“Ëndrra gjermane” e ballkanasve

Ballkani mbetet rajoni më i pazhvilluar i kontinentit evropian. Qeveritë e vendeve ballkanike, një pjesë e madhe e tyre, përveç që nuk kanë gjetur formulën e stabilizimit ekonomik, viteve të fundit po përballen edhe me një fenomen tjetër: ikjen e fuqisë punëtore – shkruan Gazeta e Re.

Emigracioni është një fenomen global. Ndryshime e popullsive të vendeve të ndryshme, shpesh ndikohen drejtpërsëdrejti nga ky fenomen. Për shembull, sipas disa të dhënave, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), pas vitit 1960 pat rënë dukshëm fluksi i emigrantëve evropian. Por pas shembjes së komunizmit në Evropë (1990-të e këndej), emigracioni nga kontinenti i vjetër drejt ShBA-ve, sikur u ngjall. Në vitin 2016-të, rreth 4.8 milionë evropian, u ngulitën në ShBA, duke përbërë kështu 11% të afro 44 milionë emigrantëve amerikanë, nga gjithsej 75% që janë zhvendosur aty që nga viti 1960.

Por shumica e vendeve të zhvilluara evropiane, ndonëse përballet historikisht me fenomenin e emigracionit, ka gjetur sadopak zgjidhje duke e kontrolluar deri në njëfarë mase demografinë e popullsisë. Nëse gjermanët, britanikët, francezët ia mësyjnë ShBA-së, ka ballkanas që ua mësyjnë vendeve si Franca, Britania e Madhe, e sidomos Gjermania. Emigrimi i popullsisë ballkanase drejt vendeve të lartcekura, ndikon në ripërtrirjen e popullsisë, por edhe në zhvillimin ekonomik. Në Gjermani, Francë e Britani të Madhe, për rrjedhojë, nuk ndihet për shembull; mungesa e mjekëve, e teknikëve medicinalë. Ndërsa ajo që quhet ‘ikja e trurit’, ka shtri rrënjë në shumë vende të Ballkanit.

Rumunët zënë vendin e parë në BE, për sa i përket emigracionit. Pothuajse një e pesta e rumunëve, sipas një artikulli në DW, jetojnë edhe jashtë Rumanisë. Trazimet politike dhe pakënaqësitë e rumunëve për sa u përket zhvillimeve politike, kanë ndikuar mjaft në shtimin e emigracionit.

Një studim i Alida Vračić i publikuar vitin e kaluar në ecfr.eu, vë theksin që në krye të herës se Ballkani, përkatësisht Ballkani Perëndimor do të mbetet «eksportuesi i njerëzve të mençur dhe të arsimuar – brenda një dinamike emigracioni të kontrolluar nga vendet e destinacionit.»

Sipas studimit në fjalë, brenda dekadës së fundit, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor vërehet një fluks në rritje i emigrantëve që ua mësyjnë vendeve të perëndimit. Destinacioni më i preferuar mbetet Gjermania.

Edhe Kosova, nuk i shpëton analizës. «…tabloja është po aq e zymtë» – thotë studimi, ndonëse vendi gëzon një popullsinë më të re në Evropë dhe me një përqindje relativisht të lartë të lindjeve.

«Sipas projektimeve të vitit 2011 për vendin, numri i qytetarëve të cilët jetojnë jashtë vendit pritej të rritej, nga fundi i vitit 2016, nga 703,000 në 828,000 ose rreth 46% e popullsisë. Ashtu siç pritej, popullsia e Kosovës ra me 122,657 banorë gjatë periudhës 2012-2016. Stagnacioni politik pas zgjedhjeve të vitit 2014, të cilat e lanë vendin pa një qeveri funksionale për muaj me radhë, nxitën gjithashtu edhe këtë valë më të fundit emigrimi. Në të vërtetë, sipas vlerësimeve nga një sërë institucione, për rreth gjashtë muaj në vitin 2014 dhe 2015, afërsisht 100,000 shtetas kosovarë emigruan drejt shteteve të tjera evropiane, por edhe më larg. Në vitin 2011, në bashkinë Suharekë, në Kosovë, nga 88,126 banorë në total 28,418 prej tyre emigruan jashtë vendit. Shtete të tjerë në rajon kanë përjetuar nivele të ngjashme emigrimi. Në Serbinë fqinje, rreth 30,000 njerëz emigrojnë për çdo vit» – thuhet ndër të tjera në studim.

Stabiliteti ekonomik si dhe mundësia për t’u bërë pjesë e shoqërive perëndimore, po i josh ballkanasit. Instituti për Tregun e Punës dhe Studimin e Profesioneve (IAB) në Gjermani, ka konstatuar së fundi që refugjatët janë duke u integruar shpejt në tregun e punës. Sipas DW, Herbert Brücker, zyrtar në IAB, ka thënë së fundi se «në vjeshtë afër 40% e refugjatëve në moshën e punës do të arrijnë të futen në tregun e punës». Sipas tij, probleme më të theksuara në aspektin e integrimit vërehen tek refugjatët të cilët gjuhë amtare e kanë arabishten, sepse ndryshe nga ta, ballkanasit ndihen më afër gjermanishtes. Pastaj vet shteti ka filluar t’i ‘ridizajnojë’ politikat e emigracionit.

Së fundi, pas një vizite në Kosovë, Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë Gjermane Jens Spahn nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me homologun e tij kosovar Uran Ismaili. Kjo marrëveshje nënkuptonte ndër të tjera “furnizimin” e Gjermanisë me infermierë nga Kosova, për ç’gjë Kryeministri në ikje Ramush Haradinaj thoshte disi me mburrje se Kosova ka kapacitete që të ofrojë shërbime shëndetësore edhe për Gjermaninë, duke mos e menduar se sektori shëndetësor, është ndër sektorët me më së shumti probleme./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet