Falënderime e nderime të veçanta për njerëzit e veçantë

Organizatorët e menduan një plan simbolik në vendosjen e ulëseve. Nga perspektiva e zogut, të ftuarit që u ulën në to, i ngjanin yllit katërcepësh të NATO-s. Personalitete të njohura nga vendi, rajoni e bota, nderuan me prezencën e tyre këtë përvjetor, të cilin Kosova e kujton me dhimbje por edhe me shpresë – shkruan Gazeta e Re.

Ceremonia filloi me intonimin e himnit të Kosovës, e më pas me një minutë heshtje. Pasoi një dokumentar i shkurtër me titull: ‘Për lirinë tonë!’; nëpërmjet të cilit rrëfehej rruga e mundimshme e kosovarëve drejt lirisë.

Në fjalimin e tij hapës, Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, ishte gjithë mirënjohje për ata që i kontribuuan çlirimit:

“Dua qysh në fillim t’i uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse 12 qershori i vitit 1999-të, është ditëlindja e lirisë së Kosovës. Secili nga ne që jetojmë në Kosovë, por edhe shumë të tjerë që jetojnë kudo në botë, e kemi ditën kur u lindëm si njerëz. Por, 12 qershori është datë që na bashkon të gjithëve si qytetarë të Kosovës. Këtë ditë u rilindëm të gjithë ne, si qytetarë të lirë të këtij vendi të lirë.

12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe e Perëndimit. Këtë kurrë nuk do ta harrojmë, do ta respektojmë përgjithmonë.

Ashtu siç jemi sot së bashku, si kosovarë, amerikanë, britanikë, gjermanë, francezë, italianë, e nga shumë vende tjera në këtë ditë të bukur qershori në kryeqytetin e shtetit të Kosovës, në Prishtinë, ashtu ishim bashkë në periudhën më të rëndë, më të errët dhe më tragjike në historinë e re të Kosovës:

– atëherë kur ishte rrezikuar vetë mbijetesa e një populli,

– atëherë kur qytetarët e Kosovës ishin në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për liri dhe për t’u bërë zot të fatit të vet.

Ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të, Bota e Qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm” – tha ndër të tjera ai.

Madeleine Albright, ish Sekretare e ShBA-ve, e cila e nderoi vendin tonë me praninë e saj, i kujtoi momentet dramatike kur ajo dhe Presidenti Clinton, diskutonin para marrjes së vendimit të madh:

“Nuk ishte vendim i lehtë, dhe kemi pasur shumë diskutime, dhe presidenti Clinton më telefonoi në mbrëmje dhe më tha planet tona kanë filluar të zbatohen dhe ne po e bëjmë gjënë e duhur, i thash po z.kryetar ne po e bëjmë gjënë e duhur…”

Pastaj ajo tha: “Ne ia dolëm, sepse kauza jonë ishte e drejtë!”.

“Jam i dashuruar në Kosovën. Është pjesa më krenare e jetës sime” – tha ish Presidenti i ShBA-ve Bill Clinton. Ai deshi të fliste më shumë për të ardhmen, por nuk mundi pa u ndalur  “në një rrëfim të shkurtër për të kaluarën”. Sikurse Albright edhe Clinton ua rikujtoi qytetarëve të Kosovës, se atëbotë, vendimi nuk ishte aspak i lehtë. Por, sipas tij, “që nga atëherë ju keni mbajtur zgjedhje të lira, keni ndërtuar drejtësinë, dhe jeni bërë një ndër vendet e pakta të cilat keni gëzuar rritje ekonomike që nga viti 2000.”

Zëvendës ndihmës Sekretari i ShBA-ve Metju Palmer, vuri theksin më shumë në të ardhmen duke thënë që: “Intervenimi ka qenë i domosdoshëm për të shmangur një katastrofë humanitare. Por sot le ta ripërsërisim premtimin tonë për ta ndërtuar të ardhmen”.

Fjalime mbajtën edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli si dhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Përveç falënderimeve të përzemërta që i shprehën për të gjithë aleatët e NATO-s që e ndihmuan UÇK-në dhe popullin e Kosovës, të çlirohej nga okupimi serb, ata dhanë mesazhe se janë të gatshëm të pajtohen me serbët dhe se “guxojnë ta bëjnë këtë akt”.

Sot, nën protokollin e shtetit, janë paraparë edhe disa aktivitete të tjera. Veç tjerash edhe takimi i qytetarëve në sheshet e Prishtinës me ish Presidentin Clinton dhe ish Sekretaren Albright./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet