Farizi: Një letërsi e mirë, nuk bëhet nga përkatësia nacionale e autorëve, por nga vlerat estetike, stilistike etj, që reflektojnë veprat e tyre

Profesori i letërsisë Arlind Farizi, është tashmë një zë i njohur për lexuesit shqiptarë. Autori i disa veprave zhanresh të ndryshme, ka filluar të shndërrohet në një ndër autoritetet kritike e studimore, mbi veprat letrare të botuara, anekënd hapësirave shqiptare.

 Ka doktoruar në Universitetin e Tiranës, ku për objekt studimi kishte veprën e Ismail Kadare-së, përkatësisht: tipologjinë e personazheve të autorit të mirënjohur botërisht. Dr. Farizi, aktualisht jep disa lëndë në Universitetin e Tetovës, qytet ky kulturor në të cilin jeton dhe vepron.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, ai ka reflektuar mbi problemet kulturore me të cilat ballafaqohet bota shqiptare. Më saktësisht, ka folur për natyrën e roleve, me të cilat vet është mishëruar: si shkrimtar por edhe profesor letërsie, pastaj për mungesën e kritikëve letrarë, raportin e shkrimit dhe politikës etj.

GER: Z. Farizi, le ta fillojmë këtë intervistë me një pyetje më përgjithësuese. Ju përveç që ligjëroni rreth letërsisë, atë edhe e kultivoni… ç’diferencë ka ndërmjet këtyre roleve?

 A.Farizi: Aktualisht jam pedagog letërsie në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Filologjisë, programi studimor – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Lëndët  të cilat i ligjëroj, para së gjithash, janë lëndë të i cilat i njoh dhe i kam pasion, përgjegjësi dhe objekt studimi. Lënda e parë dhe e rëndësishme për studimet e letërsisë është Teoria e Letërsisë, Letërsia e Evropës Juglindore – lëndë e cila krijon një lloj kulture të refuzimit estetik te studentët, me autorët e letërsive të shteteve ballkanike. Një letërsi e cila vjen në shqip e përkthyer e lexuar dhe e studiuar. Lënda në fjalë, është shumë e rëndësishme për studentët, sepse krijon hapësira tjera mendimi për tjetrin, të ndryshmin nga ne, të pranohet letërsia e tjetrit, njohjen e ndërsjella, përkthimet e dyanshme. Autorët si: Mesa Selimovic, Izet Sarajlic, Jevrem Berkoviq, Seferisi, Niko Kazanzakisi, Danilo Kishi, Miroslav Kërlezha, etj, kanë shkruar kryevepra të letërsisë së Evropës Juglindore. Në këtë letërsi nuk duhet hyrë me thikë, me shpatë ose me tanke… duhet ndërruar dioptria e vjetruar më të cilën kemi shikuar imazhin e tjetrit si pushtues, barbar. Të mos trishtohen nga mbiemrat tipik sllav, sepse një letërsi e mirë, nuk bëhet nga përkatësia nacionale e autorëve, por nga vlera sublime, vlera estetike, vlera stilistike etj, që reflektojnë veprat që e reprezentojnë atë letërsi. Lënda tjetër, për të cilën dhe kam doktoruar dhe jam me fat të rrallë që e ligjëroj, është: Një autor – Ismail Kadare. Në vitin 2016 kam doktoruar në Universitetin e Tiranës për tipologjinë e personazheve të Kadaresë. Them se njoh Kadarenë në fushën e personazhit. Të ligjërosh për të, do të thotë të kesh më shumë studentë, më shumë bebëza të zmadhuara dhe kureshtare për të rrokur njohje të reja lidhur me romanet e tij. Studentët e duan dhe e ndjekin, si një ndër të rrallët autor shqiptar, për çdo risi që ai sjell përpara tyre.

Ligjërimi vs Shkrimi i letërsisë. Këtu do doja të them se arti i leximit dhe arti i shkrimit janë binjak – si koncepte. Unë shkruaj edhe si pasojë e leximeve. Shkrimi është përvojë leximesh të mira, të një terapie të marrë herët nga mësues e mirë të letërsisë, madje që nga bankat e shkollës së mesme. Një mësuesi i mirë letërsie i cili pos rolit fisnik të tij, ndikon dhe rekomandon te nxënësi e tij emra dhe vepra autorësh të cilët duhet lexuar. Dikur lexoja Rusoin, Kafkën, Kamynë, Ridvan Dibrën, Kadarenë, Kongolin, Zhitin, të cilët i shijova që herët si kajmak i letërsisë, pikërisht falë mësuesit tim, tash një ndër emrat më të njohur të kritikës letrare shqiptare – Fatmir Sulejmanit. Leximin dhe shkrimin e letërsisë, si mjeshtri të njohura, i lehtëson dhe kontakti me shkrimtarë. Ai kontakti real i mundësisë për t’i takuar dhe pirë kafe me ta. Mbaj mend takimet me Murat Isakun, poetin dhe romansierin pa të cilin nuk mund të ligjërohet letërsia bashkëkohore shqipe. Kam mësuar poezinë prej poeteve si Salajdin Salihu dhe Lulëzim Haziri, por edhe nga poetet e njohura si Linditë Ahmeti dhe Vjollcë Berisha. Tetova ka qenë dhe mbetët një qendër e rëndësishme kulturore. Vlerat e dala pikërisht nga autorë të Tetovës, janë emra të verifikuar të panoramës së letërsisë shqipe përtej relievit të thyer keq të shteteve tona shqiptare.

 GER: Kushdo që i njeh nga afër zhvillimet kulturore në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, e di mirë që prodhimtaria letrare – nëse mund ta quajmë kështu, nuk është se përcillet sa duhet dhe si duhet nga media, pse?

 A.Farizi: Media tona përcjellin gjithçka dhe asgjë. Janë skajeve dhe janë në shërbim të masave. Ato enden periferive dhe përfitimeve në emër të klikimeve. Një media serioze duhet t’i ndjek zhvillimet serioze të letërsisë të pranojë rekomandimet e kritikës letrare, të promovojë autorë të rinj, të filtrojë aq sa mundet vlerën dhe antivlerën e servuar si vlerë. Media nuk janë të pagueshme, ato kanë fajin më të madh në stërkeqjen e shijes estetike të masës.

 GER: Ç’mendim keni për kritikën letrare, a është e rrezikuar “specia” e atyre që merren me këtë veprimtari?

 A.Farizi: Kohë e keqe për kritikën letrare.  Klanet e disa kritikëve me thirrjen shkencore dhe punonjës universitetesh bëjnë dëme të pariparueshme dhe kthejnë letërsinë në ishuj moskomunikimesh serioze letrare. Kësisoj harta e letërsisë së përgjithshme e, e shkoqur keq, në atë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Ish Jugosllavisë.  Ja një shembull: një autor si Murat Isaku nuk është pjesë e letërsisë bashkëkohore dhe programet mësimore as në Shqipëri as në Kosovë, ndërkohë që vendet boshe zë Kim Memeti, mik i disa miqve të shumtë, e ekipit të njëmendësisë letrare.

 GER: A kanë të drejtë ata që thonë se, pikërisht mungesa e kritikëve dhe mekanizmave filtrues të tekstit letrar (redaktorëve, recensentëve etj), na solli në dekadat ku shkruhet shumë, por lexohet pak?

 A.Farizi: Po, gjithsesi. Janë shumë faktorë që ndikojnë këtu. Po, më kryesorja është mungesa e recensionimit, filtrimit, gjë që lejon botime pa kritere të mirëfillta botimi, po ashtu bën edhe një dëm më të madh: i humb në grumbullin e krijimeve të çfarëdollojshme edhe autorët e veprat e mirëfillta, sidomos të krijuesve të rinj e të talentuar.

 GER: Nga ato pak vepra, të atyre pak autorëve që arrijnë të çajnë përpara e të njihen edhe nga lexuesit e huaj, a mund të nxjerrim një konkluzion të guximshëm se: tashmë mund të flasim për një estetikë të konsoliduar letrare, koherente me zhvillimet kulturore në botë?

 A.Farizi: Ndonëse shqipja është një gjuhë e vogël në raport me gjuhët e tjera të mëdha që prodhojnë letërsi në botë, ajo, megjithatë, i ka dhënë letrave të botës emra e vepra të rëndësishme që lexohen me kënaqësi dhe kanë zënë vend në vlerat kanonike evropiane, siç është për shembull letërsia e bukur kadareane, ajo Luan Starovës e ndonjë tjetër.

 GER: Sikur ka një mungesë komunikimi ndërmjet brezave të shkrimtarëve?

 A.Farizi: Brezi i vjetër duhet të jetë pak më “bujar” në raport me brezin e ri, sidomos në krijimin e hapësirës për ta, të njohjes me qarqe të ndryshme letrare që ata i dinë tanimë, me rekomandime të nevojshme për hapërimin e të riut në botën e letërsisë, ndërsa të rinjtë nga ana e tyre, duhet të kenë mirënjohjen dhe zemërgjerësinë që t’i bartin në shpinë krijuesit e vjetër mu si alqionët mitologjikë që i mbajnë në shpinë prindërit e tyre.

Çështja e brezave është çështje e vështirë për diskutim në çdo kulturë, ma merr mendja, por duhet investim i dyanshëm që të rezultojë me produksion të mirëfilltë letrar duke e ushqyer shoi-shoqin.

Tani për tani ekzistojnë ca mure absurde që presin të rrënohen, në mënyrë që të nxirret letërsia nga të qenit prodhim mëhallësh, grupesh, profesionesh, miqësish e moshash të caktuara.

 GER: Krejt për fund edhe një pyetje (të cilës zor që do t’i shmangeshim, meqë jetojmë në Ballkan): cili duhet të jetë pozicioni i shkrimtarit karshi zhvillimeve politike?

 A.Farizi: Shkrimtari mund ta marrë temën nga prodhuesja e madhe e temave politika, mund ta gatuajë atë në laboratorin e vet për të krijuar një vepër jopolitike, por kurrsesi s’duhet lejuar të vihet në shërbim të saj. Çdo tentim me vetëdashje apo i imponuar nga jashtë ka rezultuar i dështuar përfundimisht dhe raste të këtilla të vënies së letërsisë në shërbim të ideologjive të ndryshme dhe të dështimit të saj, njohim plot, sidomos në letërsitë e krijuara nën diktaturë. /Gazetaere.cm/

 

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet