“Erdoğan është lojtari i vetëm i ndershëm në Libi”

Revista franceze thotë se Turqia luan një lojë të ndershme në politikat e saj lidhur me Mesdheun, Libinë dhe Qipron.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan është lojtari i vetëm në Libi i cili vepron në mënyrë të ndershme dhe se administrata e Ankarasë nuk fsheh axhendën e saj rajonale, shkruan në një artikull të saj revista franceze “Le Canard enchaine”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke u thirrur në mendimet e ish-diplomatëve francezë, artikulli në “Le Canard enchaine”, ndër të tjera thekson se presidenti turk është i vetmi lider i cili nuk fsheh qëllimet e tij ushtarake, gjeopolitike dhe energjetike në Mesdhe, Libi dhe Qipro.

Teksti u publikua me titullin “Vetëm Turqia luan lojë të ndershme në Libi”, e cila është një lloj përgjigjeje ndaj deklaratës së fundit të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili akuzoi Turqinë se luan një lojë të rrezikshme në Libi.

Më tej thuhet se komandanti renegat libian Kahlifa Haftar i kishte besuar mbështetjes nga Rusia, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Arabisë Saudite dhe Francës, por megjithatë administrata legjitime e Libisë arriti të mposhtë forcat e Haftarit me mbështetjen e Turqisë.

Duke ritheksuar kërcënimin e kohëve të fundit të presidentit egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi për ndërhyrje të mundshme ushtarake në Libi, revista franceze thekson se qeveria libiane e kryeministrit Fayez al-Sarraj reagoi ashpër ndaj këtij kërcënimi duke e vlerësuar si ndërhyrje në çështjet e brendshme, madje edhe si një lloj shpallje të luftës.

Libia është përfshirë nga lufta civile që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në vitin 2011. Qeveria e re e vendit u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të sulmeve të forcave jolegjitime të udhëhequra nga Khalifa Haftar.

OKB-ja e njeh qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoriteti legjitim i vendit.

Qeveria nisi operacionin “Stuhia e Paqes” në mars për të kundërshtuar sulmet e Haftarit ndaj kryeqytetit Tripoli dhe së fundmi ka çliruar vendet strategjike, përfshirë qytetin Tarhuna, fortesën e fundit të Haftarit në pjesën perëndimore të Libisë.

Kategoritë
BotaLajme