Entuziazmi i LDK-së quhet Vjosa Osmani

Një atmosferë optimizmi e ka përfshirë elektoratin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së). Në disa qytete të Kosovës, madje, pati edhe festime. Vjosa Osmani po shihet si një kandidate e cila do t’ia rikthejë dinjitetin e nëpërkëmbur njërës prej partive më me traditë në vend – shkruan Gazeta e Re.

Me kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre të vendit, LDK-ja ka treguar qartë që nuk e ka ndërmend të bëjë kompromise me partitë e tjera në këtë pikë. Ajo nuk do ta dorëzojë pozitën e kryeministres, pavarësisht ofertave që mund t’i marr nga subjektet të cilat janë të interesuara për të realizuar ndonjë koalicion me të.

Dje ajo u propozua si kandidate dhe mori përkrahjen e kryesisë së LDK-së, ndërsa sot është votuar në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie, duke marrë pëlqimin e të gjithë anëtarëve, dhe duke mos hasur në asnjë vështirësi.

«Kryesia e LDK-së në mbledhjen e saj të parë me 24 gusht dhe më pas me 26 gusht ka shqyrtuar kandidaturën për kryeministër të vendit Lutfi Hazirin dhe Vjosa Osmani» – e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së Isa Mustafa. Ai i ka ftuar anëtarët e këshillit që ta përkrahin kandidaturën e Osmanit, gjë e cila edhe ka ndodhur.

«Kjo duartrokitje është unanime për Osmanin për kandidate për kryeministre të Kosovës dhe kërkoj nga ju ta përkrahni maksimalisht edhe në fushatë. Këshilli i përgjithshëm i LDK-së në mënyrë unanime pa asnjë votë kundër e voton znj. Osmanin për kryeministre të Kosovës» – ka vërtetuar Mustafa, në pasi është kryer votimi.

E ky entuziazëm i krerëve të LDK-së, e ka përfshirë edhe elektoratin. Sipas analistit Florim Zeqa, kjo është diçka shumë e mirë. Sipas tij vet kandidatura e zonjës Osmani, është «sfiduese» për vet LDK-në.

«Nominimi i zonjës Vjosa Osmani kandidate për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e prodhoj një ndjenjë të papërshkrueshme gëzimi në elektoratin e kësaj partie. Ky vullnet i elektoratit të LDK-së do ta ketë kuptimin e plotë sikur vota e elektoratit e nxjerrë LDK-në fituese absolute të zgjedhjeve »  – ka vijuar ai.

 

Për më shumë sipas tij «ky gëzim i madh i elektoratit rrezikon të kthehet në zhgënjim dhe thyerje të madhe të elektoratit të LDK-së, për shkak se në secilin variant të koalicionit pas-zgjedhor, Vjosa Osmani nuk e ka të garantuar postin e kryeministres së vendit».

 

Mirëpo Mustafa, bashkë me strukturat e LDK-së, beson fuqimisht në kandidaturën e saj.

 

Sipas tij: «Vjosa është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë. E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për t’u përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze».

 

Dje sipas raportimeve të mediave, është zhvilluar një takim ndërmjet krerëve të LDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por siç edhe pritej, nuk është arritur asgjë konkrete. Të dy partitë të cilat i kanë përmirësuar dukshëm raportet viteve të fundit, kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim, por çështja e pozitës së kryeministrisë, ka bërë që të mos e gjejnë formulën e përbashkët. Në opinionin publik kandidatura e Osmanit është cilësuar si një përgjigje për të gjitha subjektet të cilat duan ta negociojnë çështjen e koalicioneve parazgjedhore me LDK-në. Ky subjekt, edhe sipas analistëve, po dëshmon që është e gatshme t’i futet garës krejt e vetme./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet