Erdogan: Nëse ShBA vazhdon kështu për F-35, do të kërkojmë zgjidhje të tjera

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) iu drejtua të martën me një fjalim grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM).

Në lidhje me takimin që kishte pasur me Presidentin e ShBA-së, Donald Trump, Presidenti Erdoan bëri këtë vlerësim: “Në takimin që patëm [në Uashington] nuk mund të them se gjetëm zgjidhje radikale për shumë çështje e hapura që ekzistojnë mes nesh, por i treguam të gjithë botës që nuk do të lejojmë që këto çështje të mbajnë peng marrëdhëniet tona”.

“Gjithashtu atyre u thamë edhe këtë që nëse vazhdojnë me këtë qëndrim të papajtueshëm në lidhje me çështjen e [avionëve luftarakë] F-35, atëherë Turqia do të detyrohet të gjejë zgjidhje të tjera për të përballuar nevojat e saj afatmesme”,- theksoi kreu i shtetit turk, dhe shtoi:

“Ndërkaq, ata që përpëliteshin për ta shfaqur organizatën separatiste terroriste YPG/PKK si një strukturë që lufton kundër DAESH-it sot po përpiqen të mbulojnë masakrat civile të po të njëjtës organizatë”.

Numri i vendbanimeve që janë marrë nën kontroll në kuadër të operacionit «Burimi i Paqes» në veri të Sirisë,- e vijoi fjalën e tij Presidenti Erdoan,- i ka kaluar të 600, kurse numri i terroristëve të neutralizuar u është afruar 1 mijë e 200.

“Lufta jonë kundër terroristëve do të vazhdojë deri në shuarjen plotësisht të kërcënimeve terroriste që cenojnë vendin tonë”, nënvizoi Erdoan.

“Pasi duket shumë qartë që zonat e përcaktuara sipas marrëveshjeve që ne arritëm me ShBA-në dhe Rusinë nuk janë spastruar plotësisht nga terroristët”, shtoi ai.  /vot

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet