Erdogan në Serbi: Do të ndërtojmë një urë të re miqësie dhe paqeje

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mbërriti mesditën e së hënës në Serbi për një vizitë zyrtare dyditore.

Kreu i shtetit turk u prit me ceremoni shtetërore në Beograd nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes, Erdogani dhe Vuçiçi shëtitën ekspozitën me dokumente e fotografi nga Arkivi Shtetëror i Serbisë, çelur me rastin e 140-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Ndërsa në fund të takimit kokë më kokë, dy liderët drejtuan së bashku mbledhjen e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit me Nivel të Lartë Turqi-Serbi.

Gjatë fjalës së rastit këtu, Erdogani u shpreh i lumtur për vazhdimin e fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Rritja e të gjitha marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Serbisë, si në fushën politike, ekonomike e tregtare ashtu edhe në atë kulturore, janë me të vërtetë mbresëlënëse. Për vazhdimin e rritjes së këtyre, unë i kushtoj shumë rëndësi mbledhjes së Këshillit Strategjik me Nivel të Lartë dhe besoj se këto do të shkojnë shumë më tej me punimet në infrastrukturë që të gjithë ministrat tanë do të kryejnë mes vete, por edhe me punimet që ne do të kryejmë në nivelin më të lartë”, deklaroi ai.

Kurse kreu i shtetit serb, Vuçiç, vuri në pah se me homologun turk ka biseduar gjithashtu për disa fusha të reja në aspektin e bashkëpunimit ekonomik.

“Ne jemi dakord mbi faktin se mund të zhvillojmë edhe më tej bashkëpunimin në turizëm, kulturë dhe në të gjitha fushat e tjera”, tha ai.

Pas mbledhje së Këshillit Strategjik me Nivel të Lartë Turqi-Serbi, dy presidentët hodhën firmat mbi 9 marrëveshje bilaterale dhe organizuan një konferencë të përbashkët për shtyp.

Erdogani bëri me dije se bashkëpunimi me Serbinë ka arritur një nivel të përkryer dhe nënvizoi se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të zhvilluar marrëdhëniet ndërshtetërore në fusha si politika, tregtia, ekonomia dhe mbrojtja.

Pasi saktësoi se vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve është rritur në nivelin e 1,2 miliardë dollarëve, presidenti turk tha se objektivi afatshkurtër është rritja e shkëmbimeve tregtare në 2 miliardë dhe ai afatgjatë në 5 miliardë dollarë.

Ai njoftoi gjithashtu se Beogradi i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Ankarasë për të hapur konsullatë të përgjithshme në Novi Pazar.

“Kështu, ne do të ndërtojmë një urë të re miqësie dhe paqeje, e cila do të bashkojë zemrat. Njerëzimi ka nevojë për paqe dhe jo për konflikte”, potencoi Erdogani duke lajmëruar se të martën do të realizojnë Samitin Trepalësh Turqi – Serbi – Bosnjë-Hercegovinë.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet