Emir Hukallo: Sasia e veprave që dalin nga shtypi, nuk është tregues real i nivelit të shtëpive botuese

Emir Hukallo u lind më 17.08.1988 në Prizren. Aty e ka kryer shkollimin fillor, përkatësisht atë të mesëm, në medresenë ‘Alauddin’. Studimet universitare i ka përfunduar në Degën e Shkencave Politike. Që nga viti 2004 është pjesë aktive e shoqërisë civile dhe aktiviteteve rinore. Eksperiencën si përkthyes e ka filluar me KFOR-in turk, por ka vite që ai tashmë i është përkushtuar librit. Kështu në vitin 2015 ai i themeloi ‘Botimet FLETA’. Deri më tani ai i ka përkthyer 17 vepra që i takojnë fushave si letërsi, islamistikë dhe filozofi. Veç shqipes, ai i zotëron edhe dy gjuhë të tjera: turke dhe angleze.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai ka folur kryesisht rreth fatit të librit, punës të cilën ai e ka kryer si drejtues i shtëpisë botuese në fjalë, si dhe objektivave për të ardhmen.

GER: Z. Hukallo, sapo ka përfunduar Panairi i Librit “Tirana 2018”, edhe Shtëpia Botuese ‘Fleta’ ishte pjesëmarrëse me botimet e saj, si e vlerësoni ju në përgjithësi këtë edicion?

 Hukallo: Fillimisht ju falënderohem për mundësinë që t’i ndajmë qëndrimet tona rreth rrjedhave të këtij panairi. Mes shumë të mirave, në krahasim me Kosovën, Shqipëria e ka më të zhvilluar shprehinë e leximit. Fakt ky i cili reflektohet jo vetëm në numrin e qytetarëve që marrin pjesë në panair të librit dhe që blejnë vepra, por edhe në pyetjet që i bëjnë, krahasimet e përmbajtjeve që veprave që ne i ofrojmë me ato që i kanë lexuar më parë, të cilat natyrisht se flasin për bagazh të lexuesve. Në kuptimin teknik natyrisht se organizimi ishte i mirë sepse kemi të bëjmë me njerëz që kanë të kaluar në këtë fushë.

 GER: Cili ishte libri më i shitur?

 Hukallo: Prej botimeve tona, sikurse edhe në panairet e tjera, libri më i shitur mbetet “Kauza ime” e ish kryeministrit të Turqisë Nexhmettin Erbakan. Faktori kryesor që ndikon në këtë është se ai njihet më shumë nga opinioni publik shqiptar, përndryshe edhe autorët e tjerë, jo që janë më pak të thellë në elaborim të temave, por problemi qëndron në mos-njohjen e tyre nga ana e lexuesve.

GER: A konsideroni që ‘Fleta’ u ka ofruar mjaftueshëm tituj lexuesve tësaj?

 Hukallo: ‘Botimet Fleta’ i themeluam në tetor të vitit 2015, kur në vitin e parë dhe të dytë nuk botuam më shumë se sa nga 5 tituj, por më 2017 dhe 2018 arritëm t’i nxirrnim nga shtypi 33 të tjera. Kjo për ne ishte e mirëseardhur dhe botimet rrodhën mirë, ndërsa e zgjeruam edhe personelin me të cilin punojmë, por edhe llojllojshmërinë e titujve me të cilat u paraqitëm para lexuesit shqiptar.

 GER: Ndonëse jemi në fund të vitit, a pritet që kjo shtëpi botuese të nxjerr në treg ndonjë titull të ri?

Hukallo: Brenda këtij viti planifikojmë t’i nxjerrim edhe 3 vepra që janë në përkthim e sipër. Uroj të arrijmë t’i nxjerrim para përfundimit të viti kalendarik. Kështu që brenda këtij viti do të na bëhen 21 të tilla.

GER: E keni filluar me përkthime letrare, ndërsa së fundi, e keni pasuruar tregun edhe me mendim e filozofi islame, a është kjo një shenjë, nëse mund ta quajmë, pjekurie?

Hukallo: Sivjet e kemi lënë mbrapa vitin e 3-të të aktiviteteve tona dhe mendojmë se na duhen edhe 2 vite për të kaluar fazën fillestare. Në 5 vitet e ardhshme, duhet të jemi më të përkushtuar në filtrat përmes së cilave kalojnë veprat tona para se të botohen. Në krahasim me veprat që janë studimore, as veprat letrare s’kanë qenë më të lehta sepse shprehjet artistike e bëjmë të veten dhe janë tejet sfiduese. Përmes veprave filozofike paraqesim alternativë në rrafshin e mendimit nga studiuesit e fushës në fjalë, sepse sistemi ynë arsimor fatkeqësisht, sipas vlerësimit tonë, nuk është gjithëpërfshirës dhe si pasojë e kësaj, shohim se edhe njerëzit e shkolluar e shohin botën sikur të jetë monopolare, gjë që është tejet kufizuese. Si në shkencat shoqërore gjithashtu edhe në ato ekzakte paraqiten vetëm teoricientët e një civilizimi dhe opinioni i sheh ata si themelues të të gjitha disiplinave shkencore. Për shembull prezantimi i Ogyst Kontit si themelues i sociologjisë është gënjeshtër e ligjësuar, sepse në thelb është e ditur se atë e ka themeluar Ibn Halduni në shek.XIII. Nga shembujt autokton e kemi Mulla Hasan Masuricën i cili në vitin 1899 e ndërtoi aeroplanin dhe këtë del ta ketë bërë 4 vite më parë se Vilber dhe Orvil Rajt që në literaturën tonë zyrtare paraqiten si zbulues të parë të aeroplanit.

Lista e shembujve mund të zgjatet, por nga këta shembuj të paktë e shohim se ka nevojë për mendim alternativ në mënyrë që ta zgjerojmë horizontin e lexuesit dhe të kuptojë se bota është multi-polare, e jo kështu si i paraqitet atij.

GER: Ndonëse jeni rishtar në këtë zeje, jeni treguar të gatshëm t’u ofroni hapësirë edhe shkrimtarëve të rinj, ç’mund të na thoni për këtë?

 Hukallo: Angazhimi me botim u shfaq si nevojë e rrethanave. Shtëpia botuese është vetëm mjet për të shërbyer ndaj të mirës së përgjithshme, kjo ka mundur lehtësisht të jetë edhe diçka tjetër. Shkrimtareve dhe shkrimtarëve të rinj veçse u kemi dhënë mundësi të promovimit të tyre. Disa dosje që erdhën për botim i kemi refuzuar për shkak të mos kalimit të tyre nga komisioni vlerësues. Prej veprave që do t’i botojmë brenda këtij viti, do të kemi edhe poezi të poetëve të rinj, kurse vitin tjetër në plan e kemi edhe një vepër dramatike.

 GER: Edhe një pyetje të fundit. A premtoni që edhe vitin e ardhshëm të punoni me këtë ritëm?

 Hukallo: Mendoj se numri i veprave që dalin çdo herë nuk është tregues real i nivelit të shtëpive botuese. Për sasinë e librave që do t’i nxjerrim s’mund të themi gjë, por gjithsesi që kemi ndryshuar për të mirë në filtrat përmes së cilave kalojnë veprat derisa botohen./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet