Emri i Nexhmije Pagarushës është i pavdekshëm

Komuniteti artistik në Kosovë ka vizituar familjen e Nexhmije Pagarushës të cilët po presin miq e bashkëpunëtorë të bilbilit të këngës shqipe, të cilëve u kanë shprehur ngushëllime dhe kanë nderuar veprën e të ndjerës. Nga ata u tha se Nexhmije Pagarusha është e pavdekshme dhe vepra e saj do të kujtohet gjithmonë.

Këngëtarja Shkurte Fejza, me lot në sy u mundua të flas për Nehxmije Pagarushën, për të cilën tha se ka lënë prapa këngët më të bukura shqipe.

Fejza: Emri i saj është i pavdekshëm

“Është shumë e dhimbshme kur ikin artistët, shuhet një emër dhe një artiste me përmasa siç ishte Nexhmija, mirëpo emri i saj është i pavdekshëm, i ka lënë kombit këngët më të bukura, andaj gjithmonë do ta kujtojmë”, tha ajo.

Remzije Osmani, këngëtarja e cila dikur ishte nderuar me një çmim nga Nexhmije Pagarusha, tha se ndarja nga jeta e bilbilit të këngës shqipe është humbje për të gjithë shqipfolësit.

Osmani: E mbaj një çmim nga vet dora e saj

“Kam pasur rastin të marrë një çmim nga vet Nexhmije Pagarusha në vitin 92, kam marrë çmimin Nexhmije Pagarusha në festivalin e këngës shqipe, kështu që ka qenë privilegj dhe nderë shumë i madh për mua që edhe sot e mbaj një çmim nga vet dora e saj”, tha Osmani.

Këngëtarë e artistë të tjerë u nënshkruan në librin e kujtimeve për Nexhmije Pagarushën dhe ngushëlluan familjarët të cilët po presin në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Motrat Mustafa thanë se Nexhmije Pagarusha u nda vetëm fizikisht, meqë sipas tyre, ajo do të jetë përjetësisht në zemrat e tyre.

Safete Mustafa: Ka qenë zëri më i mirë i shqiptarisë

“Sot është një ditë jo e mirë për të gjithë shqiptarët, një humbe shumë e madhe, ka qenë zëri më i mirë i shqiptarisë, ngushëllime gjithë familjes, kolegëve e gjithë shqiptarëve kudo qe janë”, tha ajo.

Sahide Mustafa: Këngët e saj nuk do të vdesin kurrë

“Në fizikisht po ndahemi nga zonja e madhe Nexhmije Pagarusha por përjetësisht ajo do të jetë në zemrat e gjithë shqiptarëve, këngët e saj nuk do të vdesin kurrë”, tha ajo.

Familjarët e Nexhmije Pagarushës kanë hapur dyert në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku sot gjatë gjithë ditës do të presin miq e bashkëpunëtorë për ngushëllime

Kategoritë
KulturëLajme

Të ngjajshmet