Efekti i Koronavirusit ndihet në përgatitjet për Botërorin e Katarit

Impakti i pandemisë Koronavirus po ndihet edhe në Katar në përgatitjet për Botërorin e vitit 2022.

Komiteti Organizator i këtij evenimenti nuk ka folur hapur për efektet negative në ekonomi të Koronavirusit, por Sekretari i Përgjithshëm, Hassan Al Thawadi, kohët e fundit shfaqi shqetësimin e tij për këtë recesion global të ekonomisë.

Sponsorët e FIFA-s së fundmi kanë vendosur shkurtimin e vendeve të punës si pasojë e bllokimit të udhëtimeve dhe pezullimit të evenimenteve sportive për shkak të pandemisë.

Deri tani Katari ka përuruar 3 nga 8 stadiumet që do të përdoren në Botërorin e futbollit që do të zhvillohet në periudhën nëntor-dhjetor të 2022 që do të thotë se nevojitet më pak personel për supervizionin e infrastrukturave në ndërtim.

Me 85% e infrastrukturave të kompletuara, organizatorët e Kupës së Botës pohojnë se forca punëtore duhet të ndryshojë, pasi janë të nevojshme të tjera kompetenca për fazën e ardhshme të përgatitjeve për turneun e Katarit.

Ndërkaq, numri i personave që kanë humbur punën në përgatitjet e Botërorit 2022 nuk është bërë i ditur.

Organizatorët theksuan se ata që mbeten pa punë do të marrin pagën dhe shpërblimet për shërbimet e tyre siç parashikohet edhe në ligjin e punës në Katar.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet