Erdogan i thotë troç në fytyrë Merkelit: Në Gjermani ndodhen me mijëra terrorist të PKK dhe FETO

Presidenti, Recep Tayyip Erdogan bëri të ditur që nga Gjermania presin një luftë më efikase kundër organizatave terroriste.

Presidenti Erdogan pas takimit me Kancelaren, Angela Merkel në kryeqytetin Berlin të Gjermanisë, organizoi një konferencë të përbashkët për shtyp.

Erdogan bëri të ditur se me Kancelaren Merkel kanë arritur në konsensus për ti rivënë në veprim mekanizmat e bashkëpunimit, të cilat nuk ishin aktive për një kohë të gjatë, ndërsa shtoi se planifikojnë që brenda një kohe të shkurtë ti plotësojnë edhe 6 kritere të mbetura për liberalizimin e vizave.

Kreu i shtetit turk gjithashtu tha se Turqia mori përsipër përgjegjësitë serioze për çështjet rajonale me në krye krizën e Sirisë.

Presidenti theksoi se Turqia është e përgatitur dhe e fortë për ti eliminuar kërcënimet në fushën e ekonomisë ashtu si në fushat tjera, ndërsa shtoi se “Kemi biseduar për pritshmërit tona nga Gjermania për të luftuar në mënyrë më efikase me organizatat terroriste dhe rreth kërkesave tona në këtë drejtim”.

Ai bëri të ditur se vlerësojnë lartë marrëdhëniet ekonomike me Gjermaninë dhe tha se “Mesazhet dhe qëndrimi i qeverisë së Gjermanisë në këtë drejtim janë shumë të rëndësishme”.

Erdogan gjithashtu tha se në Gjermani ndodhen me mijëra pjesëtarë të organizatës terroriste PKK dhe vijoi duke thënë se “Dorëzimi i këtyre pjesëtarëve, pa dallim vendin ku ndalohen ata, do të lehtësojë punën tonë”.

Ndërkaq në përgjigje të një pyetje në lidhje me të arrestuarit, Presidenti Erdogan tha se “As unë nuk kam të drejtë për ta kritikuar sistemin gjyqësor, gjykatat e Gjermanisë e as ju nuk keni të drejtë të kritikoni sistemin gjyqësor të Turqisë”.

Presidenti gjithashtu tërhoqi vëmendjen se në Gjermani ndodhen me qindra pjesëtarë të organizatës terroriste gyleniste FETO.

Ndërsa në përgjigje të pyetjes në lidhje me të arratisurin Can Dundar, i cili pas publikimit të sekreteve shtetërore u arratis në Gjermani, Presidenti Erdogan tha se Can Dundar është një agjent, i cili është dënuar me 5 vjet e 10 muaj heqje lirie nga ana e gjykatës turke për publikimin e sekreteve shtetërore.

Duke rikujtuar se Can Dundar është arratisur dhe aktualisht ndodhet në Gjermani, Erdogan shtoi se “Turqia është një vend që ekstradon kriminelët. Është e drejta e jonë ta kërkojmë një kriminel të tillë. Ne kërkuam ekstradimin e një personi për të cilin është finalizuar vendimi i dënimit. Can Dundar është një agjent, i cili publikoi sekretet shtetërore”.

Ndërkaq në lidhje me mëngjesin e punës me Merkel që do të realizohet nesër, Erdogan tha se “Nga aspekti i marrëdhënieve ekonomike mes Turqisë dhe Gjermanisë unë e vlerësojë këtë takimin, nesër në rend të ditës do të jenë marrëdhëniet tona ekonomike”.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet