Familja Dehari: Mos dorëzimi i raportit të ekspertizës, është vrasja e dytë

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari thotë se pas arritjes së raportit të ekspertizës nga Lozana e Zvicrës, për rastin “Dehari”, janë detyruar që sot të shkojnë tek prokuroria në Prizren, që si familjarë të tij, të kenë një kopje të këtij raporti, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Ne sot kemi qenë në Prizren, kryeprokurori i Prizrenit nuk më ka kthyer përgjigje. Me të marrë lajmin që raporti ka arritur, jam këshilluar që t’i drejtohem këshilltares së kryeprokurorit Merita Gashi. Ajo në mënyrë arrogante më tha ‘nuk e kam numrin’. U detyrova t’i them se mos të thotë që nuk ka numrin… Pas një kohe brenda ditës Merita Gashi më shkruan dhe më thotë se për raportin t’i shkruaj kryeprokurorit në Prizren. Kurrfarë përgjigje nuk ktheu. Sot ishim atje pa termin. Na pranuan brenda dhe na mbajti ligjëratë, që avokati dhe mediat po e politizojnë rastin. Kur i kërkova qe të na jap raportin origjinal, më thanë ‘nuk e kemi’. Njerëzit që i kanë dyert e përlyera dhe e kanë vrarë Astritin mundohen t’ia hedhin fajin dikujt tjetër. Si t’i besoj një kryeprokurori që thotë që nuk e ka një kopje në zyre. Nuk ka normë juridike që e arsyeton. Ne jemi detyruar që të kërkojmë ekspertë të jashtëm, e mira do të ishte të bëhet këtu, por nuk kemi pasur besim”, ka thënë Dehari.

Në një konferencë për media, ai tha se institucionet e rendit ua kanë mohuar ta hapin raportin origjinal, për çka sipas tij ata nuk po duan të jetë transparent procesi dhe ta fshehin.

“Për neve është vrasje e dytë. Vrasja e parë ka ndodhur në nëntor 2016, vrasja e dytë po ndodhë tash”, shtoi ai.

Nëna e Astritit Deharit, Xhemile Dehari tha se me manipulime të tilla, ua kanë humbur besimin ndaj institucioneve të vendit.

“Qysh muj me i besuar Armir Shalës, kryeprokurorit që ai thojke dje ‘këtë raport kena përkthyer me dërguar te familja’. Ne e duam origjinalin. Qysh me ju besuar unë këtyre. Ata tash thonë e kena dërguar në Prishtinë. Qesharake është që për një javë është vonuar raporti me aeroplan. Tash a po duan me qëllim me na shkatërruar”, tha ajo.

Bashkëshortja e Astritit, Arta Dehari tha se është e papranueshme se çfarë po ndodhë gjatë këtyre ditëve.

Kurse, avokati Tomë Gashi edhe një herë ka përsëritur se rasti “Dehari” ka pasur konotacion politik, dhe se për këtë çështje sipas tij edhe është vrarë. Ai thotë se nuk është njoftuar për përmbajtjen e raportit të ekspertizës, së Astrit Deharit, raporton KosovaPress.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet