Fadil Lepaja: Sfidat me të cilat Kryeministri Haradinaj preferon të merret janë ato vendore

Fadil Lepaja ka një përvojë të gjatë në shtjellimin e çështjeve politike në vend dhe rajon. Temat të cilat trajtohen nga analisti politik Fadil Lepaja nxisin interes për lexuesin dhe problematikat e shtjelluara nga ai dhe ndërlidhen me sferat të cilat e preokupojnë qytetarin e Kosovës. Lepaja ka botuar librat si “Lëkura e Gjarprit”, “A po bëhesh president”, “Arratisja e Republikës” dhe “Delet e Luginës së Silikonit”. Ai ka marr pjesë në shumë tribuna, konferenca e debate publike e televizive ku janë shtjelluar problematikat shoqërore e politike. Është i rregullt me kolumnat e analizat e tij të cilat botohen çdo të mërkurë në shtypin ditor e elektronik në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, Lepaja ka folur për sfidat e Qeverisë së drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, rolin e Listës Serbe në politikën vendore, kërkesën e presidentit Thaçi për krijimin e një ‘Ekipi të Unitetit’ për dialog me Serbinë, angazhimin e opozitës si dhe për zgjedhjet lokale që priten të mbahen me 22 tetor.

Për sa i përket nisjes së punës së Gjykatës Speciale dhe ndikimit të saj në skenën politike në vend, Lepaja thotë se “kjo gjykatë, më tepër do të përpiqet të thyej strukturën e krimit të organizuar në këtë vend dhe të bëjë shkëputjen e institucioneve prej kontrollit të tyre të drejtpërdrejtë”.

GeR: Z. Lepaja, u bë një javë që kur u formua Qeveria Haradinaj, sipas jush, cilat do të jenë sfidat kryesore me të cilat do të përballet kjo qeveri?

Lepaja: Z. Haradinaj, këto ditë deklaroi se do të merret me punë të shtëpisë, duke lënë të kuptohet që çështjet ndërkombëtare do të ja lerë Presidentit të Kosovës. Kjo njëkohësisht përputhet edhe me insistimin e Beogradit që dialogu të zhvillohet në nivel të presidentëve të vendit, me qëllim që t’u iket fërkimeve të pafund në parlament. Duke pasur parasysh se këto marrëveshje eventuale  sërish duhet të ratifikohen në parlament, kjo duket se do të jetë sfidë e përbashkët e Qeverisë dhe Presidentit.

Sfidat e tjera kanë të bëjnë me demarkacioni dhe asociacionin, dhe këtu ende nuk duket se z. Haradinaj ka ndonjë ide të qartë se si të procedojë. Sido që të jetë, duke pasur parasysh fuqinë e opozitës në parlament, sidomos fuqinë numerike, do të jetë goxha e vështirë që diçka e tillë të shtyhet tutje shpejt.

Sfidat me të cilat z. Haradinaj preferon të merret janë ato vendore, pra energjia, shëndetësia, zhvillimi ekonomik me theks në hapjen e vendeve të reja të punës etj,  sepse në këtë teren, ku gjërat varen drejtpërdrejtë nga faktori kosovar, ai llogaritë që me energjinë, këmbënguljen dhe përkushtimin e tij do të arrijë që kabinetin e tij ta bëjë veprues dhe ndryshues të  gjërave.

GeR: Si e shihni rolin e Listës Serbe në Qeverinë Haradinaj?

Lepaja: Lista Serbe vetvetiu, nuk paraqet ndonjë problem në vete dhe ajo ka të bëjë drejtpërdrejt me marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe ato Kosovë-Serbi. Negocimi me Listën Serbe, nuk i tejkalon lëshimet që i janë bërë secilit grup politik, për të siguruar votat dhe unë mendoj se Lista Serbe si e tillë nuk ka fuqi shantazhuese  në vete, por ajo do të varet nga dialogu me Serbinë. Në fund të fundit, edhe subjektet shqiptare kanë pasur disa kërkesa ultimative të cilat  ishin të mundura vetëm për shkak të  numrit të pamjaftueshëm të votave nga ana e koalicionit PAN. Shtyrja e çështjeve si ajo e ushtrisë dhe “Trepçës” nuk mendoj se paraqesin problem tepër serioz, nëse bëhet fjalë vetëm për heqje nga lista e prioriteteve të qeverisë, pra për një prolongim aq më tepër që edhe ato shumë varen nga drejtimi që do të marr dialogu Kosovë-Serbi, sidomos çështja e ushtrisë.

GeR: Presidenti Thaçi po kërkon “Ekip të Unitetit” për vazhdim të Dialogut me Serbinë, e Haradinaj po kërkon dialog të brendshëm para takimit në Bruksel. Sipas jush, si duhet të zhvillohet vazhdimi i këtij dialogu?

Lepaja: Kjo nënkupton edhe përfshirjen e përfaqësuesve të opozitës në dialog, por duke qenë se kjo është e vështirë të realizohet, së paku me LVV, atëherë këtu do të bëhen përpjekje që të krijohet një ekip me personalitete “të pranueshme” të cilat do t’i drejtonte vet Presidenti Thaçi, i cili po thirret në faktin se me kushtetutë e ka të specifikuar se e udhëheqë politikën e jashtme.

Përndryshe, krejt kjo, moskooperimi i opozitës sidomos, do të detyrojë, një dialog të brendshëm, që për bindjen time nënkupton përfshirje sa më të gjerë, jo vetëm të  politikës por edhe të shoqërisë, ku do të futeshin në një debat të përgjithshëm intelektualët, shoqëria civile, institucionet shkencore- arsimore etj. Gjithsesi kjo nënkupton edhe përfshirjen e opozitës por ka tendencë që kjo të bëhet jashtë parlamenti në një ambient i cili nuk drejtohet nga numri i votave, ku qeveria ndihet ngushtë, e opozita e fuqishme dhe me kapacitete bllokuese. Pak a shumë kjo është një ide e riformuluar e asaj çfarë po përpiqet të bëjë edhe në Serbi, z. Vuçiç.

GeR: Së shpejti pritet të bëhen akuzat e para nga Gjykata Speciale, si mendoni se do të ndikojnë ato në skenën politike vendore?

Lepaja: Varësisht se deri në çfarë niveli do të prekë. Ka shumë spekulime se janë bërë marrëveshje që niveli më i lartë të mos preket, sidomos jo Presidenti Thaçi, i cili në fakt ishte një nga emrat kryesor në raportin e euro deputetit Marti. Sido që të jetë, unë mendoj se kjo gjykatë, më tepër do të përpiqet të thyej strukturën e krimit të organizuar në këtë vend dhe të bëjë shkëputjen e institucioneve prej kontrollit të tyre të drejtpërdrejtë. Kjo gjithsesi do të shkaktojë turbulenca, të cilat u bënë të qarta edhe me rastin e formimit të koalicionit qeveritar.

GeR: Të flasim pak edhe për opozitën. Çfarë mendimi keni për të dhe sa mund t’i sfidojë ajo politikat e koalicionit qeverisës?

Lepaja: Mendoj se do të vazhdojë të bllokojë. Kapaciteti i saj për këtë është rritur me numrin e ulëseve në parlament. Këtu gjithsesi, mendoj se do të vije në shprehje roli i LDK, si balancuese, dhe e cila mendoj se do të faktorizohet sërish pikërisht përmes këtij procesi.

GeR: Tashmë dihet që zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor, çfarë impakti mendoni se mund të kenë zgjedhjet e 11 qershorit në këto zgjedhje?

Lepaja: Gjithsesi, rritja e Lëvizjes Vetëvendosje në nivel nacional do të ketë ndikim psikologjik edhe në zgjedhjet lokale, sidomos te ato shtresa të papërcaktuara dhe si pasojë e lojërave tepër të shpërlara me numra dhe njerëz gjatë formimit të koalicionit qeveritar, ku u krijua një përshtypje se bëhet fjalë veç për një luftë të zhveshur për pushtet dhe asgjë parimore./Gazetaere.com

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet