Erdoğan: Senatori amerikan Menendez është “armik” i Turqisë

“Turqia nuk po përgatitet për luftë me blerjen e S-400-it rus, por po mundohet të garantojë paqen dhe sigurinë e saj”, thotë presidenti i Turqisë, Erdoğan.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan të dielën kritikoi senatorin e rëndësishëm amerikan si një “armik të Turqisë” aksionet e të cilit përbëjnë “kërcënim të pamatur” për marrëdhëniet turko-amerikane, raporton Anadolu Agency (AA).

I pyetur rreth propozimit të senatorit demokrat Robert Menendez për të tërhequr embargon e armëve ndaj administratës së Qipros Greke, Erdoğan u tha gazetarëve se ai beson që presidenti amerikan Donald Trump “nuk do të binte në këtë skemë”

“Qasja e senatorit në këtë pikë asnjëherë nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet turko-amerikane”, shtoi ai.

Qiproja është ndarë që nga viti 1974, kur një grusht shteti grek qipriot u pasua nga dhuna kundër turqve të ishullit dhe ndërhyrja e Ankarasë si një fuqi garantuese.

Ndërhyrja është pasuar nga një proces i paqes me ngritje dhe ulje në vitet e fundit, përfshirë iniciativën e dështuar të vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Britanisë.

Dorëzimi i sistemit rus për mbrojtje raketore S-400

Duke folur për fillimin e dorëzimit në Turqi të sistemit rus për mbrojtje raketore S-400, Erdoğan nënvizoi se me blerjen e sistemit, Turqia “nuk po përgatitet për luftë”, por “po tenton të garantojë paqen dhe sigurinë e saj kombëtare”.

Ai shtoi se dorëzimi i raketave do të kompletohet në prill të vitit 2020.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se sistemi rus nuk do të jetë i përshtatshëm me sistemet e NATO-s dhe se do ta ekspozonte avionin F-35 ndaj një dredhie të mundshme ruse. Turqia është një partner afatgjat në programin F-35.

Megjithatë, Turqia ka theksuar se S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk do të përbëjë kërcënim për Aleancën.

SHBA është kërcënuar me vendosjen e sanksioneve ndërsa Turqia është përgjigjur me kundërmasa.

Erdoğan tha se Turqia nuk është përfshirë në Aktin e Luftës me Sanksione Kundër Oponentëve të Amerikës (CAATSA), ligji sipas të cilit do të vinin sanksionet, kështu që sanksionet apo largimi i Turqisë nga projekti për avionin luftarak F-35 “nuk vjen në shprehje”.

CAATSA u miratua në vitin 2017 kundër Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë, në një tentim për të luftuar ndikimin e këtyre shteteve anekënd botës.

Erdoğan tha se marrëveshja për S-400 është “marrëveshja më e rëndësishme” në historinë e Turqisë, pasi në vend që ta shndërrojë Turqinë në një treg për shitjen e armatimit, marrëveshja e shndërron Turqinë në partner të prodhimit.

Turqia firmosi marrëveshjen për furnizim me sistemin rus S-400 për mbrojtje ajrore në vitin 2017, pas përpjekjeve të pasuksesshme për të blerë sistemin amerikan Patriot.

Sanksionet ndaj Iranit

I pyetur rreth sanksioneve amerikane ndaj Iranit, Erdoğan theksoi se rajoni është i lodhur nga luftërat dhe se Turqia nuk pajtohet me sanksionet.

Ai shtoi se rajonit i duhet që sërish të qëndrojë në këmbë të veta.

Tensionet midis dy vendeve janë në rritje prej se Trump braktisi marrëveshjen bërthamore në maj të vitit 2018.

SHBA-të që atëherë filluan një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të ushtruar presion mbi Iranin për të rinegociuar marrëveshjen si dhe aktivitetet tjera të Iranit të cilat Washingtoni i konsideron si “destabilizuese”.

Si pjesë e fushatës së saj, SHBA-të kanë ri-vendosur sanksione mbi eksportet e naftës së papërpunuar iraniane, që ka shkaktuar rënie të fuqishme të ekonomisë së Iranit.

Teherani ka refuzuar çfarëdo nagociata me Washingtonin përderisa nuk i tërheq sanksionet.

Çështja e Sirisë

Erdoğan thekson se një takim teknik dyditor është planifikuar të fillojë në Astana më 1 gusht për të diskutuar konfliktin sirian.

Më vonë gjatë muajit gusht Ankaraja do të jetë nikoqire e një samiti trilateral me pjesëmarrje të Rusisë dhe Iranit, ndërsa më vonë në Turqi do të mbahet edhe një samit tjetër.

Takimet kryesisht do të jenë për Idlibin dhe pjesët tjera të Sirisë, si dhe për situatën e përgjithshme të sigurisë, procesit të tranzicionit, komisionit kushtetues dhe riatdhesimit.

Turqia, Rusia dhe Irani janë shtetet garantuese që ndërmjetësuan një armëpushim në Siri në vitin 2016, duke arritur te bisedimet në Astana, Kazakistan, që po vijojnë në mënyrë paralele me bisedimet për paqe në Gjenevë.

Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it ndërhyri me egërsi ndaj demonstruesve.

Që atëherë, qindra mijëra njerëz besohet të jenë vrarë dhe miliona tjerë janë zhvendosur nga konflikti.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet