Era do të jetë burimi kryesor i energjisë elektrike në BE

“Është e mrekullueshme që IEA tani e ka kuptuar se era do të jetë burimi i parë i energjisë elektrike në Evropë në më pak se 10 vjet”, tha Dikson.

Era do të tejkalojë qymyrin, atomin dhe gazin, duke u bërë burimi më i madh i energjisë elektrike në Bashkimin Evropian, thonë nga WindEurope, pas analizimit të raportit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), ku thuhet se kjo pritet të ndodhë para vitit 2030.

Sipas parashikimeve të IEA-së, të publikuara në raportin e saj të fundit, era në vitin 2027 do të bëhet burimi më i madh i energjisë në BE, duke tejkaluar kështu thëngjillin, atomin dhe gazin si lëndë për krijimin e energjisë, ndryshe nga analizat e mëparshme, të cilat thonin se kjo do të ndodhë pas vitit 2030.

Sipas IEA-së, prodhimi i energjisë elektrike nga era në BE, pritet të trefishohet deri në vitin 2040, me 1.100 terawatt-orë (TWh).

Drejtori i WindEurope, Giles Dickson, tha se kjo analizë, është në fakt një gjë shumë inkurajuese për zgjerimin e mëtejshëm të energjisë nga era në Evropë.

“Ka kohë që themi se më shumë energji nga era, ka rëndësi ekonomike sepse është forma me kosto më të ulët për sa i përket krijimit të energjisë. Është e mrekullueshme që IEA tani e ka kuptuar se era do të jetë burimi i parë i energjisë elektrike në Evropë në më pak se 10 vjet”, tha Dikson.

Ai thotë se kjo nënkupton centrale të reja nga era dhe modernizim të kapaciteteve ekzistuese të cilat do të sjellin vende të reja pune.

Megjithatë, thotë Dickson, energjia elektrike përfshin vetëm 24 për qind të energjisë së nevojshme në Evropë, prandaj apeloi për politika më të mira të cilat do të inkurajojnë investimet në burime të rinovueshme.

WindEurope, më parë Asociacioni Evropian për Energji nga Era (EWEA), është një organizatë me seli në Bruksel, dhe promovon përdorimin e energjisë nga era në Evropë./AA

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet