Erdogan: Turqia është një nga vendet e pakta që mori masa në kohën e duhur kundër COVID-19

Në fjalimin e tij drejtuar kombit Presidenti Erdogan adresoi masat dhe hapat e ndërmarra në luftën kundër llojit të ri të koronavirusit.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan në lidhje me masat e marra në kuadër të luftës kundër koronavirusit (COVID-19) tha se “Duke thyer shkallën e përhapjes së sëmundjes brenda 2-3 javësh, ky proces do të kapërcehet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe me dëme sa më të vogla”.

Në fjalimin e tij drejtuar kombit Presidenti Erdogan, duke adresuar masat dhe hapat e ndërmarra në luftën kundër llojit të ri të koronavirusit, tha: “Turqia është një nga vendet e pakta, e cila ndjek nga afër zhvillimet dhe mori masa në kohën e duhur që nga shfaqja e parë e sëmundjes”.

Erdogan deklaroi se askush nuk duhet të ketë dyshim në kapacitetet dhe cilësinë e shërbimit shëndetësor të Turqisë, ndërsa theksoi se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për çdo skenarë.

“Me një izolim të mirë, ne do të thyejmë shkallën e përhapjes së sëmundjes brenda 2-3 javësh dhe do të dalim nga ky proces sa më shpejt që të jetë e mundur dhe me dëmet sa më të vogla të mundshme. Përndryshe, është e pashmangshme që të ballafaqohemi me rezultate më të rënda dhe, në përputhje me rrethanat, me masa më të rënda, pasi këtë e shohim nga shumë shembuj përreth”, bëri të ditur Erdogan.

Në postimin e bërë në llogarinë e tij në Instagram Presidenti ndau edhe videon e fjalimit drejtuar kombit, ku ai përcjell këtë mesazh: “Asnjë armik nuk është superior ndaj unitetit, bashkimit, forcës dhe dinjitetit të kombit tonë. Shpresoj se do ta kapërcejmë këtë kërcënim të koronavirusit në unitet”.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet