Fatmir Haxholli: Blerja e kohës është në funksion të amortizimit të rezultatit të pakënaqshëm të PAN-it e LAA-së

Fatmir Haxholli ka përfunduar studimet Bachelor në Shkenca Politike në Prishtinë dhe Magjistraturën në Mbretëri të Bashkuar. Haxholli ka një përvojë të gjatë profesionale në projekte të organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Ka qenë bashkëpunëtor i disa organizatave të shoqërisë civile vendore në projekte hulumtuese dhe trajnuese. Po ashtu në kapacitetin e këshilltarit politik, ka qenë i angazhuar edhe në Qeverinë e Kosovës. Me njohuritë dhe përvojën e gjerë mbi partitë politike dhe zhvillimet institucionale, ai vijon t’i kontribuoj informimit dhe krijimit të opinionit publik. Fatmiri shquhet për guxim intelektual si dhe në eksplorimin e diskurseve jo konformiste publike.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai ka folur për bllokadën e krijuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, respektivisht për zgjedhjen e institucioneve të reja, mundësitë e koalicioneve të reja, ndikimin e zgjedhjeve lokale në formimin e institucioneve, partneritetin e bashkëpunimin mes koalicionit LAA dhe Lëvizjes Vetëvendosje si dhe mundësit e ripërsëritjes së ikjeve masive të qytetarëve të Kosovës.

Për sa i përket bashkëpunimit mes LAA-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje Haxholli thotë se “për aq kohë sa PAN-i nuk e pranon hapur dhe zyrtarisht që nuk mund t’i bëjë numrat, bashkëpunimi mes LAA-së dhe LVV-së qëndron mbi një platformë të rrëshqitshme dhe diçka e tipit ‘under construction’, punë e papërfunduar.”

GeR: Z. Haxholli, ka kaluar gati një muaj nga tre gushti, prej kur ishte caktuar data e seancës së konstituimit të institucioneve të vendit, e ku patëm gjashtë vazhdime të këtyre seancave por të gjitha të pa suksesshme. Sipas jush, cili është thelbi i problemit i kësaj situate politike e institucionale?

Haxholli: Shihet se rezultati i zgjedhjeve nuk i lejon asnjërit formacion politik një ecje të shpejtë në krijimin e institucioneve dhe po ky rezultat e bënë të vështirë bashkëpunimin mes tyre. Krijimi i PAN-it dhe i LAA-së, si investim i kapitalit politik nga partitë e vogla e të mëdha, ishte projektuar të krijonte një situatë të pastër të fitores, në funksion të arritjes së pushtetit nga ana e tyre. Nuk ndodhi kjo, rezultati nxori PAN-in dhe LAA-në me ulëse të pamjaftueshme brenda Kuvendit, të nevojshme për të formuar institucionet. Kjo ka qenë një lloj goditje psikologjike për lidershipin e partive të mëdha, të cilat u gjetën të befasuara me këtë rezultat. E befasuar pozitivisht ishte edhe LVV-ja. Asnjëri formacion nuk po arrin të marrë situatën nën kontroll. Në këtë kuadër, luhatjet politike në rrugën e krijimit të institucioneve, janë një lloj blerje e kohës në funksion të amortizimit të efekteve negative të rezultatit të pakënaqshëm të zgjedhjeve nga PAN-i dhe LAA-ja. Si rregull, në mungesë të bashkëpunimit mes rivalëve të mëdhenj, kryesisht, janë partitë e vogla ato që e kanë më të lehtë përfshirjen në koalicione paszgjedhore, por tani këto parti të vogla janë statike dhe të barrikaduara duke qenë brenda koalicioneve PAN dhe LAA. Pavarësisht, edhe sikur të mos kishim këtë pasqyrë të skenës politike, vet procesi i formimit të një bashkëpunimit politik ndër-partiak në funksion të krijimit të institucioneve dhe qeverisjes mund të marrë kohë. Sidoqoftë, ajo çfarë e bënë shumë problematike kohën në sy të qytetarëve, është mungesa e transparencës, respektivisht ekzistimi i përshtypjes se koha po keqpërdoret nga të gjitha grupacionet politike.

GeR: Siç e dini, pas gjashtë seancave konstitutive, koalicioni i subjekteve politike PDK, AAK, Nisma, i cili edhe e ka të drejtën kushtetuese ta jap kandidatin për kryetar të kuvendit, kërkoi kohë shtesë për këtë çështje. Çfarë mund të bëjë ky koalicion me këtë kohë të kërkuar?

Haxholli: Është e pritshme që LVV-ja si parti politike e cila nuk garoi në ndonjë koalicion, të presë thyerjen e koalicionit PAN. Në anën tjetër, koalicioni PAN pret thyerjen e koalicionit LAA. Koalicioni LAA pret zbutjen e LVV-së dhe dorëzimin e koalicionit PAN. PAN-i po teston durimin dhe qëndrueshmërinë e LAA-së dhe LVV-së, dhe në kuadër të kësaj kohe po angazhohet në arritjen e ulëseve të nevojshme. Duket sikur kohë e humbur, ama është kohë kalkulimesh!

GeR: Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli e dyta si parti me ulëse të siguruara në Kuvendin e Kosovës, është duke i kërkuar koalicionit në mes të subjekteve politike LDK, AKR, Alternativa bashkëpunim. Si e vlerësoni ju mundësin e bashkëpunimit mes tyre?

Haxholli: Bashkëpunimi do të ishte më i mundshëm në rast se PAN-i do të pranonte që nuk mund t’i bëjë numrat dhe për rrjedhojë të shfaqte gatishmërinë që të hapë krahun për qeverisje nga LVV-ja dhe LAA-ja. Sidoqoftë, ne kemi parë deputetë brenda LAA-së, madje edhe brenda PAN-it, që flasin për situata hipotetike, të tipit, e votojë një personalitet por nuk do ta votojë tjetrin. Kjo ka krijuar një paqartësi dhe pasiguri e cila ende nuk ka marrë një epilog përfundimtar. Madje edhe nga ana e LVV-së kemi parë deklarata që i referohen koalicionit PAN, që të propozojë kandidaturë tjetër nga ajo që pritet të propozohet prej tyre për kryeparlamentar. Prandaj për aq kohë sa PAN-i nuk e pranon hapur dhe zyrtarisht që nuk mund t’i bëjë numrat, bashkëpunimi mes LAA-së dhe LVV-së qëndron mbi një platformë të rrëshqitshme dhe diçka e tipit ‘under construction’, punë e papërfunduar. Në funksion të qeverisjes bashkëpunimi duhet të prodhoj rezultat dhe të përmbyllet me marrëveshje, në të kundërtën e gjitha mbetet një dëshirë. Pra, bashkëpunimi mes tyre nuk përjashtohet, edhe pse është ekstremisht i vështirë. Dëshira ka gjithandej.

GeR: Brenda koalicionit LDK,AKR,Alternativa ka disa mos-përputhje në deklarimet e liderëve të tyre sa i përket stabilitetit të këtij grupacioni politik. Kreu i LDK-së Isa Mustafa, tha se, koalicioni është i fortë si në ditën e parë, kreu i AKR-së tha se në LDK janë sjellur keq me mua, kurse Kusari-Lila nga Alternativa, kujtoi se mos-koordinimi me LDK për zgjedhjet lokale dëmton kredibilitetin e koalicionit. Pse gjithë këto kontradikta mes krerëve të koalicionit LAA?

Haxholli: Pjesërisht janë për faktin që partneriteti në kuadër të LAA-së duket se nuk është mirëmbajtur sa e si duhet, dhe pjesërisht kjo mund të ketë të bëjë edhe me pritjet që ky bashkëpunim të shënojë nivele tjera e të thellohet, veçmas në funksion të krijimit të institucioneve dhe në garën e partive në zgjedhjet lokale. Në këtë pikë, nuk duhet të befasohemi që AKR dhe Alternativa të kërkojnë të ruajnë pozicionin e tyre në marrëdhënie me LDK-në dhe lidhje me zhvillimet politike. I takon LDK-së si partneri i madh në kuadër të LAA-së të dijë të trajtojë dhe t’i sanojë këto mos-përputhje.

GeR: Diplomat të Brukselit këto ditë ka thënë se zhvillimet e fundit politike në vend mund të prodhojnë përsëritje të ikjeve masive të qytetarëve, sikurse ato të dhjetorit të 2014. A mund të përjetojë vendi edhe një situatë të tillë?

Haxholli: Çfarëdo jo stabiliteti ndikon në rritjen e zhgënjimit tek qytetarët mund të bëjë që disa prej tyre të konsiderojë ikjen nga vendi. Sidoqoftë shpërthimet sikur ajo e vitit 2014 kërkojnë një cikël më të gjatë kohor të zhvillimit të pakënaqësive, mbase cikël 10 vjeçar. Pra ajo situatë nuk mund të përsëritet, por mund të ndikojë në ndryshimin e trendit të migrimit, për çka vendet perëndimore e shohin me shqetësim dhe nuk ju konvenon.

GeR: Dhe për fund, a mendoni se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare mund të reflektoj në zgjedhjet e nivelit lokale të cilat do të mbahen me 22 tetor?

Haxholli: Ajo çfarë po shohim është ndikimi i zgjedhjeve lokale si një nga faktorët në (mos)krijimin e institucioneve, në këtë drejtim ekziston një lidhje e fortë kazualiteti mes zhvillimeve aktuale dhe asaj çfarë do të shohim në zgjedhje lokale. Ato parti apo formacione të cilat tregohen jo korrekte ndaj votuesve, publikut dhe qytetarëve në këtë proces të krijimit të institucioneve, përfshirë këtu edhe jo korrektësinë në raportet mes subjekteve politike, do të përballen me një goditje të fortë nga sovrani në kutitë e votimit në tetor. Sovrani po pret radhën e vet, dhe sovrani nuk merret me lojëra!/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
INTERVISTA JAVORELajmet Kryesore

Të ngjajshmet