Ekonomia që po i tremb kosovarët

Trendi i migrimeve të kosovarëve nuk është ndalur këtu e pasluftës. Por kriza e re, e cila sipas ekspertëve, ende nuk e ka shfaqur fytyrën e vërtetë, ka të bëjë me humbjen e kuadrove (si mjekë, ekonomistë, teknikë medicinalë etj). Çka po ndikon më shumë në vazhdimin e kësaj dukurie? Pa dyshim, thonë njohësit e zhvillimeve, korrupsioni, nepotizmi dhe mungesa e investimeve serioze – shkruan Gazeta e Re.

Sapo Kryeministri Ramush Haradinaj, paralajmëroi se “vepra madhore” është gati, filluan kritikat. Disa u kujdesën që t’ia kujtojnë koston e lartë kryeministrit, e cila i kushtoi aq shumë buxhetit të republikës së gjorë.

“As Berlini, as Brukseli, e as Washingtoni nuk t’bon shpi, nëse ti e vjedh shpinë tande! (34 milionë Z-Mobile, 53 Milionë Bexhtel – Enka-s; 55 Milionë Lluka)” – shkroi Avni Zogiani, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Por kryeministri ishte entuziast, disa ditë përpara inaugurimit. “Më 29 maj, Kosova i gëzohet edhe një vepre madhore – Autostrada “Arbën Xhaferi” është gati! Urime Kosovë!” – njoftoi ai opinionin publik.

Por për shkak të zhvillimeve të tjera, ky entuziazëm u harrua. Bisedimet Kosovë – Serbi, përkatësisht vëmendja e shtuar te përgatitjet për Samitin e Parisit, disi e kanë lënë nën hije “veprëm madhështore” të kryeministrit.

Por me gjithë kritikat, pakënaqësitë dhe akuzat me të cilat shigjetohet Qeveria Haradinaj, shpërthim revolte, nuk duket që do të ketë. Ajo (revolta), sikur po artikulohet në një mënyrë tjetër, në një gjuhë tjetër, atë të heshtjes.

Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, nëpërmjet një raporti ka treguar që vetëm përgjatë periudhës 2013 – 2017-të, mesatarisht për vit, kanë emigruar mbi tridhjetëmijë qytetarë kosovarë. Më saktë, përgjatë kësaj periudhe kanë emigruar mbi 170-mijë qytetarë.

‘Eksodi’, siç e dimë, ndodhi në vitin 2015, kur njëherësh ua mësynë rrugëve (shumica atyre ilegale), mbi 75 mijë qytetarë. Por pas vitit 2017-të, ka pasur një rënie të konsiderueshme të shifrave të emigracionit. Ato, gjithsesi mbeten të larta, por jo aq të arta sa ç’ishin gjatë viteve 2014-të, 15-të dhe 16-të.

Qeveria aktuale, sikurse paraardhëset e saj, sipas shumë kritikëve, nuk i ka bërë detyrat e saj. Kabineti qeveritar aktual, ka mjaft zyrtarë të cilët janë zgjedhur në krye të sektorëve të rëndësishëm, duke qenë nën hetime për çështje të ndryshme, proceset gjyqësore të disa prej të cilëve ende vazhdojnë. Kjo ia ka dëmtuar reputacionin qysh në fillim, Qeverisë Haradinaj.

Ashtu siç thonë një pjesë e opozitarëve, “Afera Pronto”; “Rasti Blakaj”; “Rasti i Z-Mobile”; “Rasti i Punësimeve në PTK”; etj, janë shembuj jo vetëm të dështimit të sistemit të drejtësisë, siç thonë ata, por edhe raste të paketuara deri në fund.

Spekulimet që Telekomi i Kosovës po vazhdon të zhvatet, vetëm spekulime nuk mund të jenë. Së fundi TK-ja ka kërkuar nga Qeveria që t’ia ndajë një shumë prej 15 milionë eurosh dhe një garanci bankare prej 7.5 milionë eurosh, të cilat do të kanalizohen në investime për projekte kapitale. Ky do të ishte një infuzion për ta stabilizuar gjendjen financiare të kompanisë, thuhet nga zyrtarët e saj, por ndërkohë një komision i themeluar nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, po e heton rastin e punësimeve të fundit në PTK dhe jo vetëm.

Deputeti Milaim Zeka, në parlament, por edhe në disa paraqitje publike në disa intervista, ka përmendur emra zyrtarësh të lartë të cilët janë, ose kanë qenë në krye të menaxhimit të PTK-së, por edhe politikanë të lartë, të cilët kanë ose kanë pasur poste të larta në institucionet e shtetit. Sipas tij, shkatërrueset e kompanisë në fjalë, janë dy partitë më të mëdha në vend PDK dhe LDK. Pas këtyre deklaratave e akuzave të forta, duket që dilemat rreth skandaleve më të mëdha në vend, janë duke u shtuar.

Qytetarët thonë që pikërisht në këto kushte, ku korrupsioni, nepotizmi dhe krimi i organizuar po lulëzon, është vështirë të besosh në një perspektivë të çfarëdoshme. Kjo ekonomi e cila po çon ujë në mullinjtë e politikanëve të korruptuar, është arsyeja më e madhe pse qytetarët po vazhdojnë të ikin – thonë në anën tjetër njohësit e zhvillimeve./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet