Edi Rama: Edhe nga Prishtina “po i fryjnë zjarrit” për punën e detit me Greqinë

I pyetur rreth çështjes së kufirit detar me Greqinë, kryeministri Edi Rama u shpreh sërish se qeveria nuk ka për çfarë të reagojë apo kundërshtojë sepse vendi fqinj është në të drejtën e tij të zgjerohet me 12 milje.

Po ashtu, Rama tha se presidenti, opozita dhe Prishtina po “i fryjnë këtij zjarri” në mënyrë të qëllimshme për të krijuar trazira të tjera përpara zgjedhjeve.

“Ata që i fryjnë këtij zjarri, janë të qëllimshëm. Qoftë nga Lalzi, qoftë nga presidenca, qoftë nga Prishtina. Janë të qëllimshëm. E kam të vështirë të besoj që këta fryrës të jenë kaq të mangët nga mendja e kokës. Por kjo që bëjnë për mua është e qëllimshme, për të luajtur me ndjenjat kombëtare, me ndjeshmëritë patriotike, për të shfrytëzuar rastin, që të krijohet një sebep për sherr, e për t’i ndarë punët mes tradhtarësh e patriotësh”.

“Shqipëria në vitin 1990 ka bërë të njëjtën gjë që po bën Greqia sot, e kam shpjeguar e rishpjeguar: Çdo shtet që ka dalje në det ka të drejtë të zgjerohet 12 milje përtej kufirit ekzistues aty ku është e mundur. Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në vitin 1990 me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, e ka depozituar në maj ‘90 në Kombet e Bashkuara. Nuk rezulton që Greqia të ketë bërë ndonjë reagim apo deklaratë në atë kohë, se është e drejtë e çdo kombi. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Greqia, për detin Jon që është shumë më përtej pjesës tonë në Jon”.

“Faktikisht ka qenë kërkesa jonë që në fillim që ta zgjidhim këtë punë me gjykatë dhe nuk donte pala greke, këto teoritë që ata atje janë në avantazh në Gjykatën Ndërkombëtare, janë dokrra. Sa herë teshtin apo kollitet dikush në Athinë, këtu plas rrufa e madhe për arsye komplet të tjera nga e vërteta, për arsye lufte për pushtet, kaq e thjeshtë është kjo. E kemi përsëritur 1 mijë herë se e drejta e 12 miljeve është e drejtë universale e çdo vendi që buron nga konventa, Greqia e ushtron sot për arsye të veta që s’kanë lidhje me Shqipërinë, tani o unë jam agjent turk që luftoj me Greqinë, o jam agjent grek e luftoj me Turqinë, o në fakt jam ai që jam apo që jam realisht: Kryeministri i Shqipërisë që nuk i negocioj të drejtat e shqiptarëve”.

Kategoritë
LajmeVendi