Edin Q. Lohja: Bashkëpunimi ndërkulturor nuk është vetëm mundësi por edhe detyrë

Edin Q. Lohja është lindur në Shkodër, prej ku është larguar më 1992, për të studiuar fizikë teorike e më pas religjion në Trieste, Beograd, Londër e Uashington. Më 2004 ka themeluar në Tiranë Bibliotekën Zemra e Traditës, që i kushtohet paraqitjes së pasurisë shpirtërore e intelektuale të traditave madhore të njerëzimit. Ka botuar 95 vëllime e 130 artikuj si përkthyes, redaktor e autor, në 12 shtete e 3 gjuhë, në shpirtshmëri, filozofi, metafizikë, kozmologji, art tradicional dhe religjion, me disa nga botuesit më të njohur të tyre në botë dhe rajon. Punimi më i fundit i tij është antologjia me 2000 vargje të zgjedhura të Rumiut, Flakërime Dashurie (Prishtinë: Pena, në shtyp e sipër), me shënime e parathënie kritike.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai ka reflektuar mbi nevojën e madhe të besimtarëve muslimanë, në rikthimin e vëmendjes nga tradita e urtisë, traditë kjo e paçmuar dhe e pa-eksploruar mjaftueshëm.

GER: Z. Lohja, keni përkthyer mbi gjashtëdhjetë libra, kryesisht nga shkencat intelektuale dhe shpirtshmëria, sidomos islame. A vazhdon të ju impresionojë edhe më tej kjo lloj literature?

Lohja: Jam rritë në prehrin e edukuesve, tue pasë nënën, të afërm e miq të prindve mësues, kështu që dija ka qenë kryefjalë në bisedat familjare dhe preokupimet personale, sidomos me përzgjedhjen time për të përfaqësuar Shqipërinë në një kolegj prestigjioz ndërkombëtar, ku larmia e prapavijave kulturore dhe arsimore e studentëve dhe profesorëve (nga mbi 70 vende), nxiti interesim intensiv tek unë për gjetjen e mënyrave sa më efikase të përmirësimit qenësor të arsimit te ne, fillimisht në shkenca ekzakte e pastaj në disiplinat humane, në kontekstin e vendit të sapodalë nga diktatura.

Kujtoj që 17 vjeç m’u krijua përshtypja, e artikuluar edhe në detyra kursi të filozofisë në kolegj, se rruga institucionale për reforma e ndryshime pozitive nuk kishte gjasa të hapej e jo mëtë shtrohej, për shkak të korrupsionit politik dhe mendësisë dritëshkurtër të përgjegjësve. Kështu që kam menduar të kontribuoj, si me thënë – nga jashtë sistemit, me prurje diturore rigoroze të sjella në mënyrë sa më kompetente, me shpresën se bash për këtë arsye do ta impononin veten ndër institucione arsimore e lexues të specializuar. Përkthimi nuk ka qenë kurrë interes i imi intelektual a profesional dhe literatura që kam sjellë ndër vite – shumica e të cilës zgjidhet gjithsesi nga botuesit – është kryesisht jashtë fushave që kam për zemër, por vazhdoj të kontribuoj modestisht nisur nga perceptimi im i nevojës për të si pasojë e mungesave të stërmëdha, jo nga shijimi personal. Në njëfarë kuptimi, pra e bëj nga halli, jo nga malli.

GER: Për qytetarët e këtij “fshati global”, ç’boshllëk mbush kjo lloj literature?

Lohja: Pikësëpari akademik, pra arsimor dhe teknik, që pasqyron auditorin e synuar të saj. Në vëllimet e njohura të botuara, që zgjidhen pse janë përfaqësuese përfshirëse të fushave përkatëse, kam ofruar shpesh parathënie kritike të gjata, shënime të gjerësishme e komente për t’i ofruar lexuesit tonë harta me destinacionet e ‘trenave të humbur’gjatë izolimit komunist. Mirëpo, ato zbusin edhe zbrazëtirën shpirtërore dhe ekzistenciale për individë me prapavija intelektuale e vokacionale të ndryshme. Një pjesë e libravemerren me mendimin para-modern, metafizikën e artin tradicional, psikologjinë e përshpirtshme dhe religjionin krahasimtar, fusha që ofrojnë ushqim për numrin gjithnjë e në rritje të njerëzve të lodhur nga premtimet boshe të ideologjive dhe së fundmi konsumizmit e vanitetit. Ato përmbajnë thesare të paçmuara për të gjitha aspektet dhe nevojat e njeriut, i cili është krijuar për lumnim të amshuar e realizim të pakufishëm.

Përpjekjet e mia studiuese (të mos flasim botueset) nuk janë akoma as në nivelin e gërvishtjes së drynit që mban kyçur arkat e këtij thesari. Si shembull, mund të përmend faktin se, vetëm në qytetërimin islam, jemi në dijeni të 2.5 milion dorëshkrimeve diturore, një pjesë e papërfillshme e të cilave është botuar dhe aq më pak studiuar e përhapur. Mjafton të vështrosh sasinë marramendëse të botimeve mbi Islamin vetëm në anglishte – tashmë një lingua islamica për nga shtrirja tematike e regjistri teminologjik –dekadave të fundit, për të krijuar një ide mbi atë se sa pak nga ajsbergu i dijes përkatëse është cekur.

GER: Teoria e përplasjes së qytetërimeve, që i njihet amerikanit Samuel Huntington (vd. 2008) e vë theksin te dallimet kulturore mes shoqërive perëndimore e lindore, si faktor potencial konfliktesh. Por ka gjithashtu një shembull kokëfortë historik si ai i Andaluzisë, ku për afro tetë shekuj një shoqëri kulturalisht heterogjene bashkëjetoi në harmoni dhe bashkëpunoi në dituri. Ç’mund të na thoni, a ka një pjesë të këtij rrëfimi që ne e kemi harruar?

Lohja: Sipas disa analizave akademike, kujtesa praktike historike e njerëzimit kthehet pas vetëm pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjet, në kuptimin që mësimet e nxjerra nga ngjarje më herët se aq priremi t’i harrojmë dhe shpërfillim, çka duket se shpjegon pjesërisht një rimim të fortë periodik mes ngjarjeve në historinë e regjistruar të njerëzimit. Duket se kujtesa jonë intelektuale është edhe më e shkurtër…  Mbaj mend zellin e pafre të përdorimit vend e pa vend të psikanalizës në vitet 1990’(akoma të papërkthyer as në bazat e saj në shqipe), madje edhe në domene qartësisht në kompetencën e neurologjisë, pa përmendur shpirtshmërinë. Psikanalizës i janë bërë kritika të themelta nga mjaft këndvështrime tash sa dekada, asnjëri nga të cilët nuk duket se u ka rënë në vesh popullarizuesve të saj ndër ne, aq më pak publikut të gjerë që e konsumon pa kriter. Edhe tezave të Huntingon-it u janë bërë rrëzime jo thjesht me shembuj historikë, por në parim, të cilat janë të disponueshme për kërkuesit e fushës, madje edhe mes botimeve tona, aq sa pakkënd dëgjon ta marrë seriozisht mendimin e tij më 2018.

Megjithatë, duhet të theksoj se teza të tilla nuk janëgjithmonë produkt i mendimit të kulluar shkencor dhe përkojnë shpesh me prirje të posaçme dhe plane konkrete në politikat e jashtme të vendeve të fuqishme.

Bashkëpunimi ndërkulturor nuk është vetëm mundësi por edhe detyrë, përtej mbllaçitjes klishe të korrektesës politike. Metafizikisht, larmia pasqyron pashtershmërinë e mundësive të shpërfaqjes së parimeve, ndërsa fizikisht promovon ndërplotësueshmëri, pra tek e fundit pasurim e gjallërim, diçka e pohuar haptas nga Librat sakralë dhe e konfirmuar në nivele të ndryshme edhe nga shkencat natyrore e sociale, madje edhe ekonomia e rigjallëruar nga imigrimi, etj.

GER: Si e shpjegoni faktin që në vendet perëndimore po shfaqet përherë e më fuqishëm një gatishmëri e muslimanëve për t’iu rikthyer hulumtimit të traditës së dijes, njohjes së pikëpamjeve të autoriteteve të dikurshme si fjala vjen Ibn Arabiut, Suhraverdiut, Gazaliut, Ibn Rushdit e Rumiut? A është kjo vetëm për shkak se në Lindje, diktatet që i shkaktojnë “elitat” politike, respektivisht rrethanat politike aktuale, ua pamundësojnë besimtarëve një këndellje?

Lohja: Nuk jam i sigurt se e kuptoj saktë lidhjen e dukurisë me rrethanat politike, por së pari më lejoni të vërej se nuk shoh ndonjë zell të madh mes muslimanëve në Perëndim për ta rigjallëruar në mënyrë të organizuar trashëgiminë e tyre intelektuale, medet! Veç sikur të ishte ashtu! Mjafton të shikosh veprimtaritë e institucioneve të ngritura atje me aq mund prej paraardhësve të tyre, apo literaturën e botuar prej tyre në gjuhë evropiane.

Interesimi është i pranishëm në nivel individual, sidomos tek të rinjtë: ose në mesin e studentëve muslimanë që vijnë në Perëndim dhe (ri)zbulojnë traditën e tyre nga kontakti me vepra të shkruara prej autorësh me ndjeshmëri për diskursin aktual, ose tek të lindurit në Perëndim nga imigrantë muslimanë. Shkaqet dihen… diçka nuk shkon tash sa kohë në mbretërinë e Danimarkës.

Interesimi sistematik për pasuritë e mëdha të traditës islame është në rritje të pazakontë mes akademikëve e intelektualëve perëndimorë të fushave përkatëse, me botime, konferenca, katedra e institucione gjithnjë e më të specializuara dhe përfshirëse. Motivimi i tyre është kullueshmërisht akademik, në një fazë që e ka tejkaluar orientalizmin burimor, të paktën në shkencat intelektuale dhe shpirtërore.

Dy përfaqësuesit madhorë të predikimit të organizuar të Islamit në Perëndim janë rivalët e mëdhenj politikë në Lindjen e Mesme, Saudia e Irani. E para ka spikatur kobshëm në përhapjen e fundamentalizmit literalist, me tërë armiqësinë e mundur ndaj krejt traditës intelektuale e shpirtërore islame, madje edhe arteve, pa harruar dhunën terroriste të frymëzuar direkt prej tij. I dyti është ndalur te një version i ideologjizuar i fesë, i ndikuar nga teza e terminologji politike perëndimore moderne, por me njëfarë frymëmarrjeje në filosofi dhe sigurisht poezi, falëmosndërprerjes së traditave përkatëse në Persi.

GER: Për lexuesin shqiptar kjo traditë e dijes, mbetet ende e panjohur. Ka një klasë klerikësh, për të cilët Alija Izetbegoviç do të thoshte se nuk do të duhej të ekzistonin, e që ende nuk janë të gatshëm ta nxitin formimin e një vetëdije kritike tek besimtarët. Në këtë kontekst, çka u rekomandoni lexuesve, cilit autoritet duhet t’i referohen?

Lohja: Është temë komplekse në kontekstin tonë, të cilës nuk i jap dot as një skicim këtu. Por, më duhet të nënvizoj që sikur po pritet pak si shumë nga klerikët. Roli i tyre ka qenë tradicionalisht i kufizuar në çështje të natyrës së jashtme, ndërsa përtëritja e traditës diturore ka qenë lëmë e mjeshtërve të shpirtshmërisë, filozofisë dhe metafizikës, që e tejkalon së tepërmi trajnimin formal të mjaftueshëm për t’u bërë klerik. Një problem delikat është se gabimet e klerikëve u përgjigjen më së shpeshti etjeve skiç të njerëzve, në një simbiozë që do të vazhdojë gjatë: të dalur nga sisteme totalitare ideologjike, njerëzit kanë reflekse të forta e inerci të madhe për autoritete gjithologe, të cilave janë të kënaqur t’u dorëzojnë vendimetë mëdha e të vogla, në rehatinë iluzore qëtë jep arratisja nga liria. Klerikët mund të fajësohen për injorancë të përbërë (xhehl murakkab) në marrjen përsipër të kompetencave për të debatuar, prezantuar e predikuar në fusha vite drite larg ekspertizës së tyre gjithsesi të varfër.

Nga ana tjetër, s’ka si të jetë ndryshe kur kontingjenti i atyre që vazhdojnë për klerikë nuk është më i miri intelektualisht dhe këtu qëndron një pjesë e madhe e përgjigjes se nga kush mund të pritet ndonjë ndriçim i udhës. Nuk kemi ende strategji arsimi fetar me bazë urtinë, jo sektarizmin ose klientelizmin politik ndaj “Vëllait të madh” ose “donatorit bujar”. Nuk kemi asnjë njohës akademik të gjuhës së shpalljes, të mos flasim për specialitete. Në revistën zyrtare të komunitetit musliman, fjala vjen, artikujt më cilësorë i shkruan një mikrobiolog, sepse mizëria e klerikëve që kemi trajnuar jashtë nuk janë të zotë të artikulohen në gjuhë bashkëkohore as për aspektet më elementare të besimit.

Autoritetet, nga duhen kthyer sytë, janë në traditën tonë, muslimanët nuk kanë ndenjur duarkryq për 14 shekuj, është vetëm çështje vullneti dhe dëshire për vetëhulumtim./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet