Erdogan: ShBA-ja nuk e mbajti premtimin për nxjerrjen e terroristëve jashtë zonës së sigurt, do të veprojmë!

Ky vlerësim i kreut të shtetit turk erdhi gjatë një konference për shtyp në Aeroportin “Esenboga” të Ankarasë, përpara nisjes për vizitë zyrtare në Hungari.

Ai u ndal mbi Operacionin “Burimi i Paqes” që Forcat e Armatosura të Turqisë po kryejnë kundër YPG/PKK-së dhe DAESH-it, të cilat përpiqen të  krijojnë një korridor terrorist në veri të Sirisë duke marrë edhe mbështetjen e fuqive të jashtme.

“Me anë të Operacionit «Burimi i Paqes», vendi ynë bëri copë e çikë për 8-9 ditë planet e ndyra 8-vjeçare”, tha presidenti turk.

Erdogani theksoi se nuk do t’i harrojnë ata që marrin nën patronazh terroristët dhe fusin nën sqetull vrasësit me pagesë me koston e ballafaqimit me Turqinë.

Sa i përket marrëveshjeve të arritura ndërmjet Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Rusisë për veriperëndimin e Sirisë, shefi i Ankarasë zyrtare u shpreh me këto fjalë: “Ata që na premtuan (SHBA) se YPG/PYD-ja, DAESH-i dhe PKK-ja janë tërhequr ose do të tërhiqen brenda 120 orëve, aktualisht nuk e kanë bërë këtë. Po ashtu në marrëveshjen që bëmë me Rusinë, për fat të keq, terroristët nuk kanë dalë aktualisht as nga ato zona që janë kryesisht të kontrolluara prej tyre (rusët), pavarësisht se kanë kaluar 150 orë.”

Erdogani vuri në pah se tani terroristët janë duke sulmuar Ushtrinë Kombëtare Siriane (SNA).

“Këtë mëngjes ranë 11 dëshmorë. Natyrisht që edhe në palën kundërshtare u vranë shumë më tepër”, shtoi ai.

Lideri turk potencoi se bashkëshorten e kryeterroristit të vrarë të DAESH-it, Abu Bakr al-Baghdadi, e kanë kapur rreth 1 vit e gjysmë më parë dhe se vendimin për të do ta japë Ministria e Drejtësisë.

“Fakti që bashkë me gruan e Al-Baghdadit kemi edhe fëmijën e tij të identifikuar me testin e ADN-së, është një ndjeshmëri e rëndësishme për ne. Me vendosmëri po vazhdojnë edhe këto procedura të marrjes në pyetje”, sqaroi presidenti.

“Deri më sot, numri i pjesëtarëve të DAESH-it, të cilëve u është ndaluar hyrja në Turqi, është 76 mijë; numri i pjesëtarëve të dëbuar të DAESH-it është 5 mijë e 500, ndërsa i militantëve të DAESH-it në burgjet tona është 1 mijë e 149”, nënvizoi Erdogani mes të tjerash. /VOT

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet