Fatlum Sadiku: Të jesh top-lajm botëror nuk të nxjerr nga llumi

Fatlum Sadiku është lindur në Mitrovicë në fundverën e 1987-tës. Biografia e tij thotë që qe banor i atij qyteti deri më 1999/2000. E pas vitit 2000, pra pas luftës, për t’u shndërruar njëkohësisht në banor dhe refugjat i të njëjtit qytet. Ai është politikolog, studiues i historisë dhe lexues pasionant i filozofisë. Banues në Stamboll për kohën 2012-2016. Bergosnian në të ndjerit e jetës, spinozian në të konfirmuarit se si rrjedhë jeta jashtë meje. I mishëruar edhe me letërsinë e Çehovit dhe kinematografinë e Nuri Bilge Ceylanit. Paksa i tërhequr nga zhurma publike, jeton me prindërit në Vushtrri.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re Sadikun e gjejmë si një vëzhgues symprehtë të fenomeneve politike, sociale e kulturore në vend. Apatia kolektive, përkatësisht topitja e shoqërisë, sipas tij, megjithatë ka një zgjedhje.

GER: Z. Sadiku, muaj më parë dolët i vetëm për t’i shlyer disa grafite nëpër muret e Prishtinës, ku figuronte emri i Oliver Ivanoviqit. Duke marrë shkas nga kjo, a mund të flasim për një kujtesë të shkurtër kolektive? A e kemi harruar të kaluarën dhe pse?

Sadiku: Reagimi erdhi jo vetëm nga prekja në varrën e pambyllur akoma, por edhe si akuzë ndaj ideologjisë në formën më puriste të saj: rehabilimit të kriminelëve në krejt këtë pasluftë, vetëm për faktin se kthehen në të dëgjueshëm, e ndër ta edhe ndaj rehabilitimit të tij (qe do kur kjo nisë me vetë kreun e shtetit serb). Po ua tregoj një “heqajë” groteske me të. E lut një shqiptar, një mik tonin në veri aty diku pas shkurtit 2000: “Ibrahim bre a shkojmë e lajmërohemi tek ky, sepse po duket më liberal”. Miku ynë, axha Ibrahim ia kthen: “unë po i kaloj edhe do ditë gjallë bash në saje që ai s’po e di që jam qitu, e leje ma me shku me ju lajmërue që jam ktu!”.  Mitrovica mund t’i ketë qytetarët më apolitikë e më apatikë në vend, por nuk janë krejt peshq sa të mos e njohin një njeri që kalon gjysmëshekulli në qytet. Ai ka ekzekutuar shqiptarë në prillin e 99-tës në Rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë. Në të 90-tat iu ka shpërndarë serbëve armë në palestrën sportive. Kah fundi i 80-tave së bashku me vëllanë e tij për pak sa nuk e kanë shndërruar palestrën në arenë luftë vetëm pse vëllai i tij po e humbiste duelin e karatesë me një shqiptar me mbiemër Vitaku. Në ngjarjet e vitit 2000 mund të mos ketë ngrehur gisht, por shihni se ç’thotë në intervistën e tij për Nytimes më 10 shkurt 2000: ”Very bad things happened. I cannot support that, but just ask that you understand it. I was feeling very angry too that night.”  (‘Kanë ndodhur gjëra shumë të këqija. Nuk mund ta mbështes atë që ka ndodhur, por kërkoj nga ju ta kuptoni. Edhe vetë isha shumë i zemëruar atë natë’. https://www.nytimes.com/2000/02/10/world/serbs-nurse-rage-after-attack-in-kosovo-city.html). Unë ditën e 4 shkurtit 2000 jam zgjuar me lajmin se shoqja ime e klasës Mina ka parë deri në mëngjes zorrët e nënës së saj në tokë, kurse erifi i apostrofuar, kërkon mirëkuptim. Gjykoni vetë se kujt i mbanë qeveria jonë 1 minutë heshtjeje!

E sa i përket kujtesës së shkurtër kolektive, natyrisht se një populli të pjesëtuar në biologji e së këndejmi në mbijetesë, e kaluara me krejt peshën e saj të poshtërimit i ikën si zalli ndër gishta!

 GER: Kur jemi te e kaluara, përkatësisht historia, ju bëni pjesë në atë rrymën e zërave kritikë të cilët vijojnë të konstatojnë se historiografia shqiptare ka ngecur një shekull prapa. Në artikullin: “Çfarë duhet ditur kur shkruhet historia”, ju rendisnit disa kritere, të cilat do të duhej t’i plotësonte secili apo secila që i futet kësaj “ndërmarrjeje” – shkrimit të historisë, pyetja është: a sheh te brezat e rijnë të studiuesve, personalitete që i plotësojnë këto kritere?


Sadiku:
Historiografia tek ne akoma s’përjetohet e s’mendohet as si urti përafrimi e lëre më shkencë. Së paku jo nga 98% e atyre që i rreken. Këta janë të predisponuar që as si alkimi të mos e lënë. Shqiptari gjakon me mendimin se historia i përket atij, e jo ai historisë. Atë e sheh si zgjatim heroizmi, folklori e arme të barrikadimit, jo si studim. Shqiptari vuan ta gëzojë historinë dhe të ngazëllehet me të, jo ta studiojë atë. Ta gëzojë si posedim, dhe të ngazëllehet me rrena e sajesa. E megjithatë sikurse edhe tek mendësitë homologe (serbe, maqedone etj.) historia/historiografia edhe tek ne shërben si dehje nga pesha tonelatëshe e halleve të përditshmërisë. Është aq e davaritur sa që shqiptari me të vret kohën. Kjo sepse siç edhe thotë një aforizëm: “E ardhmja gjithmonë mbetet e hapur. Ajo që ndryshon vazhdimisht është e kaluara”. Shqiptari i nemitur gjen strehë tek e kaluara, gjen derman në një kohë të shpikur kur paskemi qenë njëkohësisht edhe të mirë, edhe të zotë, edhe të shtypur. Sa idiote po aq shpifëse, meqë diktohet gjithnjë nga hegjemonia globale në fuqi: dje Bashkimi Sovjetike komunizmi, sot SHBA-të e BE-ja/kapitalizmi. E mbi të gjitha është krejtësisht idiote të besosh se asnjëherë s’pati shqiptarë të këqij. Kujtoni Iljasa Baznën alias Ciceronin që u zbuloi gjermanëve planin e zbarkimit në Normandi. Mendojmë se në Evropë nuk e ditkan këtë? (nuk po them se na hakmerren për këtë tani, por po them se s’janë idiotë të mos e dinë). Për sa i përket studiuesve shoh pak studiues shpresëdhënës. Njoh vetëm dy përjashtime në Kosovë: Shasivar Kabashin dhe Durim Abdullahun. Mund të ketë edhe tjerë, por këta të dy i njoh nga afër.

GER: Ta shmangim të kaluarën për një çast… Pse jeni disi skeptik kur konstatoni se: “Nuk ka me pas revoltë në këtë ven me vjet. Asht nji ripërsëritje e periudhës 1991-1997, veçse tash në version konsumerist”?

Sadiku: Sepse është kob i një shoqërie provinciale, që as shoqëri nuk është. Aty ku aktiviteti njerëzor diktohet nga familja e jo e anasjelltas, ku vetë ekonomia është njëfarë ojkosi familjar e farefisnor, aty s’ka shoqëri, por bashkësi kooperative. Është tjetër gjë që si provincë kemi rastisur të jemi kontest politik të paktën qe një shekull. Politika për-se i ikën sociologjisë meqë rrjedhë shpejt, dhe në martesë me median (e që tek ne është kthyer në oligopol të kapur nga dy-tre kanalë televizivë) prodhon edhe diskurs të shpejtë. Kjo pastaj krijon njëfarë dinamizmi të rrejshëm diktuar edhe nga mosha e re e popullatës, saqë të bën të besosh se po ndodhin gjëra të mëdha. Në fakt nuk ndodh asgjë, dhe edhe ato pak përpjekje për të prodhuar diçka, lihen në theqafjen e vetë-preokupimit. I varfëri mirëmbahet si i vjedhur teksa i epet lëmoshë. Vetëm krahasojeni rrugëtimin sizifik të Vetëvendosjes, përballë armës së lëmoshës që po trason e shtrin Halil Kastrati dhe do e gjeni përgjigjen. Dinamizmi i energjive tek ne, në fund të ditës del të jetë më shumë dinamizëm energjish të çuara kot. Pak ose fare gjen dinamizëm veprimesh, përballjesh a qëllimesh të mbarështuara. “Ky popull do që të përvidhet, jo të përballet”, pati thënë njëherë miku im Roland Gjoni. Të jesh top-lajm botëror nuk të nxjerr nga llumi. Ka qenë edhe Ruanda, kemi qenë edhe ne. E as të jesh kontest politik, jo. Kontest politik ka ditur të jenë edhe Alaska me pinguinë. Me një shtet të pjesëtuar veçse në ndjenjën e kontestit politik, me një politikë pa ekonomi e të pjesëtuar në politikë të jashtme, me një politikë të jashtme të pjesëtuar veçse në negocim të pamenduar e jotransparent, me një negocim të pjesëtuar veçse në një njeri pa mandat e shkelës, vendi po topitet përditë e më shumë. Si i tillë njeriu mesatar bën atë që di më së miri: konsumon.

GER: Kush, sipas teje, do ta zgjonte shoqërinë nga letargjia? A sheh në skenën politike një entitet politik që mund ta këndellë këtë shoqëri? Apo ai entitet i mungon skenës?

Sadiku: Askush tjetër pos studentëve. Ata kanë qenë, janë, dhe duhen të jenë gjeneratori i zgjimit. Pjesa tjetër ose jeton prej militantizmit partiak ose gjallon përreth saj sa për një kacidhe, kurse as që merr erë nga emancipimi. Entitet politik me potencial emancipues ngelet Vetëvendosja, por vetëm për aq sa i rri afër lidhjes me studentin.  Vetëvendosja duhet ta kuptojë që nuk ka resurse për t’u thirrur në kryengritjen e UÇK-së, ani që ka hise në idenë e saj. Por ne nuk duam t’ia dimë idesë a idealit.  Kryengritja e UÇK-së u sabotua nga po i njëjti popull letargjik e i varfër, kurse Vetëvendosja flet se si prijësit e saj paskan shkelur principet e se si qenkan tjetërsuar, thua se një popull i tërë po rri gatitur ta dënojë këtë gjë. Ore ky popull e ka sabotuar edhe si veprim, e lëre më si ide. Pos kësaj, janë minimum katër parti që të ngopin diskurs të UÇK-së teksa kujtesa jonë kolektive sado e vagët të jetë, nuk tradhton të paktën kur flet me vetën. Shihni parodinë me veteranët. Thirrja në UÇK sot është gjëja më e konsumuar e mundshme për secilën mendje të shëndoshë. E diskurset e konsumuara nuk garantojnë të ardhme, meqë eterin e kanë shterp. Si mundet që VV ta bindë mesatarin kosovar se paska pasur një UÇK idilike, pjesëtarët e së cilës po të ishin gjallë nuk do të vidhnin, nuk do t’i iknin përgjegjësisë, e do të punonin për të mirën e gjithëmbarshme? Të tillë mbase janë dëshmorët, por këta të gjallët jo. Nëse na qenka ndryshe, atëherë ku janë ata? Kush janë ata? Këtu bën përjashtim thirrja në dëmet e luftës, meqë për to drejtësia nuk u çua në vend. Edhe një gjë: Vetëvendosja tashmë po ndjen se sa e pafuqishme është përballë formacionit të mujshisë farefisnore. Ndaj edhe ndodhet në një pikë tejet delikate, të pajtohet me farefisninë si fakt apo ta sfidojë atë në mos luftimit. Nëse ngjan e para, nuk ka shumë shpresë.

GER: Megjithatë, nga disa entuziastë është quajtur shekulli i shqiptarëve, cili është mendimi yt për këtë? Sa larg qëndrojmë për sa u përket ndërtimit të standardeve të dëshirueshme demokratike?

Sadiku: Shqiptarët janë më me fat se kurdët politikisht, por jetojnë shumë më keq se maqedonët. Megjithëkëtë vetëm në mijëvjeçarin e ri ne po shohim se deri në ç’pikë humbet shpresa e morali kur shqiptari vije në kontakt me paranë sikur kurrë më parë në jetë. Si i tillë shqiptari nuk përton që për çdo mëngjes ta përjetësojë poezinë e Ali Asllanit, ani që mund të mos ketë dëgjuar për të. Demokracia tek ne eliminohet që në raundin e parë sepse provinca nuk ofron përfaqësim por zgjatim. Shqiptari mbjell shpresë ose zhgënjehet në pjesëtarin-zgjatim, e nuk kërkon përgjegjësi a zgjidhje nga politikani i përfaqësuar. Në fakt nuk beson fare në diç të tillë. Nuk kam as fjalë që të mund ta përshkruaj se sa e kontaminuar dhe vulgare është politika shqiptare përgjithësisht.

GER: A e shihni veten si pjesë të ndonjë partie politike?

 Sadiku: Njëherë për njëherë nuk mundem.

GER: Për fund, njiheni si një lexues i përkushtuar, a mund të na tregoni çka jeni duke shfletuar këto ditë?

Sadiku: I jam rikthyer Spinozës. Jeta e tij, mbase më shumë se vetë filozofia e tij, ka qenë gjithnjë goxha mbresëlënëse në mua. Latues lentash, banor pasionesh, refuzues ofiqesh, njeri që u tradhtua nga Lajbnici aristokrat e sqimatar…njeri i besatuar me lirinë dhe pavarësinë personale. Unë as s’kërkoj më tepër! Në fakt vazhdimisht më ndodh që krahas një libri të lexoj edhe tjerë libra. Po merresha edhe me Weilin e përkthyer tash së fundmi, dhe po i jap drejtë Kamysë që veprën e saj e quan më madhështoren e shek. XX./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet