Dy ShKA “Agimi”, dy koncerte për festat e nëntorit dhe një betejë të cilës nuk i shihet fundi!

Dy grupet që veten e quajnë ShKA “Agimi” dhe thirren në të njëjtën traditë, kanë paralajmëruar koncerte, njëri me 26 nëntor e tjetri me 27 nëntor. Njëri grup koncertin e quan protestë artistike ndërsa tjetri vazhdim i traditës. Derisa njëri grup e synon mbrojtjen e emrit me protesta artistike grupi tjetër, në emër të mbrojtjes së emrit, kërkon ndihmën e organeve të drejtësisë.

ShKA “Agimi” që vepron jashtë objektit të kësaj shoqërie kulturore – artistike përmes një njoftimi shpërndarë medieve, të mërkurën, ka bërë të ditur se koncerti festiv i ShKA “Agimi” do të mbahet me 26 nëntor në shtëpinë e kulturës në Prizren.

“ Koncerti për nder të ditës së Flamurit është vazhdimësi e protestës artistike të anëtarëve të përkushtuar të ShKA “Agimit”. Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piedestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve” thuhet ndër të tjera në njoftimin e këtij grupi.

Për ta demantuar këtë informacion, të enjten në objektin e ShKA “Agimi” mbajtën konferencë për gazetarë, zyrtarët e grupit tjetër që veten e quajnë “Agimi” legjitim.

Xhemal Kabashi kryetar, dhe Festim Bytyqi anëtar i kryesisë, thanë të enjten se askujt nuk mund të ia ndalojnë që të mbajnë koncerte, por kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që të mbrohet emir i ShKA “Agimi”.

“Keqpërdorimin e e emrit dhe simboleve të ShKA “Agimi” jemi detyruar ta ndalojmë  përmes organeve  kompetente” tha Xhemal Kabashi kryetar i ShKA “Agimi” që ai e quan legjitim, ndërsa tha se kërkesa për ta mbrojtur emrin është dorëzuar në institucionin përkatës.

Sipas tij rrethanat e krijuara ditët e fundit i kanë obliguar që për hir të së vërtetës ta njoftojnë opinionin e gjerë si dhe adhuruesit e kësaj shoqërie, se kohëve të fundit ka informata joreale në lidhje me aktivitetet e ShKA “Agimi”.

“Koncertin tradicional, për nder të festive të nëntorit ShKA “Agimi” do ta mbaj me datën 27 nëntor në orën 19 dhe jo siç ka dal në media, se ky koncert do të mbahet me 16 nëntor. Pas daljes së këtij informacioni në media ShKA “Agimi” ka mbajtur mbledhjen dhe ka vendosur që përmes kësaj konference për shtyp ta demantoj këtë lajm. Në koncertin e 27 nëntorit do të marr pjesë edhe ShKA “Xheladin Zeqiri” nga Tetova u shpreh Kabashi i cili shtoi se . “ShKA “Agimi” gjithmonë i ka të hapura dyert për secilin qytetar që dëshiron ta jap kontributin e vet”.

Grupi tjetër në kohën kur po mbahej konferenca në objektin e ShKA “Agimi”,  lëshon komunikatë e dytë.

“Përpjekjet tona, që tashmë gëzojnë mbështetjen e qindra anëtarëve dhe mijëra qytetarëve dhe dashamirëve të Shoqërisë, nuk do të ndalen derisa të shpëtojmë “Agimin” nga duart e këtij grupi dhe t’ia kthejmë të gjithëve” thuhet ndër të tjera në komunikatën e dytë të grupit të dytë, që gjithashtu veten e quan ShKA “Agimi”.

I pyetur rreth mundësisë së bashkimit të dy grupeve, Xhemal Kabashi tha se ka mundësi të gjetjes së gjuhës së përbashkët dhe ne vazhdimisht nga ai është theksuar se mund të gjendet një gjuhë të përbashkët sepse po i bëhet dëm i madh shoqërisë. Sipas tij  nuk ka vullnet nga ana tjetër.

“Duhet të hapen rrugët për bisedime dhe jot ë mbyllen dhe koncerti I tyre është një tentativë paralele. Anëtarësia e ShKA “Agimi” është frustruar dhe ne që e udhëheqim shoqërinë kemi presion prej anëtarësisë sepse ata nuk  po lënë asnjë rrugë për kthimin në normalitet të kësaj shoqërie”, tha Kabashi i cili akuzon palën tjetër se me mësimdhënësit e shkollës së muzikës që asnjëherë nuk kanë qenë anëtarë të “Agimit” po bëjnë paralelizëm.

Sipas anëtarëve që vetën e quajnë legjitim, anëtarë të ShKA “Agimi” janë vetëm ata anëtarë aktivë në vitet e fundit.

Por ky grup që vepron në objektin e ShKA “Agimi”, nga grupi tjetër quhet “grupi i vogël i individëve të papërgjegjshëm” prandaj gjuha e përdorur nga të dy palët nuk jep shenja se në një të afërme mund të ndodh që “Agimi” të jetë një dhe “Agim” i vërtet. /Rami Berisha/Gazetaere.com/

Kategoritë
KulturëLajme

Të ngjajshmet