Dy të tretat e bizneseve nuk mund të kryejnë punë pa dhënë ryshfet

Tri praktika të korrupsionit si më të përhapura në Kosovë janë: ryshfeti, informaliteti, favorizimi i miqve dhe anëtarëve të familjes në institucionet publike. Ndërsa, 2/3 e bizneseve mendojnë se nuk mund kryejnë punë pa dhënë ryshfet, kurse gati gjysma e bizneseve deklarohen se nuk mund të zhvillohen pa korrupsion.

Kështu u tha sot konferencën “Korrupsioni nga ana e ofertës: Perspektiva e bizneseve” të organizuar nga Instituti Riinvest.

Rreth 90 përqind e bizneseve të anketuara mendojnë se ka korrupsion në Kosovë. Niveli i korrupsionit në Kosovë perceptohet si problemi i dytë më i madh në shoqëri dhe renditet vetëm pas papunësisë.

Drejtori ekzekutiv në Institutin Riinvest, Alban Hashani theksoi se korrupsioni prej anës së ofertës krijon probleme në ekonomi dhe krijon pabarazi.

Hashani tha se të gjeturat korruptive janë shqetësuese, përderisa shumica e bizneseve të anketuara nuk kanë besim tek institucionet përkatëse për luftimin e këtij fenomeni.

Sipas tij, Instituti Riinvest me mbështetjen e “Programit të Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën”, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile në partneritet, është duke zbatuar projektin “Kodi dhe Koalicioni i bizneseve kundër korrupsionit”, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të akterëve kryesorë brenda komunitetit të biznesit në Kosovë mbi rëndësinë e zhvillimit të parimeve etike për të reduktuar korrupsionin dhe dhënien e ryshfetit nga bizneset (ana e ofertës së korrupsionit).

Ai tha se nga rezultatet kyçe të këtij projekti pritet të jetë miratimi i Kodit Kundër Korrupsionit, i nënshkruar nga shoqatat kryesore të bizneseve dhe udhëheqësit e bizneseve dhe krijimi i një Komiteti Drejtues për të stimuluar dhe ndjekur zbatimin e këtij Kodi.

Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Per Strand Sjaastad theksoi se legjislacioni i fuqishëm nuk mjafton për luftimin e korrupsionit, por varet edhe nga zbatimi i fuqishëm dhe ndryshimi i mentalitetit.

“Për fat të keq korrupsioni është një industri e madhe. Kompanitë janë viktimë ndaj këtij fenomeni, por edhe pjesëmarrës në korrupsion”, theksoi Sjaastad.

Ai tha se ky fenomen korruptiv është dukuri e rëndë për zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e konkurrencës së barabartë.

Sipas tij, komuniteti i biznesit mund të luaj një rol të rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit.

Edhe Berat Rukiqi nga OEK tha se të gjeturat korruptive nga ky raport janë fenomen shqetësues. Rukiqi theksoi se nxitja dhe presioni për korrupsion vjen nga kërkesa, sepse ka nivel minimal llogaridhënës dhe ka një shkallë të lartë konkurrencës të pa drejtë në treg.

“Besohet se dhënia e mitos nga bizneset bëhet për me mbijetuar bizneset. Por, mendoj se kudo që ka inspektime ka korrupsion, pra nga ana e inspektorëve”, tha Rukiqi.

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet