Erdogan: Do të bisedoj me Joe Biden për disa çështje pasi ai të marrë mandatin

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të mërkurën se do të bisedojë me Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, pasi ky i fundit të marrë mandatin.

Kjo deklaratë dhe vlerësime të tjera të kreut të shtetit turk për marëdhëniet Turqi-SHBA erdhën përpara se ai të nisej për një vizitë zyrtare dyditore në Azerbajxhan.

Erdogani tha se Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Biden, nuk është një i huaj, pasi atë e njeh mirë nga periudha kur ishte ndihmës i Barack Obamës.

Ai vuri në pah se Turqia është sot një prej 5 shteteve të para në NATO, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Këtë e kanë pohuar gjithnjë edhe ata vetë. Ndërsa tani, për fat të keq, ne nuk i vlerësojmë si të përshtatshme deklaratat e tyre në lidhje me blerjet tona të armëve. Veçanërisht jo të drejta janë qasjet e tyre aktuale në veri të Sirisë dhe në lidhje të Eufratit. Faktikisht, unë i vlerësoj si të hershme apo të parakohshme edhe deklaratat që do të bënim tani. Bideni le të marrë njëherë mandatin, pastaj do të ulemi për të biseduar në lidhje me disa çështje”, theksoi Presidenti Erdogan.

Lideri turk nënvizoi se s’do të ketë konflikt në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sidomos në politikë.

“Ne gjejmë një rrugë në diplomaci për t’i diskutuar këto çështje dhe për t’u kuptuar. Unë besoj se ne do ta menaxhojmë këtë proces në një mënyrë shumë më të shëndetshme”, përfundoi Erdogani.

Kategoritë
BotaLajme