Emilja Rexhepi tregon se si ia kidnapuan vajzën në Prizren

Emilia Rexhepi nga Partia e Re Demokratike (NDS), në emisionin “KALLXO Pernime” ka treguar se si ia kanë kidnapuar vajzën në qytetin e Prizrenit.

Rexhepi ka thënë se në kohën kur vajza e saj është kidnapuar, kamerat e sigurisë nuk kanë qenë duke funksionuar.

“Para disa vitesh më është kidnapuar çika, edhe prej atëherë deri tash asnjë thirrje prej policisë nuk kam pasë, asnjë raport as kurrgjë. Ndoshta në Graçanicë nuk ka kamera, në Prizren ka pasë kamera në atë moment kur ma kanë kidnapuar çikën, asnjë kamerë nuk ka punuar”, tha ajo.

Rexhepi tutje ka treguar se kjo ka ndodhur për shkak të insistimit që të ndërtohet një qendër e boshnjakëve në Prizren.

Kjo ka qenë e ndikuar politikisht, unë e kam pasë një ideologji me e ndërtu një qendër të boshnjakëve atje, dhe diçka i kam hy bizneseve atje çka kanë planifiku qeveria lokale në atë periodë atëherë. Çikën tem e kanë mbajtur mbi 1 orë, vetëm i kanë thanë thirre mamin edhe thuj mamit mos me përmend mo atë projekt”, tha ajo.

Ndonëse sipas saj kanë kaluar më shumë se tri vite që nga kjo ngjarje, në “KALLXO Pernime” ajo ka thënë se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë informacion zyrtar se kush qëndron mbrapa kësaj ngjarje.

Mirëpo ajo fajëson PDK-në në Prizren për kidnapimin e vajzës së saj .

“Unë zyrtarisht nuk kam kurrgjë, por unë vet pak kam hulumtu dhe unë, atëherë kur ka qenë qeverisja lokale PDK-ja,  ata e kanë bërë”, tha ajo.

Kjo deklaratë e Rexhepit erdhi pas rrëfimit të Nenad Rashiqit se si një grup serbësh ia sulmuan djalin, Nikollën, me boksa të hekurt, çekiçë, e thika, duke i shkaktuar plagë të rënda në fytyrë dhe kokë.

Kategoritë
LajmeVendi