Erdogan: Do të doja të kishim lidhje më të mira me Izraelin, por s’pranohet si i trajton palestinezët

Presidenti Rexhep Tayyip Erdogan thotë se Turqia do të donte të kishte lidhje më të mira me Izraelin dhe se bisedimet në nivelin e inteligjencës vazhdojnë midis dy palëve, por gjithashtu ka kritikuar politikën izraelite ndaj palestinezëve duke e cilësuar si “të papranueshme”.

Duke folur para gazetarëve pas lutjeve të së premtes në Stamboll, Erdogan tha se Turqia kishte probleme me “njerëzit në nivelin e lartë” në Izrael dhe se lidhjet mund të kishin qenë “shumë më ndryshe” nëse nuk do të ishin ato çështje, njofton Klan Kosova.

“Politika ndaj Palestinës është vija jonë e kuqe. Është e pamundur që ne të pranojmë këto politika. Aktet e tyre të pamëshirshme atje janë të papranueshme”, tha Erdogan.

“Nëse nuk do të kishte probleme në nivelin e lartë, lidhjet tona do të kishin qenë shumë ndryshe” shtoi ai.

“Ne do të dëshironim t’i përmirësonim lidhjet në një nivel më të mirë”.

Turqia ishte vendi i parë me shumicë myslimane që njohu Izraelin në vitin 1949. Ata gëzonin marrëdhënie të mira dhe lidhje të forta tregtare deri në ardhjen e Erdoganit në pushtet.

Në vjetët e fundit, Ankaraja ka dënuar vazhdimisht pushtimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli dhe trajtimin e tij ndaj palestinezëve.

Kategoritë
BotaLajme