Erdoğan: Inteligjenca turke kryen aktivitete të përmasave botërore

Presidenti Erdoğan theksoi gjithashtu se MIT deri më tani ka siguruar kthimin e mbi 100 anëtarëve të Organizatës terroriste Fetullah (FETO) në Turqi.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se Agjencia Kombëtare e Inteligjencës (MIT) po kryen aktivitete të përmasave botërore në fusha të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

“Organizata turke e inteligjencës po kryen aktivitete të përmasave botërore në fushat e inteligjencës kriptologjike, kibernetike, satelitore dhe sinjaleve”, tha presidenti Erdoğan në ceremoninë e hapjes së një ndërtese të re për MIT në Stamboll.

“Kapaciteti i veprimtarisë së organizatave terroriste në Stamboll u zvogëlua ndjeshëm falë bashkëpunimit të ngushtë midis organizatës dhe institucioneve të tjera të sigurisë”, shtoi ai.

Erdoğan theksoi se Turqia prodhon teknologji me burimet e saj kombëtare, duke shtuar se një komb pa shërbime të inteligjencës është i dënuar të zhduket.

“Nuk është rastësi që MIT është një nga institucionet e para që ishte në shënjestër gjatë luftës historike që vendi ynë ka ushtruar për një kohë”, tha ai, duke theksuar rëndësinë e shërbimeve të inteligjencës veçanërisht kur përdorimi i informacionit u shndërrua në një armë efektive.

Ai shtoi se Turqia zhvillon një sistem më efektiv të sigurisë kombëtare për të eleminuar kërcënimet me të cilat përballet vendi.

Erdoğan theksoi gjithashtu se MIT deri më tani ka siguruar kthimin e mbi 100 anëtarëve të Organizatës terroriste Fetullah (FETO) në Turqi.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gülen orkestruan grusht shtetin e mposhtur të 15 korrikut 2016, në të cilin 251 persona ranë dëshmorë dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.

Turqia akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për përmbysjen e shtetit përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Ajasofja

Të premten u zhvillua falja e namazit të parë në Xhaminë e Madhe Ajasofja (Ajasofya-i Kebir Cami-i Şerifi) pas rihapjes së saj si xhami.

Erdoğan tha se gjatë hapjes së Ajasofjes për namaz, Turqia dëshmoi se disa vende nuk mundën të pranojnë se Stambolli është territor i Turqisë.

“Edhe pse kanë kaluar shekuj nga çlirimi, ende e shohim se disa nuk e pranojnë se Stambolli është në duart e kombit turk dhe muslimanëve”, tha Erdoğan.

Ajasofja shërbeu si kishë për 916 vjet deri në çlirimin e Stambollit, dhe si xhami nga viti 1453 deri në 1934, gati 500 vjet, dhe së fundmi si muze për 86 vjet.

Duke qenë një nga ndërtesat historike më të vizituara nga turistët vendas dhe ndërkombëtarë, Ajasofja në vitin 1985, gjatë kohës kur ishte si muze, u shtua në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Gjykata turke anuloi dekretin e vitit 1934 e cila e shndërroi Ajasofjen në muze, duke i hapur rrugën përdorimit të saj si xhami.

Libia

Duke folur për operacionet që MIT i kryen në Libi, Erdoğan tha se agjencia ka një “rol të ndryshimit të lojës” duke siguruar inteligjencë dhe mbështetje operacionale.

Ai shtoi se MIT ndihmon për të ndaluar përparimin e kryekomandantit Khalifa Haftar i cili preferon zgjidhje ushtarake përkundër zgjidhjeve politike për konfliktin.

Nëntorin e kaluar, Turqia dhe Libia nënshkruan pakte të interesit mbi bashkëpunimin ushtarak, si dhe për kufijtë në Mesdhe.

Sipas marrëveshjes, Turqia ka dërguar këshilltarë për të ndihmuar ushtrinë libiane kundër militantëve të Haftarit, i cili nga prilli i vitit 2019 filloi sulme ndaj kryeqytetit libian Tripoli dhe pjesëve të tjera në veriperëndim të Libisë, që rezultoi në vdekjen e më shumë se 1.000 njerëzve, duke përfshirë gra dhe fëmijë.

Ushtria Libiane së fundmi ka arritur fitore të konsiderueshme, duke i larguar forcat e Haftarit nga Tripoli dhe Tarhuna, si dhe çliroi disa vende strategjike, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya.

“Falë zonës sonë të ndikimit në inteligjencën e jashtme e cila është duke u zgjeruar dita ditës, vendi ynë filloi të zërë vendin e tij në të gjitha platformat si një fuqi rajonale dhe globale”, tha Erdoğan.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet