Efekte samitesh dhe integrimet euro-atlantike

Ideja e intensifikimit të takimeve ndërmjet krerëve politikë nga Kosova dhe Serbia, është, në mos tjetër, relaksimi i raporteve të ndërsjella dhe rifillimi i procesit të bisedimeve. Përkundër shtytjes së madhe të këtij procesi nga Gjermania dhe Franca, por edhe nga vet BE, efektet duket që janë të vogla – shkruan Gazeta e Re.

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi nuk shkon në Samitin e BERSH-it në Sarajevë, por mori pjesë në atë që u mbajt në Tiranë (Samitin e Brdo-Brijunit). Këto zhvillime pasuan menjëherë pas Samitit të Berlinit, rezultatet e të cilit ishin të vogla e pothuajse inekzistente.

Tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, mbetën po ato, ndërsa procesi i bisedimeve është bllokuar tërësisht dhe hë për hë, nuk dihet se kur do të rifillojë.

Për sa i përket BERZH-it, vendimi është shpjeguar nëpërmjet një komunikate nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet së cilës thuhet se:

“Arsyeja e vetme që ka çuar te mospjesëmarrja e presidentit Thaçi në këtë takim të nivelit të lartë janë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat janë në nivelin më të ulët të mundshëm. Përkundër vullnetit politik dhe gatishmërisë sonë shtetërore që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje Hercegovinën dhe njohje reciproke, fatkeqësisht deri më sot ky vullnet jo vetëm që nuk është pranuar, por shpeshherë edhe është keqpërdorur”.

Samiti i Sarajevës, zhvillohet në kuadër të takimit vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Mirëpo, për shkak të raporteve të ulëta diplomatike ndërmjet dy vendeve si dhe mosnjohjes së Kosovës nga ana e Bosnjës, qenë arsyet e anulimit të kësaj vizite nga ana e presidentit.

Në Tiranë, ndërkaq, presidenti dhuroi pak spektakël me shtrëngime e mosshtërngime duarsh me politikanët e rajonit, por asgjë përtej kësaj. Pozicionet, siç komentojnë edhe mediat nga Beogradi, kanë mbetur po ato të njëjtat, sikur para vënies së taksës 100% për produktet serbe e boshnjake.

Edhe para fillimit të Samitit që u mbajt në Tiranë, opinioni publik ka qenë skeptik për sa i përket arritjeve të rezultateve. Analisti Armend Muja në një debat në televizionin publik theksoi që pas takimit të Berlinit, në Beograd por edhe në Prishtinë ende janë duke debatuar për efektet e samitit në fjalë. E për sa i përket atij të Tiranës ai tha që: “deri më 1 korrik, zyrtarët nga Kosova do të jenë në pritje, sikurse çdokush tjetër në Serbi.”

Sipas tij, njëra ndër idetë e cila ka qarkulluar ndërmjet janarit dhe majit dhe e cila është “korrigjimi i kufijve”; dhe edhe pse ka gjetur përkrahje nga disa vende të BE-së, pastaj edhe nga SHBA-të dhe Rusia, nuk është përkrahur nga gjermania dhe Franca.

Ndër të tjera ai tha që shoqëritë e të dy vendeve, po tregojnë që “nuk janë të gatshme për një marrëveshje të shpejt.”

Sipas Blerim Burjanit, ndërkaq, efekti i mirë i samiteve është që pas një “status quo-je që mbretëroi në raportet Serbi-Kosovë, kemi vazhdimisht iniciativa dhe lëvizje të tjera”.

Ai theksoi se: “Ajo çka më bënë mua përshtypje kohëve të fundit është, sidomos këtë periudhën prej dhjetorit të vitit të kaluar e tutje, ekziston ndërmjetësimi i zotit Rama në këtë segment raportesh”.

Ai tha që ndër të tjerë, Rama dhe Thaçi ishin iniciatorët e fillimit dhe promovimit të këtyre ideve (të shkëmbimit dhe korrigjimit të territoreve).  Deri në takimin e Parisit, sipas tij, palët do të provojnë t’i afrojnë qëndrimet dhe për këtë po angazhohet edhe Brukseli. Skenarët e rrezikshëm që i prekin kufijtë, sipas tij, kanë qenë të gabuar, “është dashur një dialog të butë, më teknik” dhe të mos preken plagët e vjetra, që kanë origjinë prej pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, duket që para takimit të Parisit, nuk do të ndodh absolutisht asgjë e rëndësishme. Më e shumta që mund të arrihet, është relaksimi i raporteve./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet