Euforia kuq e zi

28 nëntori i këtij viti, Kosovën e ka gjetur nën një situatë politike aspak të lakmueshme. Megjithatë atmosfera festive ua ka zënë vendin halleve të qytetarëve. Sheshet e qyteteve janë stolisur me flamuj kuq e zi, ndërsa aktivitete të shumta janë paraparë të zhvillohen në kuadër të ditës së sotme – shkruan Gazeta e Re.

Barra e vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksë 100% ndaj produkteve serbe e boshnjake, ka filluar të hetohet nga qytetarët e Kosovës, të cilët janë pajtuar të sakrifikojnë për vendin. Çmimet e produkteve të të gjitha llojeve, kanë shënuar një ngritje, por më shqetësuese mbeten ato të miellit dhe bukës. Gjithsesi vendimi në fjalë, i cili u përkrah nga i gjithë spektri politik vendor, duke marrë së fundi edhe përkrahjen nga Qeveria Rama, është paraparë të pasojë me një skenar të tillë. Qeveria Haradinaj po tregohet e këmbëngulëse, duke i shpërfillur edhe thirrjet e BE-së, zyrtarët e së cilës po vazhdojnë të kërkojnë nga ajo që ta anulojë vendimin.

Qeveria nuk është vetëm nën presionin e BE-së, të martë, kryetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe, vendosën të japin dorëheqje, ditën e martë, duke tentuar t’i shtojnë edhe më tej tensionet.

“Prej sot administrimi i qeverisjes lokale nga ana e Prishtinës në veri nuk ekziston, dhe kjo jo për shkak të dëshirës tonë por veprimeve të cilat pamundësojnë jetën normale të serbëve në Kosovë. Tarifa të cilën e ka vendosur Prishtina do të thotë që fëmijët tanë nesër nuk do të kenë ushqim, bukë dhe ujë” – citohet të ketë thënë Goran Rakiq, Udhëheqës i Listës Serbe.

Por shembullin e të parëve të katër komunave veriore të Kosovës, nuk e kanë ndjekur nga gjashtë të tjerat, të cilat ndodhen në anën jugore të lumit Ibër. Sipas REL,  nëpërmjet një komunikate ata i kanë përkrahur homologët e tyre veriorë, por kanë vendosur të mos heqin dorë nga qeverisja.

“Ndonëse nuk do të marrim masat e njëjta për shkak të rrethanave të ndryshme në të cilat jetojmë, në mënyrë solidare ne do të luftojmë që të pushojë diskriminimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut për popullin tonë për shkak të futjes së taksës prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia”, sqaruan ato nëpërmjet një komunikate.

Por këto zhvillime sot janë hedhur prapa krahëve. Krerët e shtetit, kanë shfrytëzuar rastin t’ua urojnë gjithë qytetarëve festën e flamurit, me fjalët më të përzgjedhura.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ditën e sotme e ka cilësuar si më të madhen dhe më të rëndësishmen për kombin shqiptar. Ndër të tjera ai ka shkruar se: “Është 28 Nëntori i Skënderbeut. Është 28 Nëntori i Ismail Qemalit e Isa Boletinit, i UÇK-së dhe Adem Jasharit. Shumë atdhetarë dhe veprimtarë tanë kanë dhënë jetën për 28 Nëntorin dhe Flamurin Kombëtar. Kjo është dita e tërë shqiptarëve, kudo që ata gjenden. Jam i lumtur që emocionet e kësaj dite do t’i ndaj sot me bashkatdhetarët tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urime të gjithëve kjo ditë e madhe!”

Kryeministri Ramush Haradinaj, po ashtu ua ka uruar këtë ditë bashkatdhetarëve, nëpërmjet një postimi: “Të nderuar bashkëkombës. Sot, jemi NJË në zemër, ashtu siç ishim e do të jemi gjithmonë. Dita e Flamurit, shënon rimëkëmbjen tonë, na kujton nepër shekuj se kush jemi dhe na mbanë bashkë si komb. Në këtë ditë të veçantë, që koincidon me daljen në skenë të UÇK-së dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, kujtojmë sakrificën e shumë brezave dhe nderojmë veprën e të rënëve në kohë e përpjekje të ndryshme për liri, pavarësi e dinjitet kombëtar. “28 Nëntori” i bekuar, është historia jonë e lavdishme dhe synimi ynë për të ardhmën e përbashkët në vlerën euro-atlantike. Urime festa e përjetësuar ndër shqiptarë!”

Edhe Kryekuvendari Kadri Veseli, nuk e ka humbur rastin të i urojë shqiptarët kudo që janë: “Sot është një ditë e madhe për kombin tonë. Në këtë ditë, kemi për obligim të jemi pranë kujtimit të atyre që me jetën e tyre e nderuan kombin. I tillë ishte Adem Demaçi, simboli më unik i gjithë lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës. Gjithë jeta e Adem Demaçit ishte në shërbim të frymës së 28 Nëntorit, prandaj sot jemi këtu për të nderuar dhe për t’u përkulur para këtij burri të madh të kombit.”

Edhe krerët politikë shqiptarë në Shqipëri, janë bërë bashkë për këtë ditë. Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama janë bërë bashkë në Vlorë, ku kanë bërë homazhe te “Ushtari i Panjohur”, në ‘Qytetin e Pavarësisë’. Krerët e PD-së, ndërkaq, kanë festuar të vetëm në Tiranë. Qytetarët shqiptarë, ndërkaq, kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për t’ia uruar njëri tjetrit këtë ditë, duke shpresuar në ditë më të mira për të gjithë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet