Emanuel Demaj: Jemi në vlugun e përgatitjeve të Forumeve Biznesore

Emanuel Demaj ish gazetari e drejtuesi i emisioneve, ka kohë që është i angazhuar edhe në politikë. Pas studimeve universitare ai është specializuar në raportet ndëretnike e sociale në Vicienza të Italisë. Demaj ka një eksperiencë të gjatë në shtjellimin e çështjeve ekonomike, sidomos gjatë kohës sa ka drejtuar emisionin debatues “AntiPod”. Aktualisht është Zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re Demaj flet për numrin e njohjeve, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Kosovës me vendet tjera, angazhimin e Ministrisë së Jashtme në diplomacinë ekonomike si dhe për aktivitetet në fushën e zhvillimit ekonomik për vendin.

Ndër të tjera Demaj thotë se “MPJ në bashkëpunim me dikasteret tjera ministrore është në vlugun e organizimeve të Forumeve të Bizneseve me shumë vende mike”.

GeR: Zëvendësministër Demaj, Republika e Kosovës vazhdon të njihet prej një numri jo të vogël shtetesh, po ashtu ajo është edhe anëtare me të drejta të barabarta në disa organizata ndërkombëtare. A na thoni, a mund të pritet rritja e këtij numri?

Demaj: Deri me tani Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me afër 90 vende. Do të përpiqemi që deri në fund të vitit 2017 të vendosim marrëdhënie diplomatike me 100 vende, derisa jemi njohur nga 115 vende dhe së shpejti paralajmërohen njohje të reja. Dinamika e nënshkrimit dhe implementimit të marrëveshjeve është e përshpejtuar dhe mund të them se kjo ndodhë pothuajse në baza ditore. Marrëveshjet janë të të gjitha fushave.

GeR: Po ashtu Republika e Kosovës ka një shtrirje jo të vogël në gjeografinë globale për nga përfaqësimi me ambasada e konsullata. Cili është angazhimi aktual i përfaqësuesve të shtetit të Kosovës kur bëhet fjalë lobimi për njohjet?

Demaj: Duke qenë se politika e jashtme nuk është vetëm aspekt i diplomacisë klasike që zhvillohet në korridore dhe zyra institucionale, por është involvim gjithëpërfshirës, shërbimi i jashtëm më themelimin e shërbimit diplomatik, që në fillim janë ofruar trajnime të vlefshme për diplomatët që kishin filluar misionin diplomatik. Që atëherë është etabluar një kontingjent i diplomatëve të informuar për rolin tyre në këtë fushë dhe është shumë i madh roli i tyre ne rritjen e njohjeve të reja, gjithashtu mundësit që ata i kanë dhe kontaktet me diplomatet e vendeve të ndryshme, natyrisht se mundësit janë për të krijuar kontakte dhe për të kërkuar mbështetje dhe për të lobuar si për njohje gjithashtu edhe në anëtarësimin në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.

GeR: Ajo çfarë po vazhdon ta mundojë Republikën e Kosovës është zhvillimi ekonomik. Kohë më parë pati një Konferencë të Ambasadorëve të vendit tonë, e po ashtu në Prishtinë u organizua një seminar tre ditorë për diplomacinë ekonomike. Cilat janë angazhimet e Ministrisë së Jashtme në fushën e diplomacisë ekonomike?

Demaj: Bazuar në Planin e Qeverisë për vitin vijues, Ministria e Punëve të Jashtme ka nxjerrë Planin e veprimit në të cilin janë identifikuar prioritetet e Politikës së Jashtme. Një nga prioritetet është dhe diplomacia ekonomike e cila parasheh që Ligji Për Investime Strategjike të jetë dokument tejet i rëndësishëm, si garantues për investitorët potencial. MPJ në bashkëpunim me dikasteret tjera ministrore është në vlugun e organizimeve të Forumeve të Bizneseve me shumë vende mike. Me iniciativën e ministrit Hoxhaj, i cili në turret e tij në vende, gjeografi dhe hemisfera të ndryshme, ka kërkuar konkretizimin bashkëpunimit dypalësh përmes vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, aty ku ende nuk është bërë, por dhe bashkëpunimin ekonomik.

GeR: Kur bëhet fjalë për diplomacinë ekonomike, nga Ministria e Jashtme e Kosovës është thënë se së shpejti do të fillon organizimi i disa konferencave në kryeqytete të ndryshme të botës, ku do të trajtohet kjo çështje. A kanë filluar përgatitjet për këto konferenca dhe nëse po cilat do të jenë synimet e tyre?

Demaj: Në këtë frymë janë zhvilluar forume ekonomike të shumtë të cilët janë shumë me rëndësi,si më Hungari, Itali, me Greqinë, etj…, si dhe janë planifikuar organizime të forumeve ekonomike si këtu në Kosovë, ashtu dhe në vende të tjera. Më duhet të theksoj se jemi të kënaqur me pjesëmarrjen e bizneseve në këto forume. Do të doja të vija në pah zellin e të gjitha institucioneve për të sjellë sa më shumë investime. E ky ishte Forumi i Biznesit i organizuar në Itali nga MPJ.

Aty morën pjesë Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Kryeministri Isa Mustafa, si dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami. Në këtë forum morën pjesë më se 70 kompani italiane dhe një numër i konsiderueshëm i bizneseve nga Kosova, të cilat patën mundësi të zhvillojnë takimet “Business to Business”.

GeR: Z. zëvendësministër ju keni realizuar disa vizita dhe keni zhvilluar disa takime e të cilat kryesisht bien në domenin e diplomacisë ekonomike. Çfarë mund të na thoni për hapat konkret të këtyre vizitave?

Demaj: Të gjitha dikasteret qeverisëse janë hisedar në projektimin e politikës së jashtme, përfshirë këtu dhe institucionet më të larta të shtetit tonë, si Presidenca si udhëheqëse e politikës së jashtme, kryeministria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Departamenti për Diplomaci Ekonomike ka punuar Planin e Punës, si pjesë e Planit të Punës së MPJ-së për vitin 2017. Jemi në vlugun e përgatitjeve të Forumeve biznesore me klubet e bizneseve vendore të interesuar që të identifikojnë tregje të reja. Ato (bizneset) kërkojnë ndihmë nga MPJ dhe shërbimi diplomatik në përgjithësi që të identifikohen lehtësira afaruese posaçërisht në vendet në të cilat kemi misione diplomatike dhe konsullore.

Bizneset tona shprehin interesim të jenë të pranishme në rajon në veçanti, por edhe në tregje të tjera në Evropë, dhe jashtë saj, në SHBA, Kanada, në tregjet lindore etj. Ajo që del si prioritet është insistimi ynë me angazhimin tone gjatë vizitave jashtë vendit edhe si MPJ dhe si të nënshkruajmë marrëveshje me sa më shumë shtete, që kanë të bëjnë me lehtësimin e afrimit me vendet në të cilat bizneset kanë më shumë interesim./Gazetaere.com

 

Kategoritë
INTERVISTALajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet