ramos”, u shpreh Sadiki.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet