Erdogan-Rama: Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri i ngritëm në nivelin e partneritetit strategjik

“Ne i ngritëm marrëdhëniet tona në nivelin e partneritetit strategjik”, deklaroi Presidenti Recep Tayyip Erdogan gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Ankara me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan u shpreh shumë i kënaqur që priste sot në Ankara Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe delegacionin shoqërues.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, pas takimit zyrtar mes tyre, Erdogani theksoi se “Shqipëria është një vend mik, vëlla dhe aleat”.

“Ne jemi dy popuj vëllezër që kemi bashkëjetuar në shekuj, kemi luftuar së bashku dhe kemi lënë gjurmë në histori. Pra, jemi dy popuj vëllezër”, deklaroi Erdogan.

Gjurmët e historisë sonë shekullore, vijoi ai, është e mundur të shikohen në fusha shumë të gjera si nga letërsi në art, jetën intelektuale etj.

“Në ditët e sotme gjenden shumë gjurmë të përbashkëta të historisë nga Elbasani në Korçë dhe nga Shkodra në Vlorë”, shtoi lideri turk.

“Frymëzuar nga historia jonë e lashtë, e konsiderojmë si detyrë për ta forcuar më shumë këtë lidhje. Në takimin me Kryeministrin Rama diskutuam për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe gjithëpërfshirëse”, theksoi Presidenti Erdogan.

Ai vuri në pah se me rastin e kësaj vizite kanë nënshkruar edhe deklaratën e përbashkët politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë.

“Kështu ne i ngritëm marrëdhëniet tona në nivelin e partneritetit strategjik”, saktësoi Erdogan mes të tjerash.

Presidenti Erdogan premtoi gjithashtu se Turqia do të ndërtojë një spital rajonal në Fier deri më 7 prill.

“Brenda një kohe të shkurtër spitali i Fierit do t’u ofrojë shërbimet qytetarëve. Mos kini asnjë merak, kemi ndërtuar spitale me nga 1.008 dhoma. E di që më 25 prill ju keni zgjedhjet dhe po ju them se deri më 7 prill do jetë gati. Po ashtu do kemi themelimin e (një filiali të) Universitetit Teknik të Stambollit në Tiranë. Kjo është një arritje edhe për Shqipërinë, pasi kemi 100 studentë shqiptarë në Stamboll”, u shpreh ai.

Ky premtim i Presidentit Erdogan u komentua edhe me batuta nga Kryeministri Edi Rama.

“Në Turqi dhe Shqipëri janë të ndaluara bastet, por është një bast shumë i fortë se spitali do të jetë gati për 3 muaj. Ju jam mirënjohës për këtë kohë të çmuar dhe për gatishmërinë që të jemi së bashku edhe në darkën që më keni ofruar në këtë mjedis kaq të ngrohtë për ne. Deri më 7 prill ke 3 milionë e gjysmë shqiptar që do të ndjekin çdo ditë, ke venë një bast shumë të madh, ishalla po e mban”, tha kryeministri shqiptar.

Shefi i Tiranës zyrtare, Edi Rama, në deklaratën e përbashkët për shtyp nga Ankaraja, tha se gjatë kësaj vizite është konstatuar shprehja e një vullneti të fortë për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Falënderoj nga zemra Presidentin e Republikës së Turqisë dhe mikun tim (Erdogan) për këtë mikpritje të paharrueshme, edhe pse nuk është hera e parë që unë e vizitoj Turqinë mike. Por në këtë mikpritje, ne të gjithë së bashku si delegacion nga Shqipëria mundëm të konstatojmë shprehjen e një vullneti të fortë për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, mes dy shteteve, mes dy qeverive. I jam mirënjohës presidentit për bashkëbisedimin kokë më kokë dhe për kohën e çmuar që i dedikoi një tërësie të konsiderueshme çështjesh”, tha Rama.

Por mbi të gjitha, vijoi ai, dua ta shpreh këtu mirënjohjen për të dhe për popullin turk, për reagimin e menjëhershëm në mbështetje të Shqipërisë duke u gjendur në krah të familjeve të goditura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, ndërkohë që një tjetër tërmet e kishte lëkundur Shqipërinë dy muaj më parë.

“Presidenti Erdogan ishte i pari që u angazhua publikisht dhe botërisht për t’u përfshirë në procesin e rindërtimit dhe faktikisht i hapi rrugë një procesi të tërë përfshirje të shumë të tjerëve që bënë të mundur mbledhjen e një kontributi të konsiderueshëm për Shqipërinë. Dua të theksoj faktin që solidariteti i Turqisë mike nuk ka qenë vetëm kur Turqia ka pasur një problem të vetin, por edhe kur u godit nga COVID-19 i qëndroi pranë Shqipërisë, nuk veproi si disa shtete që mbyllën në shtëpi vendin dhe ndaluan kalimet e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë. Ishte shumë domethënëse për ne. Edhe pse Turqia u godit nga tërmeti, ajo u gjend në domosdoshmëri. Ua kam shprehur ngushëllimin dhe dua t’ia shpreh edhe sot. Kjo nuk e bëri të ndalonte aspak projekti që po zhvillohet në mbështetje të tij (Erdoganit) dhe në këqyrje të ministrit Murat (Kurum), i cili gjeti kohë të vijë në Tiranë dhe të jetë i pranishëm në të gjitha diskutimet tona”, tha Rama.

Kujtojmë se Turqia është një ndër partnerët më të ngushtë të vendit tonë, pas kalimit të dy periudhave më të vështira, atë të tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë së COVID-19.

Kategoritë
BotaLajme