Erdogan mori pjesë në hapjen e Panairit të Aviacionit dhe të Hapësirës në Moskë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, bashkë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Aviacionit dhe të Hapësirës MAKS-2019 që organizohet në Aeroportin Ndërkombëtar Jukovski në kryeqytetin e Rusisë, Moskë.

Presidenti turk në kuadër të vizitës së tij njëditore në Moskë mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Aviacionit dhe të Hapësirës MAKS-2019, ku edhe mbajti një fjalim, raporton AA.

Ai fillimisht shprehu kënaqësinë nga pjesëmarrja në këtë panair, duke e falënderuar homologun rus Putin për ftesën.

Erdoğan, Panairin Ndërkombëtar të Aviacionit dhe të Hapësirës MAKS-2019, e vlerësoi si një ndër panairet liderë të fushës së saj.

“Edhe ne këtë vit për herë të 14-të organizuam IDEF. Gjithashtu në Stamboll organizojmë Festivalin e Aviacionit, Hapësirës dhe Teknologjisë TEKNOFEST për të rinjtë. Festivali, të cilin vitin e kaluar e organizuam për herë të parë priti mbi 550 mijë vizitues”, tha Erdoğan duke treguar se këtë vit presin mbi 1 milion vizitues gjatë festivalit që do të organizohet mes 17-22 shtator.

Ai gjithashtu e ftoi edhe presidentin rus Putin dhe popullin rus që të marrin pjesë në këtë festival.

Erdoğan, më tej, theksoi se Turkish Airlines ka një nga rrjetet më të mëdha të transportit ajror në shkallë globale. “Aeroportet tona janë në mesin e zonave që presin më së shumti pasagjerë në Evropë. Turkish Airlines zhvillon udhëtime në 258 qytete në 124 shtete”, u shpreh ai.

Ai rikujtoi se faza e parë e aeroportit të Stambollit, një ndër aeroportet më të mëdha në botë, është vënë në përdorim.

“Shpresojmë që, pasi të gjitha fazat e Aeroportit të Stambollit të aktivizohen, të pres 200 milionë pasagjerë në vit. Ndërkaq, edhe në teknologjitë e mbrojtjes, aviacionit dhe hapësirës jemi duke u bërë një vend që ka rol”, tha presidenti turk duke treguar disa projekte të suksesshme në këto sfera.

Erdoğan mes tjerash u përqëndrua edhe në dialogun e sinqertë dhe të afërt mes Turqisë dhe Rusisë, e cila rrjedh nga një bashkëpunim i thellë dhe shumëdimensional të të kaluarës së pasur.

“Gjithnjë e më shumë është duke u thyer rekord në numrin e turistëve rusë që vizitojnë vendin tonë. Këtë vit presim që rreth 6 milionë turistë ta vizitojnë vendin tonë. Vëllimi i tregtisë mes nesh ka tejkaluar shifrën 25 miliardë dollarë, ndërsa synimi jonë është 100 miliardë dollarë”, theksoi Erdoğan.

“Do të hap horizonte të reja për bashkëpunimin tonë të ndërsjellë”

Ndërsa presidenti rus Putin tha se sukseset e Rusisë në fushën e aviacionit dhe hapësirës do të tërheqin vëmendjen e vizitorëve. “Kjo do të hap horizonte të reja për bashkëpunimin tonë të ndërsjellë”, tha Putin.

Putin tërhoqi vëmendjen në atë se ka një interesim të madh për Panairin Ndërkombëtar të Aviacionit dhe të Hapësirës MAKS-2019, duke treguar se zhvillimi i industrisë së avionëve është i lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar.

Erdoğan, gjatë vizitës së tij në panair gjithashtu mori informacione në lidhje me avionët dhe helikopterët që po ekspozohen, në mesin e tyre edhe avioni rus luftarak i gjeneratës së 5-të, SU-57.

Kategoritë
BotaLajme