Ekspertët:Politikanët me premtime qesharake për punësim

“Çdo familje do të ketë së paku një të punësuar” është premtimi elektoral me të cilin disa nga politikanët po mundohen t’i bindin qytetarët që t’ua japin votën.

Derisa zgjedhjet e kaluara u trumpetua se do të krijohen deri në 200 mijë vende të reja të punës, shifrat treguan krejtësisht të kundërtën. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej vitit 2014 kur pushtetin e mori PDK, për t’iu bashkuar më pas LDK-ja, janë hapur vetëm 8,253 vende të reja të punës.

Nënkryetari i Odës Ekonomike Muhamet Ymeri, në prononcimin për Gazeta e Re thotë se premtimet e politikanëve nuk janë të mundshme në mënyrën se si po i prezantojnë ata.

“Kur një politikan premton diçka të tillë, mund të premtojë vetëm në sektorin publik. Ky sektor sot është i mbipunësuar dhe jo efikas. Me plot përgjegjësi mund të them se në një kompani private, është më mirë të kesh pesë punëtorë mungesë se sa një tepër. E humbë qëndrueshmërinë në biznes. Nga kjo mund të konkludohet se, politikanët duhet të angazhohen në mënyrë të sinqertë që ta lehtësojnë barrën në sektorin publik, duke e fuqizuar atë privat. Duhet të investohet në mënyrë të sinqertë në sektorin privat, që të arrihet niveli i pagave në lartësi më të madhe se në atë publik. Kur kjo arrihet atëherë, punonjësit e sektorit publik do të kenë arsye të kthehen në atë privat”, shprehet Ymeri.

Duke u bazuar në praktikat e deritanishme, ekonomisti Zekirja Shabani, thotë se deklaratat politike gjatë fushatës shpesh janë të pa bazuara në ndonjë program apo kalkulim real. “Edhe premtimi i nga një personi për çdo familje përveç që është jo real është edhe qesharak. Partitë politike duhet ta kenë të qartë se nuk janë duke bërë rekrutime për ushtri që të shkojnë çdo familje dhe të shënojnë emrat e personave që do të punësohen, por po premtojnë punësim dhe punësimi duhet të bëhet në bazë të disa kritereve dhe parametrave që lejon zhvillimi ekonomik”, thotë Shabani.

Lulzim Dragidella, udhëheqës i Departamentit për Punë Sociale në Universitetin e Prishtinës  konsideron se premtimi për punësimin e së paku një anëtari të çdo familjeje është i parealizueshëm.

“Nëse do ta punësonin nga një anëtarë nga secila familja atëherë i bije, sipas regjistrimit të ekonomive familjare të vitit 2011, të punësohen diku rreth 300 mijë persona. Kjo po del prapë si ai premtimi i zgjedhjeve paraprake ku një parti premtonte 200 mijë vende pune e tjetra 100 mijë vende punë”, thotë Dragidellanë një prononcim për Gazeta e Re duke cituar Alexander Demandt  i cili për premtimet elektorale thotë: “Politikanët premtojnë më shumë se sa mund t’i përmbajnë, sepse njerëzit kërkojnë me shumë se sa do duhej të prisnin”.

Sipas tij, premtimet e tilla që i ngjajnë “fiksioneve shkencore” vijnë ngase mospërmbushja e premtimit zgjedhor, sipas kodit penal një mospërmbushje e këtij premtimi nuk paraqet vepër penale.

Premtimi i lartcekur është i pamundur edhe në baza ligjore sipas profesorit të  sociologjisë, Besim Gollopeni. “Premtimi se do të punësohet një anëtar për çdo familje kosovare, nuk është i justifikueshëm logjikisht dhe nuk mund të jetë i realizueshëm ligjërisht. Shtrohet pyetja: Cili ligj e garanton punësime mbi bazë të kësaj natyre pra, një i punësuar për çdo familje kosovare?! Personalisht, si një njohës i çështjeve sociale, nuk di të ketë Kosova një ligj të kësaj natyre që garanton punësime mbi baza familjare madje, për një ligj të kësaj natyre nuk jam në dijeni nëse ekziston në ndonjë shtet të zhvilluar dhe demokratik. Andaj, premtimi se do të punësohet  për çdo familje kosovare një anëtar, është thjeshtë premtim i pajustifikueshëm dhe jo ligjor”, thotë Gollopeni për Gazeta e Re, duke shtuar se nuk është human premtimi i gjërave të parealizueshme.

Ai rikujton se premtimet të tilla ka pasur edhe më parë, duke vlerësuar se megjithatë në këto zgjedhje shoqëria hynë me një vetëdije kolektive më të përparuar, dhe se premtimet e tilla mund të kenë kundërefekte për partitë politike.

“Në kohë fushate, nuk është për t’u habitur nëse dëgjojmë premtime boshe, pa plane-programe dhe pa asnjë bazë ligjore nga klasa politike kosovare sepse, nga kjo klasë politike jemi mësuar me të këtilla premtime tash e dy dekada. Në fakt, premtimet për hapjen e qindra mira vendeve të punës pa asnjë plan- program se si do të realizohen dhe premtimi për punësimin e një anëtari të çdo familje kosovare, janë më tepër premtime të thata, të pajustifikueshme dhe të pamenduara mirë politikisht”, thotë Gollopeni.

Pavarësisht statistikave që tregojnë se shifrat e premtuara nuk u arritën , partitë politike vazhdojnë të premtojnë se 25,000 deri në 40,000 vende  të reja të punës do të hapen në  çdo vit./Gazetaere.com/

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendiZgjedhjet Parlamentare 2017

Të ngjajshmet